Fitimet neto të mëdha të bankave komerciale në Kosovë, edhe ky më i fundit, i gjashtëmujorit të këtij viti (2023-shit, pra) prej 82. 6 milionë eurosh, janë kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegal, të institucioneve mikrofinanciare. BQK-ja vetëm soditëse. A duhet të mendojë shteti për mundësinë e aplikimit të taksës për fitimet bankare, sikundër që ka paralajmëruar ta bëjë Italia.
Mehmet GJATA
Është dëshmuar tashmë katërciprisht dhe me qindra herë se bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare (IMF-të) në Kosovë, gjithnjë kanë qenë qind për qind të pavarura dhe sovrane edhe në përcaktimin e çmimeve të produkteve të tyre bankare, pavarësisht se formalisht e kanë pasur që nga fillimi kupolën e quajtur Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që do të duhej edhe ligjërisht të jetë si një mbikëqyrës, kontrollor, apo, së paku, një si vëzhgues i zhvillimeve bankare dhe të afarizmit të të gjitha bankave që afarojnë brenda Republikës. Dhe, mirë që kanë qenë të pavarura tërësisht. Por nuk është mirë fare, madje është treguar si “metodologji” goxha kundërproduktive, madje e dëmshme keqëpërdorimi i shpeshtë nga këto banka (praktikisht nga të gjithat) i “sovranitet” të tyre, sidomos në vendosjen e çmimeve të produkteve bankare (kamatave dhe të çmimeve të shërbimeve), të mbajtura gjithnjë ndër më të lartat në Europë dhe në Ballkan, dhe të ngritura edhe më shpesh se kudo tjetër në botë.
Bankat komerciale në Kosovë dhe IMF-të, duke keqpërdorur pafundësisht dhe në shumë raste pavarësinë e tyre, në këto vite, por edhe në këtë vit i ngritin çmimet e shërbimeve bankare sa deshtën dhe kur deshtën, sikundër edhe kur deshtën dhe sa deshtën përcaktuan kamatat për të gjitha llojet e kredidhënies. Ndonjëherë, mbase, edhe ka ndodhur dhe ka bërë ‘vaki’ që këto banka t’ia dërgojnë ndonjë ‘depesh’ BQK-së për ta njoftuar për çmimet e reja të shërbimeve bankare. Dhe, me kaq ka përfunduar i gjithë raporti bankat në Kosovë-BQK-ja.
Ndërsa, fitimet e mëdha të këtyre bankave, edhe ky më i fundit, i gjashtëmujorit të këtij viti (2023-shit, pra) prej 82. 6 milionë eurosh, është kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegal, të institucioneve mikrofinanciare.
Bankat komerciale në Kosovë (në tregun e Kosovës operojnë 12 banka prej të cilave me pronësi të huaj janë 9), siç është kumtuar me dhjetra herë sivjet, deri në këtë kohë, kanë shtrenjtuar normat e interesit për kredi, ç’është e vërteta në përqindje të ulëta dhe pak të vrejtshme nga publiku, por ngritja e çmimeve bankare ka ndodhur disa herë.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), norma e interesit për kredi në muajin qershor 2023 ka arritur në 6.5 për qind, derisa në fillim të vitit kanë qenë 6.1 – 6.2 për qind. Dhe si rrjedhojë, siç theksojnë njohësit e zhvillimeve bankare në vend, bankat vazhdojnë t’i rrisin edhe fitimet e tyre enorme për çdo muaj.
Sipas Raportit të Sistemit Financiar për muajin maj 2023 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), fitimi i pastër i bankave për gjashtë muajt e parë të vitit 2023 ka arrit 82. 6 milionë euro. Depozitat deri në muajin qershor 2023 kanë arrit 5.609 miliardë euro. Gjatë vitit 2022, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, sektori bankar ka arritur të siguroi profit të lartë financiar, 140.3 milionë euro apo rreth 23 milionë euro më shumë se në vitin 2021.
