Pse nuk ka mundësi të krijojë rezerva të energjisë elektrike Kosova?

“Freskimi” i termocentraleve të stërvjetuara të Kosovës, respektivisht ngritja e gatishmërisë së tyre nëpërmjet rehabilitimit dhe remonteve të vazhdueshme, është e vetmja mundësi e “rezervimit” të rrymës për dimër, dhe e vetmja mënyrë e njëfarë “rezervimi”, ose e pasjes më shumë të rrymës në muajt e acartë të dimrit.

Mehmet GJATA

Për shkak të strukturës shumë të pafavorshme të kapaciteteve dominuese të prodhimit të energjisë elektrike (tre blloqe të Kosovës A dhe 2 blloqe të Kosovës B, të cilat prodhojnë mbi 95 për qind të rrymës në vend), sistemi elektroenergjetik i Kosovës vihet në shumë raste në vështirësi të theksueshme gjatë përpjekjeve për të përmbushur misionin e vet. Kjo ndodhë për shkakun se prodhimi i bazuar vetëm tek qymyri (pra te termocentralet), ka goxha ca mangësi, të cilat reflektojnë pastaj në momente dhe në stinë të caktuara të vitit në furnizimin e konsumit të vendit.

Vështirësitë, ç’është më keq, shpërfaqen në të shumtën e rasteve, gjatë stinës së dimrit dhe ditëve me temperatura të acarta, kur rëndom, shtohet ndjeshëm konsumi i rrymës në Kosovë, dhe kur mungon energjia elektrika e prodhuar nga kapacitetet vendore. Ndërsa gjatë muajve të verës, po kështu ka vështirësi të kohëpaskohëshme të cilat në të shumtën, kanë të bëjnë me tepricat evidente të rrymës, të prodhuara nga kapacitetet vendore, të cilat janë rrjedhojë e zvogëlimit të ndjeshëm të konsumit të rrymës.

Reklama e sponzorizuar

Në shumë raste, për tepricat e energjisë elektrike në KEK, sidomos gjatë muajve të verës dhe gjatë orëve të natës, ka jo pak vështirësi të gjendet treg për t’i plasuar ato. Thjeshtë, në tregjet ndërkombëtare të energjisë, në këto kohë, ndodhë që nuk ka nevoja për energji elektrike, prandaj KEK-u detyrohet kushtimisht ose t’i tregtojë këto teprica me çmim fare të ulët, ndonjëherë edhe nën çmimin e kostos të prodhimit, ose t’a fikë operimin në ndonjë bllok të termocentraleve.

Mirëpo, edhe fikja e ndonjë stabilimenti ka kosto shumë të lartë, sepse për riaktivizimin e tij duhet pastaj të shpenzohen mijëra tonelata mazut, që do ta dëmtonte financiarisht ndjeshëm KEK-un.

Duhet thënë se te KEK-u dhe te mbarë sistemi elektroenergjetik i Kosovës, ka qenë i mirëseardhur dhe goxha ndihmesë këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, qëkur ka filluar të zbatohet marrëveshja KEK- KESH (Koporata Energjetike e Shqipërisë) për këmbimin e tepricave të energjisë elektrike. Nga ky këmbim kanë përfituar të dy shtetet. Por, marrëveshja e këmbimit është dëshmuar tashmë shumë e favorshme për Kosovën. Dhe këtë, e dëshmon më së miri dimri i kaluar, kur rreth 150 mijë megavatë – orë të energjisë elektrike të deponuar nga KEK-u në KESH gjatë verës së kaluar, në sezonin e dimrit kur Kosova kishte shumë nevojë, iu kthyen KEK-ut.

Madje, gjatë dimrit 2022-2023, Kosova, pos rikthimit të huazimit të sasisë së rrymës, nga Shqipëria huazoi diku rreth 36 mijë megavatë-orë, të cilat po i kthen gjatë këtyre ditëve. Një mangësi tjetër, me pasoja evidente për Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës, e dominimit të kapaciteteve prodhuese si shumicë absolute, të mbështetura ekskluzivisht të qymyri, është edhe pamundësia për të rezervuar energjinë elektrike, për të krijuar rezerva për ditët e vështira, derisa me kapacitetet hidroenergjetike (hidrocentralet) mund të rezervohet energji duke hequr dorë nga shfrytëzimi i ujit për ditë krize (duke ruajtur sasi të ujit në liqenet akumuluese të hidrocentraleve). Këto janë pak a shumë problemet e shpërfaqura nga dominimi i kapaciteteve prodhuese nga linjiti.

Mirëpo, për sistemin elektroenergjetik të Kosovës vështirësi goxha të theksueshme dhe me pasoja, paraqet edhe struktura tejet e disfavorshme e shpenzuesve të rrymës. Në Kosovë, siç dihet, dominojnë shpenzuesit e grupit të ashtuquajtur të amvisërisë në përqindje të madhe, ndërkohë që grupi i konsumuesve nga industria, është ende jo shumë i madh, dhe ky fakt ndikon në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik.

