Si e humbi shkëlqimin ekonomia “e artë” gjermane?

AP-REL

Për pjesën më të madhe të këtij shekulli, Gjermania korri suksese të njëpasnjëshme ekonomike, duke dominuar tregjet globale për produkte të nivelit të lartë, sikurse veturat luksoze dhe makineritë industriale, duke shitur aq shumë në pjesën tjetër të botës, saqë gjysma e ekonomisë varej nga eksportet.

Kishte shumë vende pune, fondet e Qeverisë u rritën, ndërkaq vendet e tjera evropiane u mbytën në borxhe dhe u shkruan libra se çfarë do të mund të mësonin shtetet e tjera nga Gjermania.

Reklama e sponzorizuar

Por, kjo nuk vlen më. Tani, Gjermania është ekonomia më e zhvilluar në botë që ka performancën më të keqe, me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian që kanë parashikuar se gjatë këtij viti ekonomia gjermane do të tkurret.

Kjo ndodhi pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe humbjes së gazit të lirë natyror të Moskës – një tronditje e paprecedent për industritë e Gjermanisë, që varen nga energjia. Ky shtet për një kohë të gjatë ishte fuqia prodhuese e Evropës.
Performanca e dobët e papritur e ekonomisë më të madhe në Evropë, ka nxitur një valë kritikash dhe debatesh për rrugën përpara.

Gjermania rrezikon “deindustrializimin” pasi kostot e larta të energjisë dhe mosveprimi i Qeverisë ndaj problemeve të tjera kronike kërcënojnë që të largojnë nga vendi fabrikat e reja dhe vendet e punës që paguajnë mirë, tha Christian Kullmann, shef ekzekutiv i kompanisë më të madhe kimike gjermane, Evonik Industries AG.

Nga kati i 21-të, ku gjendet zyra e tij në Esen në perëndim të Gjermanisë, Kullmann bëri me dorë nga simbolet e sukseseve të mëhershme ekonomike në rajonin industrial të Luginës Ruhr: tymi që dilte nga fabrikat e metalit, minierat gjigande të qymyrit që tashmë janë mbyllur, një rafineri masive të naftës dhe një ndërtesë për prodhimin e kimikateve.

Këto ditë, rajoni që më herët kishte miniera, ku tymi i qymyrit mjegullonte qiellin, tani është simbol i tranzicionit të energjisë dhe është mbushur me turbina të erës dhe hapësira të gjelbra.

Turbina me erë në Gjermani.
Turbina me erë në Gjermani.

Humbja e gazit të lirë natyror rus që përdorej për fabrikat, “në mënyrë të dhimbshme ka dëmtuar modelin e bizneseve të ekonomisë gjermane”, tha Kullmann për Associated Press. “Ne jemi në një situatë kur po prekemi shumë – po dëmtohemi – nga forcat e jashtme”.

Pasi Rusia ndërpreu shumicën e dërgesave të gazit të saj për në Bashkimin Evropian, duke nxitur një krizë të energjisë në 27 shtete të bllokut që siguronte 40 për qind të karburanteve nga Moska, Qeveria gjermane i kërkoi kompanisë Evonik të mbante në funksion termocentralin me qymyr edhe për disa muaj. Ky termocentral ishte ndërtuar në vitet ’60.

Kompania po heq dorë nga uzina me qymyr – që prodhon plastikë dhe mallra të tjera – dhe do të kalojë në prodhimin me dy gjeneratorë me gaz, që më vonë do të mund të funksionojë me hidrogjen. Ky tranzicion është pjesë e planeve që të mos emetojë karbon deri më 2030.

Një zgjidhje shumë e debatuar: një tavan për çmimet e rrymës që do të përdorej nga industria, e që do të financohej nga Qeveria në mënyrë që ekonomia të kalojë nëpër tranzicionin e energjisë.