Duhet thënë se këtë bilanc afarizmi në sektorin bankar të Kosovës, ku veçohet fitimi neto enorm dhe profiti supër i lartë financiar, e kanë lakmi edhe bankat e fuqishme dhe me miliona klientë që afarojnë në shtetet e kamura dhe financiarisht të imponueshme në botë. Sektori bankar në vendin tonë, vazhdimisht, ndër vite, shquhet me fitime enorme neto, por të arritura kryekëputë nga çmimet e shtrenjta të produkteve bankare (kamatave kreditore dhe të çmimeve në stratosferë të shërbimeve) të cilësuara tashmë nga ekspertët dhe nga statistikat zyrtare, ndër më të lartat nga shtetet e rajonit dhe të Eurpoës, gjithsesi.
Bankat në Kosovë, këto komercialet pra, vetëm këto i kemi, por edhe institucionet e ashtuqaujtura mikrofinanciare, ose figurativisht siç vazhdojnë të quhen nga klientela ‘fajdexhinjtë legalë në Kosovë”, vazhdojnë, po kështu, ta bëjnë ligjin vet: Sa të duan dhe kur të duan i ngritin çmimet e shërbimeve bankare dhe si të duan dhe kur të duan përcaktojnë kamatat për të të gjitha llojet e kredidhënies. Nuk pyesin pra, askënd e asnjë herë dhe në asnjë rast të vetëm, ose ia dërgojnë ndonjë ‘depesh” BQK-së ndonjëherë për ta njoftuar për çmimet e reja të shërbimeve bankare, ose për pamundësinë e uljës së kamatave “për shkak të riskut të madh që mbretëron në Kosovë”.
Dhe, duhet thënë, por edhe përkujtuar edhe klientelën edhe BQK-në, se fitimet e mëdha në të gjitha periudhat e vitit (tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore, dhe vjetore) të këtyre bankave, siç u tha më lartë, janë kryekëput rezultat i çmimeve shumë të larta deri në stratosferë të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegal, të institucioneve mikrofinanciare. Sa e sa herë, është konstatuar dhe është vlerësuar nga ekspertët se institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, aplikojnë norma absurde dhe për logjikën e shëndosh të pakuptueshme deri në 41 për qind, ose më saktë nga 23 deri në 41 për qind. Këto, pa diskutim, janë interesat më të larta në botë, në Europë dhe ndër shtetet e rajonit.
Kosova është kampione absolute për çmimet e shërbimeve dhe për lartësinë e kamatave të kredive të të gjitha llojeve në mbarë sektorin e vet banker, respektivisht edhe te bankat komerciale. Në një farë mënyre, edhe sivjet u jetësua paralajmërimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) se në një të ardhme të afërt në Kosovë do të rriten normat e interesit në kredi, edhe ashtu më të lartat në Europë dhe në shtetet e rajonit. Por, për ngritjen e sivjetshme, veçmas të kamatave për kredi dhe të çmimeve të shërbimeve, tashmë arsyetimi, nga institucionet bankare është bërë tjetër, jo ai i zakonshmi dhe që është shumë i ndryshëm nga arsyetimet që bënte më herët BQK-ja për çmimet e reja të produkteve bankare.
Më as BQK-ja, as bankat komerciale, nuk e bëjnë arsyetimin e ripërsëritur si refren me vite të tëra se gjoja “risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, është shkaku i kamatave të ngritura, i gjithë kësaj “loje” jashtë normave të ‘ferpleit” të afarizmit bankar. Nuk “pi ujë më” ky arsyetim bezdisës dhe i paqëndrueshëm fare as në opinionin e brendshëm as në ate të jashtëm. U dëshmua gjithanshëm se në Kosovë nuk ka risk të lartë, madje as të ulët.
Kosova, në bazë të standardeve të matjes së riskut, është vendi më i sigurtë në rajon. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë minimaliste “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas të dhënave të mëhershme të BQK-së, janë gjithsej diçka mbi 2 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare kredidihënie dhe përgjithësisht afarizëm bankar.
Shi për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në rrethana të tranzicionit dhe shumë pak vite pasluftës ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale. Në gjysmën e vitit të dytë të kaluar dhe sivjet deri në qershor, kërkesat për kamata të larta bankat në Kosovë i zbatuan me arsyetimin “si pasojë e rritjes së normës se EURIBOR-it në tregun evropian”. EURIBOR (shkurt për Euro InterBank Offered Rate ose përkthyer si Norma Ndërbankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane). Mirëpo, nuk nevojitet të bëhet ndonjë analizë e thelluar dhe e detajuar për të parë se edhe arsyetimi për rritje të kamatave si pasojë e rritjes së normës se EURIBOR-it në tregun evropian”, është i paqëndrueshëm fare për bankat kosovare. Sepse, siç konstaton BQK-ja vet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” EURIBOR (ose Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove) janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane).
