Ministri i Bujqësisë: Niveli i keqpërdorimeve ka qenë më i madh në grante se subvencione

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në një intervistë për Telegrafin, ka folur për keqpërdorimet me grante dhe subvencione, hapjen e afatit për përkrahjen e fermerëve dhe kthimin e pronave të uzurpuara të kësaj ministrie.

Peci duke folur për keqpërdorimet në përkrahjen e fermerëve nga kjo ministri dhe skandalet e arrestimeve të disa zyrtarëve , ka thënë se niveli i keqpërdorimeve ka qenë më i madh në kategorinë e granteve sesa të subvencioneve.

“Një ditë para se të filloj fushata janë ndarë 10 milionë euro pa disponueshmërinë e mjeteve. Gjatë viteve të fundit në këtë ministri ka pasur skandale të mëdha, sidomos në vitin 2018. Organet e rendit kanë edhe dëshmi në bazë të informacionit që kanë për këto arrestime, për ato biseda, për dakordësime për shifra monetare që i kanë ndarë. Niveli i keqpërdorimeve është më i madh në kategorinë e granteve sesa të subvencioneve”, thekson Peci.

Reklama e sponzorizuar

Ai tregon se drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë e ka marr me 40 milionë euro borxhe, duke i përfshirë edhe nga Programi për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

“Subvencionet nuk munden të hyjnë në borxhe. Pagesat mund të realizohen brenda vitit fiskal. Efekti në ekonomi nga subvencionohet nuk vërehet dhe është dallim i madh me investimet dhe projektet zhvillimore. Ministrinë e Bujqësisë e kam marr me 40 milionë euro borxhe. Këto janë në kategorinë e subvencioneve të viteve 2018, 2019 dhe 2020. Borxhe ka pasur edhe nga Programi për Rimëkëmbjen Ekonomike, ku qeveria paraprake ka marr vendim që të dyfishoj subvencionet”, tregon ai.

I pari i bujqësisë shprehet se arrestimet e rastit “Subvencionet” ka dëmtuar imazhin e sektorit të bujqësisë.

“Fatkeqësisht kjo ka ndikuar në imazhin e institucionit. Ky imazh e ka dëmtuar shumë sektorin e bujqësisë. Kosova është vendi i fundit i rajonit që nuk i ka plotësuar kriteret IPARD për të pasur qasje në fondet e IPA-së. Vendet e tjera, për dy vite i kanë fituar 100 milionë euro nga fondet e IPA-së. Nëse flasim për rastet kur një fermer i ka pasur 2 ose 3 hektarë grurë dhe në afërsi të asaj sipërfaqe 20 hektarë pyje ose mal dhe të gjitha ato parcela janë llogaritur si grurë”, shprehet Peci.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për gjendjen në bujqësi, ligjet që do të procedohen në Qeveri për këtë sektor si dhe për rolin e Listës “Guxo” në Qeverinë Kurti dhe zgjedhjet lokale të 17 tetorit.