Rizvanolli në Berlin: Bizneset gjermane të investojnë në Kosovë

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dje në Berlin është pritur në takim nga Anna Lührmann, ministre gjermane e Shtetit për Evropë dhe Klimë.

Me këtë rast, ministrja Rizvanolli i ka prezantuar ministres Lührmann “Pakon investive të Kosovës për energji 2023 – 2025”, e cila parasheh ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese e akumuluese prej 950 megavat përmes skemave konkurruese.

Tutje, ministret kanë diskutuar mbi hapat e ardhshëm për Partneritetin Klimatik mes Gjermanisë dhe Kosovës, thuhet në një komunikatë për media.

Reklama e sponzorizuar

Lührmann ka përgëzuar Rizvanollin për punën e bërë në Pakon Investive, e cila ofron mundësi tërheqëse investimi për kompanitë gjermane të sektorit të energjisë, duke filluar me ankandin e parë solar 100 megavat të Kosovës.

Ministrja Rizvanolli ka njoftuar që këto projekte konkrete mbështeten edhe nga puna e bërë në legjislacion, siç është rasti me Ligjin e Parë për Burime të Ripërtërishme të Energjisë, i cili është miratuar në Qeveri, e përmirëson edhe më tej ambientin për investime në Kosovë.