Pse autoritetet e Kosovës po heshtin për ndikimin evident të sanksioneve ekonomike nga BE-ja?

Pavarësisht se për efektet me ndikim në stopimin e shumë proceseve zhvillimore, nuk po flitet publikisht nga autoritetet thuaja në asnjë rast, ose po flitet fare pak dhe përciptazi, sanksionet e BE-së, pasojat e tyre, tani kanë zënë të shpërfaqen, sidomos në realizimin e afateve të programeve të ndryshme investuese.

Mehmet GJATA

Masat e aplikuara nga BE-ja (lexo sanksionet të shprehura në stopimin e shumë zotimeve financiare, ndaljen pa shpjegime të hollsishme të projekteve të shumta të mbështetura pjesërisht ose tërësisht financiarisht nga institucionet të ndryshme ndërkombëtare financiare), gjithsesi, që në ditët e para, kanë ndikuar në ritmet e zhvillimit ekonomik dhe në përmbushjen e shumë parashikimeve dhe të afateve konkrete të realizimit të projekteve të ndryshme investuese.

Pavarësisht se kjo nuk po thuhet publikisht, thuaja në asnjë rast, sanksionet e BE-së, pasojat e tyre, tani kanë zënë të shpërfaqen në shumë raste dhe momente, sidomos në realizimin e afateve të programeve të ndryshme investuese.

Reklama e sponzorizuar

Njohësit e rrethanave dhe burime të sigurta të Buletinit Ekonomik, nuk e fshehin dronë se nga këto masa ka pasoja jo të pakta Kosova, sidomos në sektorin e investimeve, e veçmas të investimeve të jashtme. Sipas tyre, sanksionet, ose masat, si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit, të aplikuara që në fillim të verës, kanë bërë që investitorët ndërkombëtarë të hezitojnë ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, madje edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, Emrush Ujkani, kohë më parë, për medien e vendit ka thënë se “se sa herë që bisedohet për mundësinë e ardhjes së ndonjë kompanie të huaj në Kosovë, mbizotëron tema e veriut.

Edhe Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se “Investitorët e huaj nuk e kanë parë me sy të mirë Kosovën në këta 24 vjet dhe, perceptimi i tyre vazhdon të rëndohet sa herë që ka tensione në pjesën veriore”.

Sipas tij, “në çdo takim me investitorë potencialë ndërkombëtarë, pjesa më e madhe e kohës shpenzohet në riparimin e dëmit që i bëjnë tensionet në veri imazhit të Kosovës”.S’do mend, se masat e Bashkësisë Ndërkombëtare që kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor, sado që në fillim u tha se nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ, apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, tashmë po i shpërfaqin pasojat e tyre. Thjesht, janë stopuar shumë fonde e financa të parapara e të zotuara për projekte konkrete, kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja për të suportuar financiarisht bizneset kosovare etj.

Një njohës i zhvillimeve në sektorin e investimeve, por që kërkon anonimitetin, është konkret kur nis e numëron projektet që janë stopuar si pasojë e masave. Sipas tij, edhe shtyrja e vazhdueshme e afateve nga ana e Ministrisë së Ekonomisë për pranimin e ofertave në ankandin e parë solar në Kosovë (me shtyrjen e fundit, afati për dorëzimin e ofertave për kompanitë është ndryshuar katër herë), është pasojë e sanksioneve ekonomike nga ndërkombëtarët.

Nga 15 gushti afati u ndryshua me 3 shtator. Pak kohë para përfundimit, afati ndryshoi sërish, këtë herë më 16 tetor. Krejt në fund, për herë të katërt, afati tani është përcaktuar për fund të muajit janar 2024.

Siç kanë raportuar mediat e Kosovës, lajmi për shtyerjen e ankandit nuk është mirëpritur nga pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar sqarime të plota mbi vonesat dhe informimin e publikut për secilin hap të këtij procesi.

Madje INDEP, nëpërmjet një komunikate për medie ka vu në dukje se “shtyrja e afateve kohore dëmton besueshmërinë e procesit dhe dërgon sinjale negative tek investitorët potencial dhe ofertuesit dhe kanë kritikuar Ministrinë e Ekonomisë e edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës se “nuk informojnë publikisht shtyerjet e këtyre afateve”.

