Ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufinjtë e lejueshëm, ndërsa termocentralet e Kosovës konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Ndotja enorme e lartë, rreth 760 personave ua merr jetën çdo vit nga sëmundje të ndryshme të bëra tashme kronike që janë pasojë qind për qind e ndotjes dhe nga kanceri, si kulm i të gjitha këtyre sëmundjeve (sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2019). Çka thonë ambientalistët, mjekët pulmolog dhe ekspertët e tjerë?
Mehmet GJATA
Të dhënat më të fundit të bëra publike këtyre ditëve për ndotjën enorme dhe disa herë mbi çdo standard të ambinetit nga termocentralet aktuale të Kosovës, është edhe një alarm dhe përkujtim, ndër qindra sish të bërë deri më tash, në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve se ky është çmimi real dhe ai i vërteti krahas dy ngritjeve të çmimit në para brenda 9 muajsh më 2022. Të përkujtojmë se sipas medieve se ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon t’i tejkalojë të gjithë kufinjtë e lejueshëm, ndërsa termocentralet e Kosovës konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Dhe kjo ndotje enorme e lartë, rreth 760 personave ua merr jetën çdo vit nga sëmundje të ndryshme të bëra tashme kronike që janë pasojë qind për qind e ndotjes dhe nga kanceri, si kulm i të gjitha këtyre sëmundjeve (sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2019).
Gjithnjë sipas të dhënave të bëra publike, vetëm gjatë vitit të kaluar emetimet e pluhurit dhe gazrave të rrezikshme nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” kanë qenë mbi katër herë më shumë sesa niveli i lejuar. Ishte trishtues dhe tronditës dhe i dhimbshëm pamatë rrëfimi i 66-vjeçarit Skënder Smajli në storian e REL-it, i cili vuan nga një sëmundje e mushkërive për shkak të punës disavjeçare në termocentralet e Obiliqit. Ai kishte nisur qysh si 16-vjeçar punën në kompleksin prodhues elektroenergjetik, ndërsa ka bërë jetën në fshatin Palak, pak kilometra larg tymtarëve të termocentraleve. Këto fakte të rrëfyera dhe të paraqitura nëpër raporte të ndryshme të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, siç është BB-ja, si dhe të dhënat, të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civle, flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës në shëndetin e kosovarëve.
Dhe, në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë njër ndër vendet me ambient të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë të prodhimit të pjesës dërmuese të energjisë elektrike nga qymyri decenie me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit), por edhe të ndotësve të tjerë siç janë numri i madh i automjeteve të stërvjetëruara në qarkullim, mbushja e tokës së Kosovës me produkte të plastikës dhe prerja e egër dhe pa kontroll e maleve të vendit.
Ndotjes dhe degradimit në përmasa goxha alarmuese në Kosovë, pos emetimeve nga termokapacitetet e energjisë elektrike, i kontribuojnë edhe pakujdesi i publikut me shkarkimet, hedhjet e mbeturinave, por edhe neglizhenca e kahmotshme dhe e përvitshme e autoriteteve dhe zyrtarëve për të monitoruar në vazhdimësi dhe përditë përqëndrimin e ndotësve në ajër, në tokë dhe në ujëra dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e ambientit.
Ambientalistët e shqetësuar nuk ka ditë që nuk e ngritin zërin, duke i faktuar, sikundër edhe Banka Botërore pasojat e ndotjes disa herë më të lartë se sa normat e lejureshme. Luan Shllaku, një ambientalist fanatik dhe i përkushtuar kohë më parë në një televizion të vendit kishte deklaruar për qindra vdekje, që ndodhin brenda një viti nga sëmundjet që shkaktohen që shkaktohen si pasojë e ndotjes nga termocentralet Kosova A dhe B. Shllaku ka thënë se këto të dhëna janë nxjerrë nga një raport i bërë bashkë me Institutin “Musine Kokalari”, ndërsa, sipas tij, sëmundje si pasojë e ndotjes prekin, sidomos njerëzit nga zona e ndikimit të termocentraleve.
“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas. Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e çark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”.
Në këtë shkrim po e përkujtojmë edhe konstatimin e mjekut, pulmologut Besim Morina, që ka trajtuar shumë të sëmurë kronikë nga vendbanimet rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, të bërë tash kohë më parë. Ai ka deklaruar për mediat botërore se ata ishin diagnostikuar kryesisht me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, të clilat vinin si pasojë e punës së tyre në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). “Shumica e miqve të mi (në uzinë) kanë vdekur prej saj”, i ka thënë Reutersit, një ish punëtorë në kompleksin elektroenergjetik, i cili gjithashtu tani vuan edhe nga sëmundja e Parkinsonit.
Sipas ambientalistëve, kostoja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë është shumë më e lartë kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara. Prandaj, njohësit e zhvillimeve energjetike dhe ekspertët gjithmonë kanë ngritur zërin, kanë alarmuar në sinkron njëri me tjetrin se “kosovarët kurrë nuk e paguajnë lirë koston e energjisë elektrike, as më së liri në rajon”.
Përkundrazi. Sipas tyre, e paguajnë shumë shtrenjtë koston e rrymës që nuk matet me para. Shëndeti i rrënuar i qindra mijëra kosovarëve rreth e qark termocentraleve dhe minierave sipërfaqësore dhe sëmundjet kronike të qindra mijëra kosovarëve, të fituara nga ndotja e ambientit dhe degradimi i natyrës për të prodhuar energji elektrike, është çmimi që paguajnë kosovarët e që nuk kompenzohet dot, as nga importi i KEDS-it as nga Qeveria, as nga ZRRE-ja. Ky është çmimi i vërtetë, ai reali, që paguajnë kosovarët për energjinë elektrike.
