Lajmet e dhimbshme për lëndimet dhe vdekjet në vendet e punës vazhdojnë të ndodhin në Kosovë, madje më shumë dhe më së shumti që nga paslufta. Edhe nga Sindikata e punëtorëve të sektorit privat, thonë se 2023-ta, deri më tash, është viti më i rëndë që nga paslufta, për nga numri i rasteve me fatalitet që kanë ndodhur në vendet e punës. 18 punëtorë kanë vdekur vetëm nga janari i këtij viti në vendin e tyre të punës. Ndërtimtaria del të jetë sektori që ka shkaktuar më shumë vdekje të punëtorëve në vendin e punës.
Buletini Ekonomik
Kosova vazhdon të thyejë rekorde të zymta dhe të dhimbshme në përpjekjet e individëve, jo rrallë të egra dhe pa zgjedhur mjete, për t’u pasuruar dhe nga inferioriteti i pakuptueshëm institucional.
Sivjet, në bazë të të dhënave konkrete, lëndimet në punë, por edhe humbja e jetës gjatë angazhimit ditor në procesin e punës nuk është pakësuar fare. Lajmet e dhimbshme për lëndimet dhe vdekjet në vendet e punës vazhdojnë të ndodhin në Kosovë, madje më shumë dhe më së shumti që nga paslufta.
Edhe nga Sindikata e punëtorëve të sektorit privat, thonë se 2023-ta, deri më tash, është viti më i rëndë që nga paslufta, për nga numri i rasteve me fatalitet që kanë ndodhur në vendet e punës. 18 punëtorë kanë vdekur vetëm nga janari i këtij viti në vendin e tyre të punës. Nga Sindikata e Punëtorëve, duke e shfaqur haptazi shqetësimin, e ripërsërisin se që nga paslufta ky është një rekord “i zi” , është viti me më së shumti vdekje në vendin e punës. Ndërtimtaria del të jetë sektori që ka shkaktuar më shumë vdekje të punëtorëve në vendin e punës.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ka thënë për medie se gjendja është jashtëzakonisht shqetësuese. Sipas tij, punëtorëve nuk po u respektohet asnjë e drejtë.
“Gjendja është përtej shqetësimit sepse në rend të parë është se punëtori e humb jetën në vendin e tij të punës dhe në moment kur ky vdes, të gjitha të drejtat që duhet t’i takojnë, siç u takojnë në vendet e tjera normale, tek në përfundon çdo gjë aty. Shqetësuese është sepse ne me dekada kemi kërkuar që në këto rast kur vdesin punëtorët në vendet e tyre të punës, ata vdesin duke u munduar që t’u sigurojnë mirëqenie sociale familjes së tyre dhe të kenë së paku një përkujdesje deri në përfundim të procesit gjyqësor”, ka thënë Azemi për medie.
Ai kritika pati edhe për proceset gjyqësore në këto raste. Azemi, duke u prononcuar për problemin në medie, hodhi dyshime që pronarët e kompanive po i përvetësojnë gjykatësit dhe prokurorët, pasi sipas tij në fund të procesit gjyqësor, punëtori po mbetet fajtor.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se nga janari i këtij viti e deri në muajin gusht, janë hapur 124 raste për veprën penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës”. Ndërsa, kreu i sindikatave të punëtorëve privat nuk pranë së apeluari tek institucionet e Kosovës për të ndërmarrë masa për të përmirësuar gjendjen, duke i ditur dhe duke i pasur parasysh të dhënat për shkaqet që në të shumtën e rasteve kanë shkaktuar vdekjet aksidentale.
“Shkaqet e vdekjeve janë pothuajse të njëjta: mosndjesia e kompanisë për rreziqet e punës që iu kanosën shumicës së punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, dhe si rrjedhojë mosndërmarrja e masave për të evituar aq sa është e mundur këto rreziqe, që nënkupton mosdisiplinimi i kompanive nga ana e institucioneve shtetërore, në radhë të parë nga inspektorati i punës, të cilët në terren, siç shihet nuk bëjnë asgjë”, ka thënë Azemi për medie.
Ai ka vërejtje dhe e bënë të dikskutueshëm numrin e vogël të inspektorëve të punës.
Por cilat janë shkaqet që shkaktojnë aksidentet e shumta në punë?
“Shkaqet që shkaktojnë aksidentet fatale, janë kryesisht mosrespektimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë nga kompanitë dhe ndërmarrjet e shumta. Skelet, në shumë raste, nuk vendosen sipas standardeve, nuk mbyllen dhe nuk bllokohen hapësirat me rrezikshmëri të lartë siç është hapësira para ashensorëve në ndërtim, hapësira para shkallëve dhe të tjera, si dhe mospaisja e punëtorëve me pajisje mbrojtëse”, ka thënë kryeinspektori i Punës.
Sipas të dhënave, 96 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në Kosovë, nga viti 2018 e deri më 2022. Sipas Inspektoratit të Punës, gjatë vitit 2022, numri i aksidenteve në vendin e punës ka qenë 394, ndërsa 15 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Ndërsa, sipas Policisë së Kosovës, nga fillimi i vitit e deri në muajin mars, janë të evidencuara 39 raste që kanë të bëjnë me veprën penale “asgjësimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, e që në tërë vitin e kaluar kanë qenë 177 raste të tilla. Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë.
