Forcimi i Lekut e tkurri me 40 miliardë lekë portofolin e kredisë bankare në Shqipëri

Banka Qendrore e Shqipërisë

Forcimi i Lekut e ka tkurrur portofolin e kredisë për ekonominë shqiptare me 40 miliardë lekë deri në mesin e këtij viti.

Sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, kredia bankare në fund të 6-mujorit 2023 u rrit me 2% me bazë vjetore, ku kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë kredia afatshkurtër, kredia për individët dhe kredia në lekë.

Reklama e sponzorizuar

Kredia për individë është zgjeruar me ritme veçanërisht të shpejta gjatë periudhës dhe ndryshimi vjetor në fund të qershorit arriti në 8.1%. Kredia në lekë u zgjerua me 5.9%, ndërsa ajo në valutë e shprehur në lekë u tkurr me 2.5%.

Duke shtuar efektin statistikor të kursit të këmbimit, i cili ishte negativ për rreth 40 miliardë lekë, ndryshimi vjetor i kredisë në valutë do të llogaritej në 8.6% ndërsa ai i kredisë së përgjithshme rreth 7%.

Sipas analizës së fundit të Bankës së Shqipërisë, në kuadër të strategjisë së deeuroizimit, në mesin e këtij viti kredia në valutë të huaj përbënte 50.3% të portofolit total të kredisë së sektorit bankar në Shqipëri.

Megjithëse pesha e kredisë në valutë është në rënie (edhe për shkak të efektit statistikor të kursit të këmbimit), ajo ngelet në shumicë dhe forcimi i Lekut ka një ndikim të drejtpërdrejtë në tkurrjen e vlerës statistikore të portofolit.

Gjatë pjesës së parë të vitit 2023, mbiçmimi i shpejtë i kursit të këmbimit të Lekut ka ndikuar në tkurrjen e kredisë sidomos për industrinë përpunuese, sektorin e energjisë, atë të tregtisë dhe atë të informacionit dhe komunikacionit.

Në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, Euro u këmbehej me 106.44 lekë, në rënie me 10.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e Euros ka tërhequr në rënie edhe kursin e valutave të tjera kryesore ndaj Lekut.

Mbiçmimi i lekut gjatë periudhës, ka ndikuar në ngadalësimin e vlerës së raportuar të kredisë për bizneset dhe ka ndryshuar disi përbërjen sektoriale të saj. Kështu, stoku i përgjithshëm i tepricës së kredisë për bizneset, i shprehur në Lek, mbeti pothuajse i pandryshuar në krahasim me një vit më parë, ndonëse ndërkohë kredia në Lek u rrit me 4% dhe kredia në Euro, e shprehur në monedhën origjinale, u rrit me 9%.

Efekti i kursit të këmbimit ishte i ndjeshëm edhe në madhësinë totale të aktiveve të sektorit bankar. Bilanci i sektorit bankar u tkurr lehtë me 1% (rreth 13 miliardë lekë) krahasuar me fundin e vitit 2022, nën efektin statistikor të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut.

Në terma vjetorë, norma e rritjes së bilancit u ngadalësua në 3.2%. Duke qenë se rreth gjysma e bilancit të sektorit bankar përbëhet nga instrumente të denominuara në valutë, efekti statistikor i mbiçmimit të monedhës vendase ndaj valutave kryesore gjatë periudhës ka qenë i konsiderueshëm.

Pavarësisht se aktivet dhe detyrimet në valutë janë rritur më shpejt sesa ato në lekë, rritja e bilancit në valutë është frenuar nga efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut. Kjo ka bërë që pesha e zërave në valutë ndaj totalit të bilancit të mbetet pothuajse e pandryshuar.

Në terma vjetorë, aktivet në valutë u tkurrën me 1%, ndërsa detyrimet në valutë u zgjeruan me 1%. Por, nëse korrigjohen për efektin e ndryshimit të kursit të këmbimit, këto ndryshime do të ishin përkatësisht në rritje me 10% dhe 13%.

Nga ana e aktiveve në valutë, zërat me peshën më të madhe mbeten aktiviteti kreditues dhe investimet ndërbankare, ndërkohë që gjatë tre vjetëve të fundit është vërejtur rritje e peshës së investimeve në letrat me vlerë.

Nga ana e detyrimeve në valutë, struktura paraqitet më e qëndrueshme në vite dhe dominohet nga depozitat në valutë. Zërat e mësipërm kanë përcaktuar në masën më të madhe ndjeshmërinë e sektorit bankar ndaj ndryshimeve në kursin e këmbimit.

Efekti pakësues statistikor i kursit të këmbimit është ndjerë edhe mbi pjesën në valutë të  kapitalit të sektorit bankar, me një vlerë rreth 14 miliardë lekë. /Monitor.al/