Bordi i ndërmarrjes që i shpenzoi shtetit mbi 300 mijë euro pa punuar

Sa ishin në opozitë, funksionin e saj e kishin emëruar me termin “vrima e zezë”.

Madje, Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunikatë të vitit 2019, kishte deklaruar se krijimi i Ndërmarrjes së Re Energjetike do ta dëmtonte rëndë buxhetin në dekadat e ardhshme.

Ndonëse ka 3 vite që janë në pushtet, Qeveria që udhëhiqet nga Albin Kurti nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim që ta shuajë këtë ndërmarrje.

Reklama e sponzorizuar

NKEC ishte themeluar si ndërmarrje publike në vitin 2018, për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, nga Contour Global, projekt ky që tashmë është anuluar.

Për më tepër, gjatë këtyre 3 viteve, ajo ka harxhuar rreth 300 mijë euro për paga e shtatë anëtarëve të bordit.

Nga shoqëria civile po e kritikojnë qeverinë për mosveprim.

Pavarësisht kësaj, nga Ministria e Ekonomisë nuk kanë dhënë sqarime se pse kjo ndërmarrje nuk është shuar akoma.

Në krye të Bordit të kësaj ndërmarrje në qershor të këtij viti ishte zgjedhur Alban Krasniqi, ndërsa si anëtarë ishin caktuar Dhurata Gutaj, Ismet Vrapqani dhe Elvisa Destanoviq.

Kjo e fundit në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ka qenë edhe kandidate për asamble nga “Nisma e unitetit të Boshnjakëve”.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet publike, askush nuk mund të emërohet në një bord të një ndërrmarrje publike nëse 6 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti vendimmarrës në një parti politike.

Televizioni ka tentuar ta marrë një sqarim edhe nga Destanoviq, por ajo nuk ka qenë e qasshme në telefonin e saj.

E, Besart Zhuja nga instituti GAP thotë se ajo është duke e shkelur ligjin.

Kritika për qeverinë kanë edhe nga partitë opozitare.

Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës shpehet se po dëmtohet buxheti i shtetit.

Kritika për pagat në këtë ndërmarrje ishin përmendur edhe në raportet ndërvite të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Videon mund ta shikoni KËTU. /T7/