Kombinimi i gazit natyror dhe hidrogjenit në prodhimin e energjisë elektrike u testua për herë të parë në termocentralin e gazit Donaustadt në Vjenë, me një përmbajtje hidrogjeni prej 15 për qind. Ky është testi i parë i këtij lloji në botë, njoftuan autoritetet e Vjenës.
Në testim me vlerë dhjetë milionë euro, përveç kompanisë vjeneze energjetike Wien Energie dhe asaj Austriake Verbund, marrin pjesë edhe kompanitë gjermane RheinEnergie dhe Siemens Energy.
Siç vlerësuan ata, testimi është i një rëndësie evropiane dhe globale, sepse më shumë se pesë turbina Siemens Energy CCGT, të cilat përdoren në Vjenë, janë në funksionim në Evropë dhe më shumë se 360 në mbarë botën.
Me përfundimin dhe vlerësimin me sukses të provës, turbina, siç presin, mund të marrë certifikimin e nevojshëm që në vitin e ardhshëm dhe më pas planifikohet të rritet përqindja e hidrogjenit në 30 për qind. Për përzierjen e përditshme të hidrogjenit, është e nevojshme, siç arsyetuan ata, të rritet kapaciteti prodhues i hidrogjenit të gjelbër, domethënë atij që krijohej nga burimet e rinovueshme të energjisë.
Ekspertët presin që prodhimi global i hidrogjenit të rritet gjatë dekadës së ardhshme dhe deri atëherë sasi të mjaftueshme të hidrogjenit të gjelbër do të jenë të disponueshme për përdorim në termocentrale dhe impiante industriale. Autoritetet e Vjenës filluan këtë vit ndërtimin e fabrikës së parë të elektrolizës në qytet.
Siç njoftuan ata, nga vjeshta do të prodhohen deri në 1300 kilogramë hidrogjen jeshil në ditë për përdorim në autobusë, për shitje privatëve apo për përzierje në një termocentral.
Strategjia urbane e hidrogjenit është një nga hapat e rëndësishëm, siç theksuan ata, në tranzicionin e qytetit me dy milionë banorë drejt neutralitetit të karbonit deri në vitin 2040. Për shembull, shtimi i 15 për qind të hidrogjenit të gjelbër do të kursente 33 mijë ton dioksid karboni (CO2) për vit.
Termocentrali Donaustadt i Vjenës, ku po bëhet testimi, prodhon 350 megavat nxehtësi dhe deri në 395 megavat energji elektrike. Në punën e kombinuar, ai arrin një efikasitet prej më shumë se 86 për qind.
Në vitin 2020, termocentrali prodhoi energji elektrike ekuivalente me konsumin e 850 mijë familjeve dhe ngrohje për më shumë se 150 mijë familje, thanë autoritetet e Vjenës. /Telegrafi/