Në Kosovë, konsumi i grupit të konsumatorëve të amvisërisë, ose konsumi familjarë dhe individual, shpenzon gjithnjë më shmë, jo rrallë edhe qind për qind më shumë se natën, ndërsa grupi i konsumatorëve të industrisë, që karakterizohet kudo në botë me shpenzimin e madh gjatë natës, ose së paku barabartë ditën dhe natën, te ne vazhdon të jetë akoma goxha i pakët. Kur të kihen parasysh këto të dhëna, KEK-u në gjendjen aktuale dhe me kapacitetet ekzistuese (tre blloqet të Kosovës A, A3, A4 e A5, me kapacitet secili nga 130 megavatë-orë dhe B1 e B2 të Kosovës B me fuqi nga 260 megavatë secili), nuk ka shumë mundësi për krijuar ndonjë rezervë të energjisë elektrike për ditët e vështira dimërore.

Njohësit e zhvillimeve energjetike në vend, vazhdojnë të theksojnë si mundësi të vetme të “rezervimit” të energjisë nga KEK-u, freskimin e termocentraleve nëpërmjet rehabilitimit të vazhdueshëm dhe remonteve teknike të stabilimenteve te të gjitha blloqet ekzistuese. Ata përmendin shembullin e vitit të kaluar, kur gjatë tërë dimrit, i cili ç’është e vërteta, ka qenë “më i butë” se dimrat e kaluar, kanë funksionuar mirë dhe pa ndonjë problem të madh teknik të gjitha blloqet edhe të termocentraleve Kosova A, edhe të Kosovës B. Kjo, sipas inxhinierëve të KEK-ut, është arritur në saje të remonteve të duhura në kazanët dhe turbinat e termocentraleve të realizuara me radhë gjatë muajve të verës.

Meqenëse edhe gjatë këtyre muajve të verës janë realizuar punë të mira të “freskimit” të stabilimenteve të termocentraleve, sidomos në remontet e turbinave të Kosovës B, ku tashmë ka përfunduar remonti thuaja kapital i turbinës së njërit bllok, që ka zgjatur rreth 3 muaj, dhe po vazhdon remonti i njëjtë në bllokun tjetër, po shpresohet për një siguri të gatishmërisë teknike të termocentraleve të stërvjetruara edhe në dimrin e pritshëm.

Gjthsesi, po qe se remontet e deklaruara publikisht jane bërë siç është deklaruar nga zyrtarët dhe sipas standardeve të njohura, do të jetë një ndihmesë për të pasur më shumë rrymë dhe për të zbutur mungesat evidente që paraqiten në muajt e acartë në konsumin e Kosovës.

Më saktësisht, nuk ka dilemë se edhe në dimrin 2023/2024, Kosova do të ketë mungesë të ndjeshme të energjisë elektrike për nevojat e konsumit vetanak. Kapacitet vendore, edhe nëse punojnë ritmikisht dhe pa ndërprerje (Kosova B me të dy blloqet prodhon 520 megavatë-orë, ndërsa Kosova A me të tre blloqet e gatshme dhe aktualisht në prodhim, prodhon gjithsej afro 400 megavatë-orë, plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme), nuk përmbushin në muajt e ftohtë të dimrit nevojat e shtuara të konsumit që di të shkojë edhe deri në 1300—1400 megavatë – orë. Dhe, shpërputhja e madhe të përmbushjes së nevojave të konsumit vendor nga prodhimi i termokapaciteteve ekzistuese (termocentraleve Kosova A dhe Kosova B), që përkthehet në mungesën e madhe të energjisë elektrike gjatë ditëve të ftohta dimërore, sidomos në dhjetor, janar dhe shkurt, doemos do të zbutej goxha nga ‘freskimi’ i termocentraleve dhe nëse do të ketë ujëra në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit, nga energjia e huazuar nga KESH-i.

Kjo, pak a shumë, pritet të jetë gjendja reale në sistemin elektroenergjetik të vendit në muajt e ftohtë të dimrit. Restriksionet do të jenë të paevitueshme, edhe nëse termocentralet punojnë në mënyrën më ideale të mundshme dhe nëse një sasi e mungesës së energjisë elektrike, po qe se mbushen liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit në Shqipëri, do të vie si këmbim me KESH-in, ose si kthim i huas-rrymës së deponuar nga KEK-u në KESH gjatë muajve të verës. Por, edhe nëse do të ketë reduktime më të zbutura të energjisë elektrike, detyrimisht Kosova duhet të importojë një sasi jo të vogël të rrymës me çmime frikshëm të larta.

Fundja, dihet, e kanë shumë të qartë edhe autoritetet se Kosova do të evitonte restriksionet dhe importimin e shtrenjtë, vetëm po të ndërtonte kapacitete të reja prodhuese të energjisë elektrike, ndërtimi i të cilave me arsyetime jo shumë bindëse po prolongohet me vite të tëra. / Buletini Ekonomik /