Në Kosovë, për dallim nga vendet e tjera të rajonit, pensionistët sikur nuk janë pjesë e shoqërisë. Pensionistët e Kosovës vazhdojnë të anashkalohen nga shteti e pushteti, të mostrajtohen fare, as si qytetarë të margjinalizuar madje. Ata thjesht sikur nuk ekzistojnë në Kosovën aktuale. Nuk ka lëvizje fare tani e sa kohë (lexo vite) në rritjen e pensioneve në Republikën tonë, derisa në të gjitha shtetet e rajonit sado pak ka ndodhur rritje e pensioneve në disa raste dhe më shpesh në periudhën e pas krizave globale dhe të brendshme si rrjedhojë e ngritjes astronomike të çmimeve.
Mehmet GJATA
Të gjitha shtetet e rajonit sado pak kanë rritur pensionet në periudhën e paskrizave në disa raste. Edhe Shqipëria, dy-tre ditë më parë, përkatësisht në mbledhjen e fundit të Qeverisë ka ngritur pensionet për 767 mijë pensionistë të të gjitha kategorive në masën 8,6 për qind, ndërsa vendimi nis zbatimin në 1 tetor. Duhet potencuar se gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri, vendi që krahas Kosovës, shquhet me pensione fare të ulëta, megjithatë janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%.
Krahas këtyre rritjeve, Qeveria e Shqipërisë, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fund vitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të garantojë përmes bashkëpunimit me Postën Shqiptare sh.a. dhe bankat tregtare zbatimin e plotë të këtij vendimi për të gjithë individet përfitues. Disa herë në muajt e fundit kanë ngritur pensionet edhe Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Maqedonia e Veriut, sipas medieve, për 330.000 pensionistët i korrigjon pensionet dy herë në vit, me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, që pastaj sigurohet edhe rritje e vazhdueshme e të hyrave pensionale.
Ndërsa në Kosovë, pensionistët sikur nuk janë pjesë e kësaj shoqërie si në vendet e tjera të rajonit. Pensionistët e Kosovës vazhdojnë të anashkalohen nga shteti e pushteti, të mostrajtohen fare, as si qytetarë të margjinalizuar madje. Ata thjesht sikur nuk ekzistojnë fare në Kosovën aktuale, për të cilën, shumica e tyre, e dedikuan një jetë të tërë. Nuk ka lëvizje fare tani e sa kohë (lexo vite) në rritjen e pensioneve në republikën tonë.
Kryeministri Albin Kurti, sado që gjatë fushatës së tij zgjedhore, kishte premtuar se Programi i tij qeverisës, që në vitin e parë do të përfshinte reforma për skemën pensionale edhe sociale, këtë premtim tashmë e ka harruar fare. Reforma në skemën pensionale nuk ka ndodhur as pas dy vitesh. Sipas njohësve të zhvillimeve në sistemin pensionist të vendit, reformat pensionale dhe sociale janë paraparë edhe në programin qeverisës 2021-2025. Por, deri tash ato nuk kanë ndodhur, as që kanë nisur të ndodhin brenda këtyre dy viteve.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, jo një herë ka alarmuar se “as kjo Qeveri nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë fushatës për pensionistët”. Ai tha se pensionistët nuk i pyet askush, ndërsa Ministria e Financave ka refuzuar vazhdimisht që t’i përfshijë në proces. Gashi ka theksuar jo një herë publikisht se nga Qeveria kërkojnë që pensionet të rriten në bazë të shkallës së inflacionit.
Sipas tij, “më shumë se gjysma e parave që pensionistët marrin shkojnë në barna, kështu që atyre u mbetet fare pak për ushqim e nevoja të tjera të jetës”, kurse, në Kosovën e varfër, tashmë po gjenden para për të gjitha shtresat e shoqërisë, qoftë për ngritje pagash, qoftë dhuratë një mujore, dhe më shumë mujore, parash kesh nga shteti), pos pensionistëve. Për pensionistët, për rreth 200 mijë sish, sa ka Kosova sipas të dhënave, (prej tyre rreth 49 mijë janë kontributpagues, ndërsa 149 mijë janë pensionistë ‘të pleqërisë”, mbi moshën 65 vjeçare me pension mujor prej 100 eurove), nuk ka asnjë vëmendje nga Qeveria, e as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët duhet pyetur se a e dijnë fare se në këtë shoqëri ka edhe të moshuar që me vite të tëra punuan për këtë vend dhe tani në pleqëri nuk kanë mjaftueshëm as për të ngrënë, as për t’u mjekuar, e mos të flasim për të kaluar pleqëri të dinjitetshme.
Nuk iu bie ndërmend për ta as institucioneve të tjera që do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë, askund tjetër në botë, as në Europë dhe as në rajon. Kudo, edhe në vendet më të varfëra, ose që janë në të njëjtin stad për nga potenca financiare me Republikën tone (siç janë përafërsisht vendet e rajonit) nuk margjinalizohen në këto përmasa, siç është bërë në vendin tonë në të gjitha vitet e pasluftës dhe nga të gjitha qeveritë. Duhet thënë se në gjendjen e mjerë të pensionistëve kosovarë janë përgjegjëse të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës, pa dallim. Asnjëra nuk qe në gjendje kurrë që të aplikojë politika të përgjegjshme sociale, dhe me to të trajtojë sado pak dinjitetshëm pensionistët e këtij vendi. Dhe, siç po shihet, nuk bëri asgjë të vetme për pensionistët as Qeveria Kurti 2, e cila ka lënë deri më tash këtë kategori qyterash të vet në gjendje të mjerueshme dhe thuaja të pashpresë për të mbijetuar dhe për ta mbyllur muajin me muaj. Sepse, si do të përmbyllen pensionistët kosovarë një muaj në rrethanat e dominimit të çmimeve astronomike edhe të produkteve elementare ushqimore, kur dihet se 100 euro, sa është pensioni i pleqërisë dhe ku futën pjesa dërmuese e pensionistëve të vendit, nuk del për të plotësuar nevojat më elementare të të moshuarve tanë.
Nuk del kjo shumë parash për të blerë barnat e domosdoshme të një pensionisti, të bëjë pagesën e shërbimeve komunale, të rrymës ujit dhe të mbeturinave, ndërsa për t’u ushqyer as mos të bëhet fjalë fare. Pensionistët që kanë ndonjë burim tjetër të ardhurash, ndonjë ‘injeksion’ financiar nga familjarët e tjerë, apo nga fëmijët që i kanë në diasporë, edhe mund t’ia dalin, por, të tjerët, thjesht e kanë tepër të vëshirë të mbijetojnë me pensionet ekzistuese. Pensionistët e Kosovës, tani në këtë situatë komplekse dhe të rënduar politike, për shkak të ngjarjeve në veri të vendit, janë të margjinalizuar fare. Janë të “harruar” nga shteti dhe pushteti dhe më kot ankohen, më së shumti në bisedat ndërmjet tyre. Ata, në këtë kohë, s’kanë kujt t’i shkruajnë dhe po duket që nuk kanë as ku ta shpërfaqin gjendjen shqetësuese të tyre. Vazhdon mospërfillja e mbijetesës së tyre, vazhdon të mos lëvizin tani e shumë kohë pensionet, ndërkohë që vazhdon vrullshëm dhe pandalshëm rritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore, rritja e çmimit të shërbimeve, paralajmërimet për çmime të reja të ngritura, dhe me këtë edhe për degradim tronditës të mirëqënies së pensionistëve kosovarë./Buletini Ekonomik