Azemi paralajmëron protesta ndaj komunës së Prishtinës për mosrritjen e pagave për punëtorët teknikë

Jusuf Azemi-Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka treguar për Ekonomia Online se janë në përgatitje të protestave ndaj Komunës së Prishtinës për shkak të mosrritjes së pagave për punëtorët teknikë.

Përderisa tha pas presionit të bërë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, kanë arritur që të ngriten pagat në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë për punëtorët teknikë. Sipas tij, bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe të Shëndetësisë ka qenë në nivelin e duhur.

“Tani jemi në prag të protestave në raport me Komunën e Prishtinës”, tha kryesindikalisti Azemi.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se kërkesat që i kanë pasur në raport me Qeverinë e Kosovës, gjegjësisht me Ministrinë e Shëndetësisë, për punëtorët nëpër spitale dhe me Ministrinë e Arsimit, për punëtorët teknikë që punojnë në Universitetin “Hasan Prishtina” janë realizuar ose janë në proces të realizimit.

“Derisa tek punëtoret e spitalit, paga e tyre nga 235 euro tash ka shkuar në 405 euro dhe tek punëtoret e Universitetit  të Prishtinës, pasi kemi caktuar datën për të hyrë në grevë kemi takuar zv.ministrin e Arsimit  dhe në fakt jemi dakorduar që kërkesat tona të realizohen… Mendojmë sikur sindikata tjera sindikatat publike që koeficienti i pagës duhet të jetë 130 euro”.

Edhe përkundër këtyre, ai u shpreh se nuk janë të kënaqur me realizmin e kërkesave nga ana e institucioneve përgjegjëse, duke shtuar se ikja e të rinjve po vazhdon, raporton EO.

“Nuk mund të themi se nuk kemi rezultate, por nuk po përmbushen aq sa e kemi pritur dhe sa kemi shpresuar se do të arrijmë rezultatet të caktuara sepse në kërkesat tona të arsyeshme të cilat gjithherë bazohen në ligjin e punës dhe ligjet tjera që kanë të bëj në raport punëdhënës. Realisht kemi statistika për vitet 2022, 2021, 2020 edhe ma herët po nuk kemi statistika për vitin 2023 ende”.