Revista e njohur globale e biznesit dhe ekonomisë “Forbes” do të nisë punën e saj edhe në disa shtete të Ballkanit Perëndimor duke filluar nga 14 nëntori. Vende të reja do të hapen në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Slloveni shkruajnë mediat në rajon.
Sipas mediave boshnjake e kroate platformat e reja do të jenë burim informacioni përkatës, por edhe frymëzim për ata që marrin vendime për realitetin ekonomik në rajonin e Adriatikut.
Lexuesit do të kenë qasje në përmbajtjen origjinale të FORBES në gjuhën e tyre, si dhe tregime ekskluzive për njerëzit nga ky rajon që iniciojnë ndryshime, transformojnë biznesin dhe bëjnë një ndikim të rëndësishëm në shoqëri.
“Portalet do të drejtohen nga redaktorë dhe gazetarë me përvojë, të cilët do të sigurojnë që përmbajtja lokale të jetë unike dhe të përshtatet me nevojat e audiencës. FORBES do të jetë një lojtar kyç në promovimin e arritjeve rajonale, kërkimin e inovacionit dhe dhënien e zërit të liderëve dhe sipërmarrësve që formësojnë të ardhmen e këtyre tregjeve”, shkruajnë mediat në rajon.
Me një prani në më shumë se 70 vende, FORBES është sinonim i gazetarisë ekonomike moderne dhe një kuptim të jashtëzakonshëm të mjedisit global të biznesit.
Lansimi i botimeve dixhitale në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Slloveni dhe Mal të Zi përfaqëson një hap të rëndësishëm në afrimin e burimit prestigjioz, mbarëbotëror të informacionit me kontekstin e biznesit lokal.
Por, aty nuk përmenden fare Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. /telegrafi/