Kosova ka nevojë urgjente për kapacitete të reja elektroenergjetike

Masat për energjinë efiçiente, mund të zbusin minimalisht konsumin e rrymës në vend, por në asnjë rast ato nuk mund të zëvendësojnë domosdonë e ngritjes së kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike në Kosovë, qoftë të atyre të energjisë së renovueshme, qoftë të energjisë në bazë të qymyrit. Kosovës, pra, i duhet tani e mbi 20 e sa vite një kapacitet elektroenergjetik i ri në bazë të qymyrit (termocentral) i madhësisë 500 megavatësh, ose të një numëri kapacitetesh (dhjetëra sish) të energjisë së ripërtëritshme nga 100 megavatë.

Mehmet GJATA

Në ditët e fundit, në gusht pra, Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse që kanë detyrime për zhvillimet energjetike në vend, ngarendën me intenzitet të shtuar për të lansuar publikisht një varg masash (pakosh) nëpërmjet thirrjeve publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investime në energjinë efiçiente. Fillimisht, që më 8 shtator është është shpallur dhe tashmë është mbyllur (brenda një jave të vetme) aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Reklama e sponzorizuar

Dhe sipas njoftimeve zyrtare, mbyllja e parakohshme ka ndodhur për shkak se janë pranuar mbi dy mijë aplikimeve “të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve, kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”.

Mëpastaj, disa ditë më vonë, më saktësisht më 18 gusht është lansuar thirrja publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar. Në ceremoninë e lansimit që është mbajtur (të premten) në Prishtinë, për t’ia rritur rëndësinë kësaj thirrjeje publike ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili, me këtë rast, ka thënë se me këtë skemë do të mbështeten mbi 20 mijë familje. Ai ka thënë se fokusi i Qeverisë në sektorin energjetik nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese por edhe rritja e efiçiencës. Ndërsa, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, për ta bërë sa më të fuqishme dhe më bindëse këtë pako masash për energjinë efiçiente, ka thënë se me to kursimet e energjisë mund të arrijnë deri në 40 për qind.

“Në vendin tonë intensiteti energjetik është rreth tri herë më i lartë në krahasim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky numër duhet të ulet dukshëm. Andaj fokusi ynë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese. Këtë qëllim ne e kemi ndarë me partnerët tanë të cilët kanë dhënë 75 milionë euro në përballje me krizën energjetike. Andaj sot ne po lansojmë masën e tretë me radhë. Këto masa vijnë si vazhdimësi e punës që kemi bërë si qeveri për të rritur investimet në efiçiencë të energjisë. Kjo skemë që po e prezantojmë sot nuk do të jetë e fundit. Me këtë skemë e skemat tjera që do të prezantojmë javët në vijim do të mbështesim rreth 20 mijë familje”, theksoi kryeministri me rastin e lansimit të kësaj thirrjeje publike. Ai ka thënë se programi i efiçienës përveç që ndikon në aspektin ambiental, është edhe kursimtar për buxhetin familjar.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli Rizvanolli ka saktësuar se nga kjo thirrje përfitojnë së paku 20 mijë qytetarë. “Këtë vit Ministria e Ekonomisë do të zbatoj programin e efiçiencën i cili kap shumën prej 15 milionë euro, 10 milionë shkojnë për familje për pajisje ngrohëse efiçiente, për pajisje shtëpiake, sisteme solare për ngrohjen e sistemit sanitar”, ka thënë ajo, duke shtuar se “sivjet për herë të parë në Kosovë do të investohen rreth 30 milionë euro investime në sektorin rezidencial, shuma më e madhe historike në këtë sektor”.

Gjithsesi, këto thirrje publike drejtuar qytetarëve të Kosovës (sektori i amvisërisë në vend është më i madhi për sa i përket konsumimit të energjisë, sikurse që ekonomitë familjare janë sektori më i madh konsumues), respektivisht realizimi i drejtë dhe transparent i tyre, është i miërseardhur dhe po qe shkojnë te individët e merituar, këto masa do të shënonin ca ulje të konsumit dhe do të ulnin harxhimin e energjisë nga pajisjet e vjetra si rrobalarëse, enëlarëset, frigoriferët.

Por, duhet konstatuar se lansimi publik i bërë goxha me pompozitet dhe propagandë jo rrallë edhe agresive nga autoritetet për këto masa (pako) nëpërmjet thirrjeve publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investime në energjinë efiçiente, janë vetëm ca hapa drejt uljes simbolike të konsumit të energjisë dhe në asnjë mënyrë nuk janë zgjidhja e pritshme e qytetarëve të këtij vendi për të pasur sa më pak restriksione të rrymës në të gjitha stinët.

Masat për energjinë efiçiente, mund të zbusin minimalisht konsumin e rrymës në vend, por në asnjë rast, ato nuk mund të zëvendësojnë domosdonë e ngritjes së kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike në Kosovë, qoftë të atyre të energjisë së rinovueshme, qoftë të energjisë në bazë të qymyrit. Kosovës, pra, i duhet tani e mbi 20 e sa vite një kapacitet elektroenergjetik i ri fringo në bazë të qymyrit (termocentral) të madhësisë 500 megavatësh, ose të një numri kapacitetesh (dhjetëra sish) të energjisë së ripërtëritshme nga 100 megavatë.

