Shiu “përmirëson” prodhimin e energjisë në Shqipëri – rriten prurjet në Kaskadën e Drinit

Kaskada e lumit Drin

Përveç problemeve të shkaktuara me përmbytjet në disa zona, por edhe me rrjetin elektrik, rreshjet e ditëve të fundit kanë sjellë efekte pozitive për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, duke përmirësuar situatën hidrike në Kaskadën e lumit Drin.

KESH bëri me dije për TV SCAN se nga paraditja e të premtes, kur nisën reshjet ka pasur rritje të konsiderueshme të prurjeve, por ato janë të menaxhueshme dhe kaskada është në operim normal. Po ashtu, korporata deklaroi se nuk pritet dhe nuk parashikohet të ketë shkarkime nga portat apo tunelet, pasi nuk parashikohen prurje të mëdha. Paralelisht, sipas KESH janë marrë masa paraprake që në këtë event të mos ketë shkarkime.

Përmirësimi i situatës në Kaskadë vjen pas një periudhe jo shumë të favorshme nga pikëpamja hidrike gjatë mujave të fundit, që ka detyruar Korporatën të importojë energji, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Ndërkaq, moti i keq ka shkaktuar një sërë problemesh në drejtim të furnizimit me energji elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike reshjet e shiut dhe shkarkesat atmosferike sollën avari në disa pjesë të rrjetit elektrik, si rrëzim apothyerje shtyllash, prezencë uji në kabina, këputje përcjellësi në linjat ajrore, etj.

Gjithsesi, sipas përditësimit të fundit nga OSHEE linjat e tensionit të lartë 35kV dhe nënstacionet kanë punuar rregullisht, ndërsa linjat që furnizojnë objektet e rëndësisë së veçantë janë në funksion të plotë. /Scan tv/