Ndërsa, në Kosovë, asnjëra nga 12 bankat komerciale ekzistuese nuk jan as elitare, as për t’u vlerësuar të mëdha në tregjet ndërkombëtare të parasë. Me fjalë të tjera, siç konstatoi kohë më parë një vrojtues dhe njohës i proceseve bankare, bankat e Kosoves shpërfaqin në mënyrë të kamufluar, por edhe hapur pretendimet për ta shfrytëzuar rastin për sa më shumë fitim neto në dëm të klienteles (kosovarëve të varfër të Kosovës të zhytur në kredi), me rritje të reja të kamatave. Është kamuflim dhe farsë thirrja në Euribor. Sipas tij, Euribori paraqet kamatat që bankat e aplikojnë kur iu japin kredi njëra tjetrës. Nëse një bankë kosovare ka marrë kredi për t’i kredituar klientët e vet, Euribori është legjitim. Por, këto banka (bankat komerciale të Kosovës, pra) jo vetëm që nuk kanë marrë kredi, por kanë para të depozituara me thasë (depozitat deri në muajin qershor 2023 kanë arrit 5.609 miliardë euro), të cilat rrinë për shkak të kamatave të larta që i kishin për kredi, edhe kur Euribori ishte në minus.
Të gjitha këto kalkulime të bankave të vendit bëhen para syve të BQK-së, e cila tashmë e përsëritë si refren ‘pafuqinë” e vet, për të ndërhyrë në zhvillimet bankare për shkak të pavarësisë së politikave të bankave të këtushme komerciale.
Ndërkohë, pushtetit aktual “ i zënë” tash e sa kohë me zhvillimet politike të ndërlikuara në veri të vendit dhe nga trysnia ndërkombetare as që i bie ndërmend të merret me këtë çështje dhe së paku deri më tash as që është bërë publike ndonjë ide rreth zbutjes eventuale të problemeve që shkaktojnë çmimet e larta të produkteve bankare te popullsia e varfër e Kosovës.
Meqenëse bankat nuk po ndalen së ngarenduri pa zgjedhur mjete për të shtuar fitimet e tyre, mbase, nuk do të ishte keq, që shteti i brishtë i Kosovës të shqyrtojë pak iniciativën e shtetit Italian që të aplikojë “Taksën mbi fitimet shtesë“, që i bie taksë mbi fitimet neto, për të cilën iniciativë kryeministrja italiane Giorgia Meloni, tha se “është një iniciativë që e kam dashur sepse besoj se duhet dërguar një mesazh në lidhje me idenë e një shteti të drejtë”.
“Kam respektin maksimal për sistemin bankar dhe nuk kam ndërmend të godas bankat. Por ka pasur një situatë çekuilibri. Me rritjen e konsiderueshme dhe të zgjatur të normave nga BQE, rrezikohet të penalizohen familjet dhe bizneset”. “Sistemi bankar nxitoi të rrisë normat e hipotekave, por i la të pandryshuara normat që u njiheshin kursimtarëve dhe u krijua një deformim”, theksoi Meloni për medien italiane për iniciativën e saj, për të taksuar sa më shpejtë fitimet e bankave.
Pse mos ta mendoi këtë ide edhe shteti i varfër i Kosovës, e cila deri tani ua ka ofruar të gjitha parakushtet dhe mundësitë bankave komerciale për afarizëm të shëndosh dhe të suksesshëm, pa marrë asnjë kundërvlerë nga to. Gjithsesi, shkalla më e ekuilibruar e kamatave për kredi dhe çmimet më të arsyeshme për shërbimet bankare, por edhe taksimi i fitimeve enorme të bankave komerciale, do të ishte kompenzim i mirë dhe i natyrshëm që do të duhej të bëhet nga sektori bankar në Republikën tonë./Buletini Ekonomik