Në KEK, performancë më e mirë edhe në prodhim të rrymës edhe të qymyrit se sa në vitin e kaluar

Zyrtarët e KEK-ut këto ditë, nëpërmjet bërjes publike të të dhënave rreth përmbushjes së planit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të qymyrit për periudhën nëntëmujore (janar-shtator), kanë paraqitur shifra konkrete që flasin për performancën goxha imponuese dhe më të mirë të termocentraleve dhe minierës sipërfaqësore të qymyrit në këtë periudhë krahasuar me periudhën e njëjtë të 2023-tës.

Skender Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, nëpwrmjet një teksti dërguar Buletinit Ekonomik, ka theksuar se “KEK gjatë 9-mujorit të këtij viti, me një performancë dukshëm më të mirë se vitin e kaluar ka arritur rezultate të shkëlqyera gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, duke përballuar me sukses sfidat që janë të ndërlidhura me teknologjinë e vjetër”.

Sipas Bucollit, rritja e prodhimit të energjisë elektrike dhe eksploatimi më i lartë i qymyrit kanë kontribuar ndjeshëm në performancën e përmirësuar.

Reklama e sponzorizuar

Në periudhën janar-shtator 2023, bruto prodhimi i energjisë elektrike ishte rreth 4.03 milionë megavatë-orë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky prodhim ka arritur në 4.6 milion MWh, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej rreth 14 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Po ashtu, siç thotë Bucolli, edhe prodhimi i qymyrit ka pasur një rritje të ngjashme. Në periudhën janar-shtator 2023, KEK ka eksploatuar 5.1 milionë tonë qymyr, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë eksploatuar 5.9 milionë tonelata, duke treguar po ashtu një rritje të prodhimit prej 15 për qind.

Një tjetër arritje të rëndësishme të KEK-ut në këta muaj, sipas Bucollit, është edhe shitja e tepricave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht janë në dispozicion gjatë orëve të natës, kur konsumi vendor është më i ulët. Shitja e tepricave gjatë periudhës janar-shtator 2023 ishte rreth 242,000 MWh, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë shitur 568,000 MWh, duke shënuar një rritje prej 135 për qind, ose rreth 326,000 MWh më shumë se vitin paraprak.

“Kjo performancë e shkëlqyer tregon qartë angazhimin e KEK-ut për të qenë një faktor kyç në furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për partnerët e saj afaristë dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik në vend”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut. /Buletini Ekonomik/