Ndërkohë, përfaqësuesit e sindikatave, por edhe njohës të çështjeve të sigurisë së punëtorëve në vendet e tyre të punës, theksojnë se aksidentet, thuaja se shumica absolute e tyre, sikundër edhe rastet me fatalitet për jetën e punëtorëve janë kryekëputë pasojë e kushteve jo të mira në vendet e punës dhe sigurisë së pamjaftueshme në punë.
Çka dëshmojnë analizat e sindikalistëve?
Sipas vlerësimeve të sindikatave të bazuara në analizat e tyre, tani ndër shkaqet e cënimit të sigurisë në vendet e punës dhe të rritjes së rasteve të lëndimeve dhe të vdekjeve, është edhe mungesa e përvojës së domosdoshme tek shumë punëtorë rishtarë, që kanë zënë të punojnë kohët e fundit shpejtë dhe pa përfillur fare përvojën e domosdoshme që do duhej ta kenë punëtorët e sapoangazhuar. Kjo dukuri dhe praktikë e shumë kompanive, e sidomos të atyre në ndërtimtari, ka nisë të jetësohet pas ikjes së madhe të fuqisë punëtore të kualifikuar jashtë vendit dhe nevojës urgjente të kompanive dhe ndërmarrjeve për të plotësuar vendet e punës të mbetura vakante.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, rreth këtij problemi thotë se “një numër i madh i punëtorëve të kualifikuar e me përvojë dhe që e kanë njohur më mirë natyrën e punës tashmë kanë ikur jashtë vendit, tani pronarët e kompanive po marrin punëtorë të pa kualifikuar, dhe ata po dëshmohet se jo gjithëherë dhe jo sa duhet e njohin natyrën e punës. Në këtë mënyrë ka jo pak raste të aksidenteve, edhe fatale ndër to”.
Prandaj, sipas njohësve të këtyre zhvillimeve dhe të përfaqësuesve të sindikatave, në këto rrethana janë të nevojshëm më shumë inspektorë dhe shumë më shumë kontrolle në vende të punës. Mbi 455 mijë euro është shuma e gjobave të shqiptuara për 5 muaj, ndaj kompanive të ndryshme, për shkelje të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës.
Edhe në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) vlerësojnë nevojën e domosdoshme për të pasur më shumë inspektime, të ketë gjoba më të larta për ato kompani ose biznese, të cilat nuk u ofrojnë kushtet e domosdoshme dhe kushtet e nevojshme të punëtoreve. Sipas KMDLNJ-së, “ nuk është e qartë se edhe çka duhet për të ndodhë më e madhe, në mënyrë që institucionet të merren më seriozisht me këtë problem të mprehtë”.
Edhe në raportin vjetor të institucionit të Avokatit të Popullit thuhet se numri i aksidenteve në vendet e punës, që kanë përfunduar me fatalitet, mbetet i lartë dhe mjaft shqetësues.
“Në rast të vdekjes së punëtorit”, thuhet në raport, “familjet nuk gëzojnë ndonjë kompensim të domosdoshëm” që është i përcaktuar sipas legjislacionit që është në fuqi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. E vetmja rrugë për realizimin e përfitimeve financiare në këto raste mbetet procedura gjyqësore civile, e cila familjarëve të viktimave u merr shumë kohë, mund dhe kosto financiare.
Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: me Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës. Dënimet për punëdhënësit për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës dhe vdekjeve në punë, sipas këtyre ligjeve, janë nga 100 deri në 35.000 euro.
Po të kihen parasysh statistikat e rasteve fatale dhe numri i të lënduarve në vendet e punës, dalin të jenë joserioze deklarimet e bëra ditë më parë (12 korrik 2023) të ministrit të Financave, Hekuran Murati, “se është rritur numri i kontrolleve nga Inspektorati i Punës dhe po ndëshkohen shkeljet e evidencuara”.
“Shkeljet më të shpeshta të identifikuara nga inspektorët në terren kanë qenë: mungesa e kontratave të punës, moskompenzimi i punës jashtë orarit dhe pushimit vjetor, mungesa e skeleve apo vendosja e tyre në kundërshtim me ligjin për siguri dhe shëndet në punë dhe mungesa e pajisjeve personale mbrojtëse në veçanti tek punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë”, ka thënë Murati në një status në ‘Facebook’. Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, një ditë më pas (më 13 korrik 2023), i alarmuar edhe nga temperarturat enorme të larta dhe jo të zakonshme edhe për muajin korrik, ka bërë thirrje pronarëve të kompanive private që të kenë kujdes për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve “në këto ditë që po mbizotërojnë temperaturat e larta në vend’.
Ai, nëpërmjet një komunikate për media, po kështu, ka kërkuar nga kompanitë ndërtimore që të ndryshojnë orarin e punës dhe t’iu përshtaten temperaturave.
Në anën tjetër, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” me anë të një reagimi publik kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të përfshijë direktivat e Bashkimit Evropian në Ligjin e ri të Punës. Sipas Institutit, mospërfshirja e këtyre direktivave në Ligj dëmton të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve. Gjithsesi, këto raste do të ishin më të pakta numerikisht, po të zbatoheshin normat dhe standardet e domosdoshme të mbrojtjes së punëtorëve në punë. /Buletini Ekonomik/