Bursat europiane në nivelin më të ulët në 7 muaj

Bursat europiane po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm dhe po tregtohen në nivelin më të ulët në shtatë muajt e fundit, pasi sipas analistëve Powell nuk ishte shumë i qartë me të ardhmen e normave të interesit.

Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie me rreth 0.8%, ndërsa të gjithë sektorët janë në territor negativ. Sektori minerar realizon humbjet më të mëdha, në rënie me 2%.

Shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell deklaroi se inflacioni është ngadalësuar ndjeshëm në kohët e fundit, por është ende larg objektivit. Gjatë fjalës së tij në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut, Powell tha se banka qendrore është e vendosur në angazhimin e saj për të arritur një inflacion prej 2%. Por, ai nuk përcaktoi një rrugë specifike të politikës monetare, por gjithashtu nuk dha asnjë detaj nëse një rritje e mëtejshme e normës bazë të interesit ishte në tavolinën e diskutimeve.

Reklama e sponzorizuar

Investitorët do të monitorojnë nga afër edhe samitin që zhvillohet sot, mes institucioneve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, ku liderët do të takohen në Uashington për të diskutuar marrëdhëniet tregtare. Për sa i përket të dhënave të tjera, çmimet e prodhimit në Gjermani ranë me 14.7%, gjatë shtatorit me bazë vjetore, pas një rënie me 12.6% në gusht. Të dhënat sugjerojnë se presionet inflacioniste në ekonominë më të madhe në Europë po zbehen ndjeshëm. Rënia e çmimeve i atribuohet kryesisht bazës së lartë krahasimore, të shkaktuar nga nivelet e larta të çmimeve në vitin 2022 si rezultat i luftës në Ukrainë. /Scan tv/