Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa, që financohet nga Bashkimi Evropian (BE).
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për zbatim të masës së efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit.
Thirrja publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi e banesa u hap ditë më parë. Me këto masa synohet mbështetja e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje. Pajisjet që do të subvencionohen janë: Pompa termike, kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën në formë elektronike, Qeveria po ashtu ka emëruar komisionin e pranimit për institucionet e administratës shtetërore për grupin specialist të farmaceutikës, Grupi Nr. 47 dhe komisionin e pranimit për institucionet e administratës shtetërore për grupin specialist i shëndetit/mjekësisë, Grupi Nr. 18.