Propozimi nga zëvendëskancelari Robert Habeck nga Partia e Gjelbër u përball me rezistencë nga kancelari gjerman, socialdemokrati Olaf Scholz, dhe nga partneri i koalicionit, Demokratët e Lirë, të cilët janë pro bizneseve. Ambientalistët kanë thënë se ky plan vetëm do të prolongojë varësinë ndaj karburanteve fosile.

Kullmann e mbështet këtë qëndrim: “Ishin vendime të gabuara politike që kryesisht ndikuan në këto kosto të larta të energjisë. Dhe tani nuk mund të jetë po ajo industri që kishte Gjermania, pasi punëtorët tani po e paguajnë çmimin”.

Çmimi për gaz është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me vitin 2021, duke dëmtuar kompanitë, pasi atyre u duhet të përdorin këtë lëndë që ta mbajnë të shkrirë 24 orë në ditë metalin në mënyrë që të prodhojnë qelq, letër apo pajisje metalike që përdoren për ndërtesa dhe vetura.

Goditja e dytë për ekonominë gjermane ndodhi pasi partnerja kryesore tregtare, Kina, po përjeton një ngadalësim, pas dekadash të rritjes së madhe ekonomike.
Këto tronditje të jashtme kanë vënë në pah se defektet në themelet e Gjermanisë ishin injoruar gjatë viteve kur shteti kishte sukses ekonomik, përfshirë edhe përdorimin e vonuar të teknologjisë digjitale në Qeveri dhe biznese, por edhe proceset e gjata për miratimin e projekteve të energjisë së ripërtërishme, që janë shumë të nevojshme.

Efektet e tjera negative: Paratë që Qeveria kishte në dorë erdhën pjesërisht për shkak të vonesave në investimet në rrugë, në rrjetin e hekurudhave dhe për mbulimin e zonave rurale me internet të shpejtë. Një vendim i vitit 2011 për të mbyllur centralet bërthamore të mbetura në shtet tani është vënë në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve lidhur me çmimet dhe mungesën e energjisë. Kompanitë po përballen me mungesë të punëtorëve të kualifikuar, teksa në mbarë shtetin janë hapur pothuajse 2 milionë vende të reja pune.

Dhe, varësia nga Rusia për furnizim me gaz përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore – që u ndërtua gjatë udhëheqjes së ish-kancelares Angela Merkel, por që është mbyllur për shkak të luftës – me vonesë, Qeveria gjermane e pranoi se ishte gabim.

Tani, projektet e energjisë së pastër janë ngadalësuar për shkak të burokracisë së madhe. Po ashtu, sipas rregullave duhet të ketë distancë të caktuar nga shtëpitë e banuara dhe turbinat e erës dhe kjo ka bërë që në rajonin e Bavarisë të ndërtohen shumë pak turbina.

Projekti për një linjë elektrike – në vlerë prej 10 miliardë eurosh – që sjell energji të prodhuar nga era për industrinë në veri dhe jug të Gjermanisë po përballet me vonesa të kushtueshme për shkak të rezistencës nga politikanët, të cilët po kërkojnë që linjat elektrike të futen nëntokë. Kjo nënkupton se projekti do të përfundojë më 2028, e jo siç ishte parashikuar më 2022.

Subvencionet e mëdha të energjisë që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po u ofron kompanive që investojnë në SHBA, kanë ngjallur zili dhe alarm në Gjermaninë, që ka mbetur pas në zhvillimin ekonomik.

“Ne po shohim një konkurrencë nga qeveritë në mbarë botën për teknologjitë më tërheqëse të së ardhmes – tërheqëse nënkupton më fitimprurëse, teknologji që forcojnë rritjen ekonomike”, tha Kullmann.

Ai përmendi vendimin e Evonik-ut për të ndërtuar një fabrikë në vlerë prej 220 milionë dollarësh për prodhimin e lipideve – një element kyç për vaksinat kundër COVID- 19 – në Indiana të SHBA-së. Miratimet e shpejta të projekteve dhe deri në 150 milionë dollarë subvencione nga autoritetet amerikane kanë bërë ndryshimin, pasi në këtë drejtim zyrtarët gjermanë nuk bëjnë shumë, tha ai.

