Paga enorme që po merr Nagip Krasniqi nga burgu

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur Kryeshefin e pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Hoti ka thënë se ai vazhdon që të merr 50 përqind të pagës që thotë se i bie rreth 1700-1800 euro.

“Kryeshefi i KEK’ut është në paraburgim njeri, edhe du me prezumu pafajësinë për të, por ai vazhdon të mos shkarkohet dhe të merr 50 përqind të rrogës. 1700-1800 euro merr rrogë ai, e është në burg, në paraburgim. I pafajshëm derisa nuk ka vendim të gjykatës, por ai vazhdon të paguhet nga buxheti i shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Gazeta Insajderi një javë më parë raportoi edhe shumën e përafërt se sa ia ka marrë buxhetit të Kosovës nga ambientet e paraburgimit.

Sipas një përllogaritje të rrogës së përgjysmuar, Krasniqi i mori në total shtatë mijë euro falë vendimit që ia mundësuan KEK-u. Kjo, duke marrë nga 1,750 euro për katër muaj sa po qëndron në paraburgim.

Pagesa e njëjtë pritet t’i vijojë edhe në muajin shtator, meqë bordi i KEK-ut nuk duket se e ka ndërmend ta shkarkojë Krasniqin. Për Krasniqin, u caktua masa e paraburgimit për dy muaj në gjysmën e gushtit të këtij viti.

Krasniqi nga KEK-u, deri në momentin e pezullimit, i merrte 3500 euro në muaj si kryeshef i ndërmarrjes energjetike.