“E emërojë veten në komisione” – Kryeshefja e Telekomit dënohet me 10 mijë euro nga Inspektorati

Dy konkurset në të cilat e vendosi veten kryetare të komisionit kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, si dhe e anuloi testin me shkrim, për t’i emëruar kandidatët e pa-kualifikuar dhe që kanë afërsi me të, i kushtuan 10 mijë euro ndërmarrjes publike. Inspektorati i Punës e ka dënuar në dy vendime me ka pesë mijë euro për këto veprime, pasi pavarësisht rekomandimeve të marra në qershor për rikthimin e konkursit në pikën zero, Telekomi nuk kishte ndërmarrë veprime.

Pas kërkesës së parashtruar nga mediumi në drejtim të Inspektoratit të Punës, këta të fundit kanë dërguar vendimin për aprovimin e ankesave të dy kandidatëve për dy pozita të ndryshme në Telekom – atë të Kreshnik Domit dhe Blerim Balës.

Në vendimin që e ka parë Gazeta Insajderi, në të dyja rastet kryeshefja ekzekutive ka vepruar në kundërshtim me nenin 7,8 dhe 10 të Ligjit të Punës për favorizimin e kandidatëve, duke e emëruar veten në komisionin përzgjedhës në rastin e Domit dhe Balës, si dhe duke e anuluar testin me shkrim në të dyja konkurset.

Reklama e sponzorizuar

“Kryeshefja është e autorizuar të themelojë komisionet, mirëpo në nenin 7 të U.A. 07/2017, e formon apo themelon komisionin, por kjo dispozitë nuk i jep të drejtën të emëroj vetën në komision. Kryeshefja znj. B.H duke emëruar vetën në këtë komision ka vepruar në kundërshtim të U.A. nenit 7, lidhur me nenin 8 të Ligjit të Punës 03/L-212”, thuhet në dy vendimet e Inspektoratit të Punës.

Dënimi ka ardhur dy muaj pasi që nuk janë zbatuar rekomandimet e inspektoratit, të cilat u përcollën përpara dy muajsh dhe u anashkaluan nga ndërmarrja publike.

Telekomi, siç ceket në vendim, shkeli Ligjin e Punës. Pra, u gjet përgjetjës për cënimin e të drejtave të punës përgjatë procesit të ristrukturimit.

Blerim Bala dhe Kreshnik Domi ishin kandidatët e vetëm që kishin plotësuar kushtet për kryeshef ekzekutiv të Telekomit. Madje, Domi ishte më i vlerësuari nga ambasada e Britanisë së Madhe. Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, vendosi që ta emërojë në krye të ndërmarrjes aktivisten e VV-së, Burbuqe Hanën.

Gazeta Insajderi raportoi ditë më parë për avancimin e vëllait të kryeshefes, Burim Hanës, në pozitë menaxheriale. Siç raportoi mediumi me burime, ai u vlerësua si i preferuari i komisionit përzgjedhës në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”, duke lënë jashtë dy kandidatë të tjerë për të njëjtën pozitë.

Lidhur me kandidatin në fjalë dhe mundësinë e ndikimit të motrës së tij – Telekomi pati deklaruar për mediumin se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë.

“Lidhur me pyetjen konkrete për privilegjin/përfitimin e mundshëm të z. Burim Hana, nga fakti se motra e të njëjtit aktualisht është Kryeshefe Ekzekutive e TK, konsiderojmë se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë apo zgjidhet në ndonjë përgjegjësi vetëm për faktin se ka familjarë në pozitë drejtuese në kompani”, u tha në përgjigjen e tyre.

Gazeta Insajderi ka raportuar edhe për avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual. Ajo ka avancuar në këtë pozitë nga Departamenti Teknik dhe nuk ka qenë pjesë e shitjeve që 13 vite.

Insajderi kishte arritur ta konfirmojë afërsinë e Namanit me Burim Hanën, vëllain e kryeshefes ekzekutive, nëpërmjet një fotografie të përbashkët.

 

 

Insajderi raportoi edhe për avancimin e miqve të Hanës nëpër pozita menaxheriale. Ekrem Cervadiku u shpërblye me pozitën e menaxherit kryesor të Departamentit të Burimeve Njerëzore, përkundër mungesës së përvojës së punës. Cervadiku nuk kishte pasur më herët përvojë menaxheriale dhe s’ka pasur shkollim adekuat për të. I njëjti ka diplomuar në Menaxhment dhe Informatikë, që s’ndërlidhet fare me burimet njerëzore.

Njësoj ka ndodhur edhe me Pranvera Shalën, e cila është avancuar në pozitën e menaxheres në Departamentin e Marketingut, pa përvojë menaxheriale. Insajderi kishte mësuar se e njëjta nuk ka pasur përvojë menaxheriale më herët dhe është e diplomuar në Art figurativ.

Insajderi kishte arritur të konfirmojë afërsinë e Shalës me kryeshefen Hana nëpërmjet fotografive:

Përkundër mos-kualifikimit për pozitën, vitin e kaluar në fushën ku ishte zyrtar Cervadiku ishin ndërmarrë edhe veprime kundër-ligjore. Në Telekom ishte instaluar pajisja e regjistrimit të punonjësve me të dhëna biometrike.

Për këtë, vitin e kaluar ia kishte tërhequr vërejtjen Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke kërkuar që të hiqen menjëherë dhe të shkatërrohen të dhënat e marra të punëtorëve.

Përkundër që britanikët e kishin kundërshtuar përzgjedhjen e Hanës në Telekomin e Kosovës, Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje publike kishte vendosur me vendim unanim që ta vë në pozitën e kryeshefes.

Kompania britanike e përzgjedhur si trupë profesionale për të bërë poentimin e kandidatëve e ka vlerësuar me më së shumti pikë një ish-anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kreshnik Domin. Ai para pesë viteve kishte qenë kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës nga radhët e PDK’së.

Më 24 prill 2020, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefës së Telekomit.

Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga kryeministri atëkohë në detyrë, Albin Kurti.

Më 2016-ën, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës. /Insajderi.org/