FMN paralajmëron kufizim të bashkëpunimit me donatorët për Kosovën

Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella, ka realizuar një vizitë stafi në Prishtinë, nga 31 korriku deri më 4 gusht 2023, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike dhe zhvillime të tjera, përfshirë progresin në zbatimin e Marrëveshjes parandaluese Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

Pas përmbylljes së vizitës, z. Di Bella lëshoi këtë deklaratë: “Në kontekstin sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë për vitin 2023 deri më tani kanë mbetur të favorshme. Rritja vazhdon të jetë reziliente, inflacioni vazhdon të shënojë rënie dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse ka filluar të ngushtohet. Të hyrat fiskale vazhdojnë të rriten me ritëm të qëndrueshëm, ka filluar të rritet zbatimi i programit të investimeve publike dhe rezervat fiskale kanë mbetur në nivele të duhura. Megjithatë, paqëndrueshmëria e ngritur në nivel global dhe tensionet në Kosovën veriore mbeten rreziqe perspektive të cilat, nëse materializohen, mund t’i rëndojnë sfidat e politikave.”

“Në veçanti, zhvillimet e kohëve të fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Përderisa, nëse hiqen në afat të shkurtër, nuk pritet që këto masa të kenë ndikim në perspektivën ekonomike, ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë vizitës, ekipi i FMN-së diskutoi për zhvillimet e fundit makroekonomike dhe të politikave, si dhe progresin me projektbuxhetin për vitin 2024. Ekipi gjithashtu vlerësoi progresin e shënuar në përmbushjen e angazhimeve kryesore në kuadër të programeve të mbështetura nga Fondi. Veprimet nën SBA dhe RSF do të vlerësohen zyrtarisht gjatë misionit të parë të shqyrtimit që pritet të zhvillohet në muajin tetor.”

“Ekipi i FMN-së mbajti takime me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti, Zëvendëskryeministrin Bislimi, Ushtruesin e Detyrës së Guvernatorit të BQK-së Nurboja, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Murati, Ministrin e Ekonomisë Rizvanolli dhezyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë. Gjithashtu, ekipi u takua me palët kryesore të interesit në sektorin e energjisë, përfaqësues të sektorit privat, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe partnerë zhvillimorë.”

“Dëshirojmë t’i falënderojmë autoritetet për diskutimet e sinqerta dhe mikpritjen e tyre të ngrohtë. Mirëpresim vazhdimin e angazhimit tonë në mbështetje të Kosovës dhe popullit tësaj.”