KMDLNJ ngre shqetësim: Nga Kosova po largohen edhe qytetarët që kanë gjendje të mirë ekonomike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nëpërmjet një reagimi ka vlerësuar se numri i qytetarëve që po e lëshojnë Kosovën, nuk ka qenë asnjëherë më i madh sesa tani.

Sipas tyre tani nga Kosova po largohen edhe qytetarët që kanë gjendje të mirë ekonomike. “Përkundër të gjitha këtyre pengesave, asnjëherë nuk ka qenë më i madh numri i qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën sikur që po ndodhë tani. Më herët arsye për largim nga Kosova ishte gjendja e rënduar ekonomike ndërsa tani Kosovën po e lënë edhe ata me gjendje të mirë materiale”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë vlerësuar se pas 1 janarit të vitit 2024, kur do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën, ne vend do të ketë mungesë të punëtorëve.

Reklama e sponzorizuar

“Në Kosovë, pas 1 janarit 2024 do të ketë mungesë të madhe të punëtorëve vendin e të cilëve po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet evropiane”, thuhet në reagim, ku shtohet se vendin e tyre “po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet evropiane”.

Sipas KMDLNJ-së gjendja ekonomike në Kosovë nuk është përmirësuar aspak, krahasuar me rritjen e inflacionit, që sipas tyre është mbi 4.2%.

“Mund të thuhet se kemi përkeqësim për faktin se Kosova është vendi i vetëm në rajon ku pensionet nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Në vendet e rajonit, brenda 36 muajve kemi rritje të pensioneve së paku në 6-8 herë kurse në Kosovë brenda këtij afati shteti ka intervenuar dy herë duke i dhënë nga 100 euro shtesë”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre shteti nuk e trajton Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës si partner social dhe nuk po e përfillë asnjë kërkesë që e bënë shoqata.

Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se përfituesit e skemave sociale nuk janë aspak në gjendje më të mirë, madje nuk i mbulojnë as nevojat elementare.

“Nuk ka kategori sot në Kosovë, përveç politikanëve dhe përkrahësve të tyre që sigurojnë të ardhura me të cilën mund t’i përmbushin nevojat personale dhe familjare. Nuk mund të gjeni vend në rajon ku nuk ka pasur lëvizje apo intervenim të shtetit për të përballur këtë gjendje të rënduar ekonomike sikur që po ndodhë në Kosovë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas tyre në këtë kohë po ndjehet një mungesë e punëtorëve “sidomos e një profili të kualifikuar të cilët kanë shkuar të punojnë në shtetet perëndimore”.

Këto shtete në kohën kur po përballen me mungesën e punëtorëve kanë krijuar rrethana lehtësuese për këto profile duke krijuar mungesë të punëtorëve në shtete nga rekrutojnë punëtorë.