Ari, pranë nivelit më të lartë në 2 muaj

Ari po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, por po tregtohet në nivelin më të lartë në 2 muaj e gjysëm, pasi përshkallëzimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit ka shtuar kërkesën e investitorëve për asete me risk.

Ndërkohë, investitorët po presin edhe fjalimin që do të mbajë shefi i Rezervës Federale, Jerome Poëell, më vonë gjatë ditës së sotme. Kontrata spot për arin po tregtohet në rreth 1950 dollarë për onz, niveli më i lartë që nga 1 gushti, ndërsa kontrata “futures” po tregtohet në rreth 1960 dollarë për onz.

Presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu angazhimin se do të ndihmojë Izraelin dhe palestinezët, gjatë vizitës që zhvilloi të Mërkurën. Por, deklarata e Biden se sulmi ndaj një spitali në Gaza mund të jetë kryer nga Hamasi bëri që të anulohen bisedimet që synonin parandalimin e përhapjes së konfliktit. Ari, i përdorur gjerësisht si një strehë e sigurt gjatë periudhave të pasigurisë politike dhe financiare, është rritur mbi 130 dollarë ose gati 8%, që kur preku nivelin më të ulët në shtatë muajt e fundit, më 6 tetor.

Reklama e sponzorizuar

Fokusi i tregut do të jetë në fjalimin e Jerome Powell në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut, për të mësuar më shumë mbi rrugën që do të marrin normat e interesit. Sipas një sondazhi të realizuar nga Reuters, ekonomistët parashikojnë se, Fed do të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në takimin e 1 nëntorit, por paqartësi ka për takimin e fundit të vitit.