Këto kapacitete (qoftë një termocentral 500 megavatësh, ose rindërtimi i tërësishëm i tre blloqeve të termocentrale Kosova A, apo ngritja e dhjetra kapaciteteve në bazë të erës dhe të diellit), janë tash e dy dekada e më shumë, domosdoja dhe nevojat imediate të Republikës për energji elektrike. Të tjerat masa, siç janë thirrjet publike për të shtuar numrin e pajisjeve shtëpiake efiçente të subvencionuara nga shteti, mund të jenë vetëm si plotësime, suplemente të kapacitetit të ri energjetik.

Dhe, sipas mendimit të ekspertëve të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, Kosova, edhe megjithë varfërinë ekstreme të saj, ka pasur shumë herë mundësi dhe vazhdon të ketë akoma për ta pasur, pra për të ndërtuar një kapacitet të këtillë energjetik në bazë të qymyrit, ose këto kapacitete në bazë të erës dhe të diellit. Madje, megjithë koston e lartë, Kosova, siç u tha më lartë, ka pasur shumë herë mundësi deri më tash dhe ka akoma këtë mundësi për të realizuar këto kapacitete.

Por, ngurrimi i deritashëm dhe mëdyshjet dhe dilemat akoma prezente tek autoritetet aktuale për t’ia nisur ndërtimit të kapaciteteve të domosdoshme mbetet e pakuptueshme dhe e diskutueshme. Madje deklarata e kryeministrit, e bërë më 18 gusht se “fokusi i Qeverisë në sektorin energjetik nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese por edhe rritja e efiçiencës”, del të jetë edhe paksa ironike dhe e hidhur, pasi që dihet se fokusi i Qeverisë, as i kësaj aktualës, sikundër edhe i qeverive të kaluara, nuk ka qenë asnjëherë rritja e kapaciteteve prodhuese. Po të ishte, vetëm me paratë e shpenzuara tashmë, që nga kriza energjetike, të dhëna nga qeveria, qoftë për importimin e energjisë elektrike të munguar, qoftë për suportimin e sektorin energjetik nëpërmjet formave të ndryshme të dhënies së parasë, qoftë edhe në dhënien e parave jo të pakta në energjinë efiçiente, kaherë ishte ndërtuar një impantë i prodhimit, aq i kërkuar në vend.

Kohëve të fundit, më saktësisht që nga fillimi i 2023-tës, në shumë vende të botës, politikat zhvillimore, me theks të veçantë investimet në energjetikë janë fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë solare, energjisë që përfitohet nga dielli. Edhe në shtetet e rajonit shohim potencial të madh te energjia e pastër, dhe sidomos te ajo solare, dhe thuaja në shumicën e shteteve të Ballkanit Perndimor janë rritur ndjeshëm investimet në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë solare.

Ndërsa Kosova, megjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ndër to edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, të miratuar tashme në të gjitha institucionet kompetente, ende ka mbetur prapa sa i përketë ngritjes së kapaciteteve të rinovueshme. Me fjalë të tjera, Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Por, ka fare pak vepra. Praktikisht, pos ndërtimit të dy kapaciteteve që ia vlen të përmenden- ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatësh, dhe disa minihidrocentraleve me fuqi prodhuese minimaliste, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar.

Ndërkohë, që fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës vazhdojnë nga zyrtarët. Në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme. “Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, kishte deklaruar kryeministri Kurti me këtë rast.

Fjalë të mira dhe goxha vizione, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, kanë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra monotone, të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit’, të bëra po kështu, në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt kohë më parë në Prishtinë. Dhe, me këtë rast, Rizvanolli i atribuoi merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë aktualisht, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 MW në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese; Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MÇ-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.

Por, Artane Rizvanolli, as autoritet e tjera nuk e thonë një fjalë të vetme konkrete, se ku kanë arritur realizimi i këtyre projekteve (ndërtimi i parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu). Ndërsa, siç dihet, ndërtimi i parkut solar në KEK, ende as që ka nisur. Tani për tani është shpallur vetëm ankandi për këtë projekt i cili do të ketë kapacitet 100 MW, dhe do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro.

Po, dihet edhe e dhëna se parashihet të ndërtohet mbi kodrat e dheut, të krijuara prej hirit të qymyrit të djegur në termocentralet e KEK-ut. Nuk është bërë akoma përgatitja e dosjës së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjen e punëkryesit të këtij parku solar. Kurse, realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, ”Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët, deri më tash vetëm sa kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte.

Po e përsërisim: Në Kosovë ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, por edhe përkundër se Kosova ka mundësi reale që 2-3 kapacitete 100 megavatësh të energjisë së rinovueshme t’i ndërtojë edhe me para vetanake, por të cilat, siç dihet, po qëndrojnë në stoqe dhe të pashfrytëzuara me muaj e vite, edhe pse janë të dedikuara për investime kapitale. Dhe, po e përsërisim se mbështetja e konsumatorëve familjarë për investime në energjinë efiçiente, sado të favorshme dhe të mirëseardhura qofshin, kurrë nuk do të zëvendësojë domosdonë e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të rrymës, që ka vite i mungon Kosovës. /Buletini Ekonomik