Dimri i pritshëm, me shumë të panjohura rreth furnizimit të Kosovës me rrymë

Parashikimet për mungesa të paralajmëruara të energjisë elektrike në periudhën e dimrit në Kosovë, mbështeten në kapacitetet e stërvjetëruara ekzistuese të prodhimit në vend (tre blloqe të termocentraleve të Kosovës A dhe dy sosh të Kosovës B) dhe të kapaciteteve modeste të energjisë së rinovueshme. Sipas ekspertëve, sivjet nuk duhet pritur shumë as nga këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak të rënies së rezervave ujore në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit, por edhe për shkakun se sivjet deri në këtë kohë Kosova nuk ka arritur të deponojë në KESH ndonjë sasi për t’u përmendur të rrymës.

Mehmet GJATA

Parashikimet e njohësve të mirë të zhvillimeve energjetike, edhe të inxhinierëve me përvojë në KEK, të mbështetura, gjithsesi, në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës, por edhe të gjendjes së rezervave të ujit në Shqipëri, tani për tani janë pesimiste sa i përket furnizimit me rrymë të konsumit të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ftohta të dimrit të pritshëm. Shumica e zërave që janë të preokupuar me situatën elektroenergjetike në vend në muajt në vijim, parashohin se do të ketë mungesë evidente të energjisë dhe sipas tyre, do të ishte fat i mirë të ketë sa më pak mungesë dhe sa më pak restriksione të rrymës në këta muaj.

Parashikimet për mungesa të paralajmëruara nga ta të energjisë elektrike në muajt në vijim në Kosovë, mbështeten në kapacitetet e stërvjetëruara ekzistuese të prodhimit në vend (tre blloqe të termocentraleve të Kosovës A dhe dy sosh të Kosovës B) dhe të kapaciteteve modeste të energjisë së rinovueshme (parqeve të energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës si dhe të disa hidrocentraleve me kapacitet të vogël prodhues). Por, ekspertët sugjerojnë se sivjet nuk duhet pritur shumë as nga këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak të mungesës për muaj të tërë gjatë verës së të reshurave të shiut dhe rënies së rezervave ujore në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit, por edhe për shkakun se sivjet deri në këtë kohë Kosova nuk ka arritur të deponojë në KESH ndonjë sasi për t’u përmendur të rrymës, siç ndodhi vitin e kaluar, kur në këtë kohë rezervat e deponuara nga KEK-u në KESH tejkalonin 160 mijë megavatë orë.

Reklama e sponzorizuar

KEK-u pra, sivjet për shkak të renovimeve të detajuara dhe të stërzgjatura në blloqet e Kosovës B (aktualisht është në riparim tani e mbi tre muaj njësia B1 që e pasoi riparimin e B2-shit që zgjati njësoj) dhe të ruajtjes së freskisë së njësive të termocentraleve të stërvjetruara Kosova A për sezonin dimëror, praktikisht gjatë gjithë verës ka prodhuar vetëm rreth 500-520 megavat-orë rrymë, plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e rinovueshme. Kjo sasi e rrymës mezi ka përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës edhe gjatë muajve të verës, kur ky konsum është ndjeshëm më i vogël se sa dimrit. Prandaj, gjatë kësaj vere, Kosova nuk pati shumë energji elektrike, pos në raste dhe në orët e natës, për të deponuar atë në Shqipëri. Dhe, këto janë arsyet pse nuk duhet të llogaritet shumë në energjinë nga KESH-i gjatë sezonit të dimrit, edhe nëse përmirësohet situata e rezervave të ujit në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare.

Ndërkohë, që dihet se në vitin e kaluar, krahas dimrit të butë fare, energjia në sasi të madhe nga Shqipëria, që vinte si kthim borxhi, por edhe si huazim në muajt e fundit të dimrit të kaluar, ishte stabilizatori dhe shpëtimi për sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Prandaj, ekspertët nuk fshehin pesimizmin e tyre sa i përket furnizimit të konsumit të vendit në periudhën e acartë me energji elektrike.

