Bajrami thotë se Kurti po manipulon me shifrat për buxhetin

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po manipulon me shifra lidhur me projektbuxhetin për vitin 2024.

Sipas Bajramit, krahasuar me buxhetin e këtij viti, buxheti për vitin 2024 është më i madh për vetëm 91 milionë euro dhe se me këto para s’mund të ketë rritje të buxhetit nëpër sektorë aq sa ka deklaruar Kurti.

“Kah Kryeministër? Qysh po të del llogria me vetëm 91 milionë Euro më shumë? Këto janë manipulime me shifra, që të gjitha janë të pavërteta, sepse nuk ke mundësi me i pasë rritjet në sektorët e lartëpërmendur me vetëm 91 milionë Euro më shumë, andaj stop manipulimit se tashmë askush nuk i beson dhe sapo ta marrin dokumentin e projektbuxhetit do t’i demantojmë të gjitha”, ka shkruar Bajrami.

Reklama e sponzorizuar

Vlerën e koeficientit të pagave prej 110 euro, Bajrami e ka konsideruar si tallje me qytetarët.

“Koeicienti i pagave 110 Euro ështa tallje me qytetarë, rritje e koeficientit për vetëm 4.7% derisa inflacioni në shtator të vitit 2022 ka qënë 14.7% e në shtatorin e këtj viti 4.2%, dmth. rritja e koeficientit prej 5 euro as për se afërmi nuk e reflekton shkallën e inflacionit në vend. P.S. Nuk e kam parë ende projektbuxhetin për 2024, komenet i bëra në postimin e pabazë të Kryeministrit Kurti”, ka shkruar deputetja e LDK’së.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar dje projektbuxhetin për vitin 2024. Vlera e buxhetit do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro, derisa kryeministri Albin Kurti ka treguar për mjetet e ndara në secilin sektor.