“Do të doja të shihja më shumë pragmatizëm në Bruksel dhe Berlin”, tha Kullmann.

Ndërkaq, kompanitë që varen nga energjia po tentojnë të përballen me çmimet e larta të saj.

Drewsen Spezialpapiere, kompani që prodhon letra dhe produkte të tjera prej letre, bleu tri turbina të erës dhe i vendosi pranë fabrikës në veri të Gjermanisë, në mënyrë që të mbulojë rreth një të katërtën e kërkesës për energji, teksa kompania po largohet nga përdorimi i gazit natyror.

Kompania Schott AG, e specializuar për prodhimin e produkteve nga qelqi ka eksperimentuar me zëvendësimin e gazit me hidrogjen për rezervuarët e saj për prodhimin e qelqit, për të cilin kërkohen temperatura deri në 1.700 gradë celsius.

Ky eksperiment funksionoi, por vetëm në një shkallë të vogël, pasi hidrogjeni transportohet përmes kamionëve. Sasi të mëdha të hidrogjenit që prodhohen përmes energjisë së ripërtërishme dhe transportimi i tij përmes tubacioneve, ende nuk ekzistojnë.

Scholz ka kërkuar që tranzicioni i energjisë të “marrë hov” në Gjermani, teksa shteti pas shkëputjes nga gazi rus me urgjencë ndërtoi katër terminale lundruese për gaz natyror. Gazi i lëngshëm natyror vjen në terminale përmes anijeve nga SHBA-ja, Katari dhe gjetkë. Ky është produkt më i shtrenjtë sesa gazi që Gjermania merrte përmes tubacioneve nga Rusia, por Gjermania është detyruar të furnizohet me të.

Megjithatë, mospajtimet mes partnerëve të koalicionit qeverisës për çmimin tavan për energjinë dhe për një ligj që ndalon përdorimin e furrave të reja për gaz, kanë zemëruar biznesmenët.

Kullmann nga Evonik-u i cilësoi propozimet e reja të Qeverisë – përfshirë lehtësimet tatimore për investitorët që synojnë të reduktojnë burokracinë – si “fashë”.

Gjermania u vetëkënaq gjatë “dekadës së artë” të rritjes ekonomike në vitet 2010-2020. Rritja u bazua në reformat e kryera nga kancelari Gerhard Schroeder në periudhën 2003-2005, reforma që ulën kostot e punës dhe rritën konkurrencën, tha Holger Schmieding, shef i ekonomistëve në bankën Berenberg.

“Perceptimi lidhur me fuqinë e Gjermanisë mund të ketë kontribuar po ashtu në marrjen e vendimeve të gabuara për të hequr dorë nga energjia bërthamore, për ndalimin e gazit natyror dhe për t’u varur nga gazi rus”, tha ai. “Gjermania po paguan çmimin për politikat e saj energjetike”.

Schmieding, që në një analizë të vitit 1998 e kishte quajtur Gjermaninë “të sëmurën e Evropës”, tha se ky cilësim më nuk qëndron, duke pasur parasysh nivelin e ulët të papunësisë dhe financat e forta të Qeverisë. Këto, sipas tij, i mundësojnë Gjermanisë hapësirë për të manovruar, por po ashtu ulin presionin që shteti të bëjë ndryshime.

Ai tha se hapi më i rëndësishëm që duhet të bëhet menjëherë është që t’u jepet fund paqartësive lidhur me çmimet e energjisë, edhe pse një çmim tavan, sipas Schmieding, do të ndihmonte edhe kompanitë e mëdha, jo vetëm ato të vogla.

Cilado politikë që do të vendoset “do të ishte një ndihmë e madhe nëse Qeveria do të mund të merrej vesh shpejt për to, pasi kompanitë duhet të dinë se çfarë po bëjnë dhe si të planifikojnë punën e tyre në rrethanat në shtet, në mënyrë që të mos vonojnë vendimet për investime”, tha ai.