“As edhe një herë të vetme, nuk është bërë publike shtyerja e afateve për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit, dhe informacioni i tillë bëhet i ditur vetëm përmes qasjes në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës. Pompoziteti i dhënë me rastin e lansimit të kësaj skeme mbështetëse, do të duhej që së paku të ishte transparent edhe përgjatë ndryshimeve të bëra në këto kohë”, thonë nga INDEP.

Ndërkohë, sipas deklarimeve të zyrtarëve, dihet se para dy – tre muajsh janë paraqitur rreth 200 pretendentë për të marrë pjesë në këtë ankand. Dhe ky numër pretendentësh, natyrisht, ka qenë më se i majfteshëm për të bërë përzgjedhjën e fituesit të ankandit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, edhe gjatë vizitës që ka zhvilluar në Francë dhe Gjermani, në fillim të këtij muaji ku sipas komunikatave të kësaj ministrie, ka takuar përfaqësuesit e kompanive nga fusha e energjisë (përfaqësuesit e Siemens Energy, SENS LSG GmbH, Gutami Solar Development International BV, JM ProjektInvest GmbH & Co. KG dhe GE, kurse në Paris ka takuar përfaqësuesit e Voltalia dhe Akuo Energy), me ç’rast ua ka prezantuar “Pakon Investive e Energjisë në Kosovë 2023-2025”, vetëm u shpreh se kjo Pako “ofron mundësi tërheqëse investimi për kompanitë e energjisë”, por pa thënë asnjë fjalë të vetme se si do të ishte e mundshme të jetë Kosova tërheqëse nën sanksionet që tashmë po dalin goxha të rënda dhe të ashpra.

Rizvanolli nuk e tha asnjë fjalë se si do t’i sigurojë Kosova 1.2 miliardë euro për të ndërtuar kapacitete 950 megavatësh, siç parashihet me “Pakon Investive të Energjisë në Kosovë 2023-2025”, nën ‘regjimin” e sanksioneve ekonomike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se sa i përket kapaciteteve gjeneruese, gjatë viteve 2023-2025 do të kontraktohen investime në vlerë 1.2 miliard euro, me anë të të cilave do të ndërtohen 950 megavat kapacitete të reja energjetike, përfshirë investime private, publike dhe publiko-private, por pa sqaruar mënyrën e sigurimit të këtyre mjeteve nën sanksione.

Rizvanolli, edhe në seancën e fundit të Kuvendit, ku u diskutua projektbuxheti për vitin 2024, pos që parashiikoi se “projekti i baterive me MCC-në do të fillojë të zbatohet pas 18 muajsh pas nënshkrimit të marrëveshjes, dhe se koha e zakonshme e fillimit të zbatimit të marrëveshjes është dy vjet pas nënshkrimit”, nuk foli për shkaqet e shtyrjes së zbatimit të këtij projekti të promovuar parreshtur tash e më shumë se 1 vjet. Po kështu, ajo nuk shpjegoi para deputetëve pse po shtyhet deri “në fund të vitit 2024 shpallja e procedurave për parkun solar prej 100 megavatësh në KEK dhe ngrohjen solare në Prishtinë, me kosto bashkarisht 180 milionë euro”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kështu, të martën (21 nëntor 2023) gjatë promovimit të fushatës “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”, pos që ka theksuar se “viti 2023 mund të përmbyllet me rritje ekonomike 3.8 për qind”, nuk e shpjegoi se si do të arrihet kjo rritje nën trysninë e ashpër nga masat ndëshkuese të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Sado që të gjithë e kanë të qartë ekzistimin e këtyre sanksioneve, por në njëfarë mënyre edhe efektet evidente të stopimit të nisjes, të vazhdimit dhe të përmbylljes së shumë projekteve si rrjedhojë e ndaljes tash e sa muaj të mjeteve financiare të zotuara nga investitorë potencial të jashtëm, por edhe nga institucione ndërkombetare financiare, është e pakuptueshme tendenca dhe përpjekjet e autoriteteve për të heshtur pasojat e këtyre sanksioneve. Ato janë, ato po veprojnë dhe po kanë ndikim imponues në proceset zhvillimore të Republikës. Prandaj, pse mos të flitet për to dhe për efektet qoftë edhe me shifra, të tyre? /Buletini Ekonomik/