Sipas disa statistikave të publikuara nga një medie ndërkombëtare, termocentralet në këtë pjesë të kontinentit gjatë vitit të kaluar kanë emetuar 5 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1.8 herë më shumë pluhur sesa nivelet e lejuara. Termocentralet në Kosovë vitin e kaluar emetuan 1.3 herë më shumë dioksid squfuri dhe 4.4 herë më pak grimca pluhuri sesa nivelet lejuara. Këto statistika, ç’është e vërteta, dalin të jenë më të favorshme krahasuar me vendet përreth. Bosnja e Hercegovina del të jetë shteti që e ndotë më së shumti ajrin në Ballkanin Perëndimor (8 herë më shumë dioksid squfuri dhe 3.6 herë më shumë grimca pluhuri), pastaj vjen Maqedonia e Veriut (5.2 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1,7 herë më shumë grimca pluhuri) dhe Serbia (4.6 herë më shumë dioksid squfuri dhe 1.3 herë më pak grimca pluhuri).
Por, sado që këto shifra flasin në një farë mënyre se në Kosovë qenkan paksa më të vogëla shifrat e ndotjes nga dioksidi i squfurit dhe prezenca e grimcave të pluhurit sesa në disa shtete të rajonit, nuk duhet të na bëjnë edhe aq të vetkënaqur këta numra, për shkak se po të kihen parasysh të dhënat kumulative të ndotjes dhe degradimit të ambientit në Kosovë, dalin të jenë, siç u apostrofua më lartë, tepër alarmuese dhe shumë tronditëse.
Madje, shumë ekspertë dhe ambientalistë e theksojnë zëshëm se “krimi mjedisor është ulur kaherë këmbëkryq anembanë Kosovës”. Shoqëria civile nëpërmjet shoqatave të tyre shprehin sot e gjithë ditën shqetësimin e tyre të madh për përmasat e ndotjes dhe të degradimit të gjendjes mjedisore në vend. Ata e theksojnë troç dhe thuaja se njëzëri se krimet mjedisore janë të përhapura në Kosovë. Në bazë të të dhënave të siguruara përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin), del që norma e humbjeve vjetore të pyjeve në një mesatare vjetore të jetë 654 hektarë brenda një viti kalendarik, ndërsa nëse përkthehet në mesatare ditore ajo është afro 1.5 hekatrë në ditë, ka saktësuar Faruk Foniqi, ekspert dhe në GIS dhe Remote Sensing në Universitetin e Torontos dhe Kalifornisë, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik.
Këto të dhëna duhet të alarmojnë para se gjithash shtetin, zyrtarët dhe autoritetet publike, të cilët duhet të kenë një pozicionim strategjik përballë rreziqeve që sjellin ndotja e mjedisit dhe degradimi i tokave dhe pyjeve të Kosovës. Me fjalë të tjera, autoritetet publike dhe private kosovare duhët më në fund t’i thonë stop një herë e mirë gatishmërisë së papërfillshme për të mbrojtur, natyrën, ambientin, pyjet dhe ujrat e vendit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, në radhë të parë, por edhe të stopimit të humbjes së mëtutjeshme të habitateve dhe specieve në shumë zona të biodiversitetit në të gjithë Kosovën si pasojë e degradimit të vazhdueshëm të natyrës.
Duhet veprime konkrete dhe më pakë retorikë shterpe në mbrojtje të mjedisit, ajrit, ujërave dhe tokës e pyjeve të Kosovës. Prandaj që tani duket e diskutueshme vëmendja goxha e zbehtë e Qeverisë aktuale e përqëndruar në Strategjinë energjetikë 2022-2031, ku bie në sy se vlerat mjedisore sikur janë lënë anash. Në Strategjinë energjetike thuaja se përciptazi flitet për ndotjën e ajrit dhe synimet për ta evituar apo zbutur këtë problem, sado që konstatohet se “ndotja e ajrit është ende problem serioz në Kosovë, pjesërisht si rezultat i mospërputhjes së termocentraleve me linjit me kufijtë e përcaktuar në PKRE”. Sipas raportit të zbatimit të Komunitetit të Energjisë të vitit 2021, që e citon Strategjia, “vlerat aktuale të emetimeve në Kosovë, krahasuar me kufijtë, ishin 197% në rastin e SOx , 223% për NOx dhe 177% për pluhurin”. “Edhe disa dispozita të Direktivës së Emetimeve Industriale (2010/75/BE) janë të zbatueshme nga 1 janari 2017, për impiantet e reja tek palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë. Impiantet ekzistuese pritet gjithashtu të zbatojnë dispozitat e Kapitullit III dhe Aneksit V, veçanërisht në rastin e rinovimit. Kosova ka përgatitur, por ende nuk ka miratuar, bazën ligjore për t’iu përmbajtur këtyre dispozitave”, thuhet tutje në Strategji. Poashtu konstatohet se “ngrohja e amvisërive me dru zjarri dhe qymyr në stufat e vjetra në Kosovë gjithashtu kontribuon në problemet e ndotjes së ajrit. Stacionet e monitorimit në vitin 2020 zbuluan një numër të madh rastesh kur PM10 tejkalonte kufirin maksimal të lejuar dhe në disa zona përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 ishte gjithashtu më i lartë se standardi, kryesisht gjatë sezonit vjeshtë-dimër, si pasojë e djegies së karburanteve për qëllime ngrohjeje”. Mirëpo nuk ofrohet ndonjë zgjidhje e mundshme dhe e qëndrueshme për problemin e ndotjës, nuk paraqitet as ndonjë vizion serioz, pos që thuhet se “duhet të përmirësohen procedurat dhe kapacitetet administrative të nevojshme për të siguruar zbatimin efektiv të rregulloreve kundër aktiviteteve të paligjshme dhe degradimit të mjedisit. /Buletini Ekonomik