Sipas tyre, edhe po qe se kapacitetet potencialisht të mundshme për të prodhuar në KEK, dy njësitë e Kosovës B dhe tre blloqet e Kosovës A, gjatë dimrit do të operonin thuaja në mënyrën ideale, pa ndonjë prishje të madhe teknike dhe pa ndonjë ndërpreje të gjatë, prap se prap do të ndihet mungesa e rrymës për shkak të rritjes enorme të shpenzimit dimëror. Llogaria për mungesë evidente të energjisë elektrike në këtë dimër del e qartë: Prodhimi vendor, tre blloqe të Kosova A (A3, A4 dhe A5, nëse rikthehet në prodhim ky i fundit), secili me kapacitet prodhues 130 megavat-orë, ose gjithsej rreth 400 megavatë dhe dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2), secili nga 260 megavatë, përkatësisht 520 megavatë gjithsej si dhe nja dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovuehme, do të bënin gjithsej 900 deri 1 mijë megavatë orë.

Ndërsa, konsumi i energjisë elektrike, për shkak të temperaturave të acarta që në Kosovën kontinentale tipike dijnë të mbajnë me javë të tëra, në dimrat e fundit ka shkuar në mbi 1.100 dhe 1.200 megavatë, dhe në raste ka tejkaluar edhe 1.300 megavatëshin. Pak a shumë, i bie që gjatë dimrit, në rrethanat më të mira Kosovës për ditë do t’i mungojnë nga 150-200 megavatë, ndërsa në rrethanat e këqija, kur kaplojnë ngricat dhe të ftohtit e madh, edhe 300 megavatë. Është çështje se a do të ketë Kosova para të mjaftueshme për të importuar këtë sasi të rrymës, kur përvojat nga vitet e fundit, sidomos pas shpërfaqjes së krizës globale energjetike, na kanë bërë me kohë me dije, se çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare në ditët e ftohta di të jetë “i kripur” dhe në stratosferë.

Sido që të jetë, importi i energjisë elektrike gjatë shumë ditëve të dimrit që po vjen do të jetë i kushtëzuar, doemos. Alternativë tjetër për ta zbutur mungesën e rrymës dhe importin e papërballueshëm gjatë dimrit mbetet, gjithsesi, kursimi dhe përkushtimi i konsumatorëve për të racionalizuar shpenzimin e rrymës gjithkund ku është e mundshme. Shpenzimi racional i rrymës, ose kursimi i këtij produkti të shtrenjtë gjithnjë ku ka mundësi të bëhet, mbetet alternativa më e pranueshme, më e zbatueshme lehtësisht dhe me shumë efekte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike dhe në kursimin e parave të shtetit, të cilat do të shkonin në importimin e rrymës. Prandaj, kosovarët (sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm) duhet të jenë koshientë, të përgjegjshëm dhe të “dëgjueshëm” ndaj thirrjeve të zyrtarëve të shtetit dhe nëpunësve të kompanive prodhuese, shpërndarëse dhe të furnizimit për të kursyer energjinë elektrike.

Fundja, bota shumicë, edhe shtetet e fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, në njëfarë mënyre, më shpejtë se sa është parashikuar nga njohësit e rrethanave dhe më lehtësisht se sa është pritur, kanë pranuar “regjimin” e kursimeve, të restriksioneve të energjisë elektrike, duke sakrifikuar dhe hequr dorë nga jeta me energji të bollshme dhe nga maniret për të shpenzuar pafundsisht edhe rrymën. Duhet ta pranojmë edhe ne tashmë këtë mënyrë të re jetese, sidomos në muajt e dimrit, kur siç po paralajmërohet nga ekspertët, por edhe nga prodhuesit dhe shpërndarësit e rrymës në vend, se do të jetë “një dimër me goxha të panjohura”, por, gjithsesi, me mungesë të energjisë së bollshme elektrike. Dhe, nuk kemi zgjidhje tjetër. /Buletini Ekonomik/