Çka nuk u tha në njoftimet e KESCO-s dhe të ZRRE-së për faturat e “fryra” të rrymës?

Cilat janë shkaqet pse “bumi” shpërthyes i pakënaqësive me faturat ‘e fryra’ ndodhi tek tani në dhjetorin e 2023-së? Pse as KESCO, as ZRRE-ja dhe as ministria e Rozeta Hajdarit nuk u përgjigjën dhe as përgënjeshtruan akuzat e rënda “për vjedhje të konsumatorëve” dhe për “implikimet e bordit të ZRRE-së në favor të “KEDS-KESCO” dhe ato “për mos marrjen e masave dhe matjen e intensitetit të kalibrimit të orës dixhitale”?

Mehmet GJATA

Faturat ‘e kripura” të muajit dhjetor për shpenzimin e energjisë elektrike, që realisht janë shqetësuese dhe madje tronditëse për konsumatorët kosovarë, për njohësit e rrethanave nuk janë edhe aq të papritura, sado që janë drastikisht të larta dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqënien e kosovarëve shumicë të varfër. Sepse, duhet ditur që nga 2021-shi, në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është ngritur tre herë, (më 2021 një herë dhe më 2022 dy herë, në shkurt dhe në prill) për të arritur nivelin mbi qind për qind më të shtrejtë se sa para 2021.

Reklama e sponzorizuar

Ata që nuk kanë harruar e kanë të qartë se më 2021, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat-orë gjatë një muaji, është ngritur 115 për qind. Ndërsa, pastaj në shkurt të 2023-tës, çmimi i energjisë elektrike është ngritur edhe përafërsisht 30 për qind, ndërsa në prill të 2023-tës edhe përafërsisht 15 për qind, për të arritur që për konsumatorët shpenzues mbi sasinë 800 kilovat-orë, që nga prilli i 2023-tës një kilovat-orë të kushtojë afro 15 centë, ose saktësisht 14,45 centë. Dhe, ky çmim është frikshëm i lartë, është rrënqethës dhe tronditës për kosovarët e varfër, të cilët paguajnë çmimin shumë më të lartë akoma me shëndetin e tyre si pasojë e prodhimit të 95 për qind të rrymës nga qymyri ndotës dhe jo në pak raste edhe vrasës për shumë kosovarë, pavarësisht tendencave të KEDS-KESCO-s, por edhe të përkrahësve institucional të kompanisë turke të distribucionit të rrymës, për të vlerësuar si çmim ndër më të ulëtin në rajon dhe tendencave të vazhdueshme për të kërkuar pa ndalë çmime të reja të ngritura të rrymës.

Ndërsa, shkaqet pse “bumi” shpërthyes i pakënaqësive me faturat ‘e fryra’ ndodhi tek tani në dhjetorin e 2023-tës janë disa, të cilat do të shtjellohen në vazhdim. Në radhë të parë, sivjet, që nga pranvera, janë ndërprerë subvencionimet nga Qeveria për konsumatorët kursimtar, për ata që kanë kursyer energji elektrike”. Ndërkohë, për shkak të favoreve të subvencionimit, pjesa dërrmuese e qytetarëve vjet, në dimrin që shkoi, dhe sivjet, e riorientuan ngrohjen e shtëpive nga druri, peleti te ngrohja me rrymë, ndërsa përgjatë këtij dhjetori, pati edhe goxha ditë të acarta, që kushtimisht kanë rritur ndjeshëm shpenzimin e rrymës. Prandaj nuk është shumë i diskutueshëm njoftimi (shpjegimi) i KESCO-s kundrejt konsumatorëve të alarmuar për ‘fryrje’ të faturave se “tarifat e energjisë elektrike nuk janë rritur (lexo që nga 15 prilli 2023), por shumë konsumatorë po ngrohen me rrymë”.

KESCO pra, të martën, duke njoftuar konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave së fundmi, ka saktësuar se “Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023. Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve.”

Duhet shtuar se pos çmimeve zyrtare të shpjeguara më lartë, në Kosovë ka ndodhë, realisht, ngritje çmimi e pathënë dhe e paproklamuar me aplikimin e bllok-tarifave. Tani, ky fakt, në njëfarë mënyre shpjegohet edhe në njoftimin e KESCO-s ku thuhet se “ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh. Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh. Dhe, të gjitha këto çmime janë të shënuara në çdo faturë për konsumatorët”.

Pothujse identik me reagimin e KESCO-s është edhe shpjegimi i ZRRE-së, rreth faturave të kushtueshme të rrymës. Sipas ZRRE-s, pakënaqësitë me faturat e larta të energjisë elektrike, qytetarët i kanë shfaqur vetëm në rrjete sociale dhe asnjë prej tyre nuk i është drejtuar Zyrës së Rregullatorit për Energji. Dhe, sipas ZRRE-së, “rritja e vlerës së faturave në këtë muaj është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje”.

Sa i përket faturave të këtij muaji, nga ky institucion thonë se në të gjitha faturat e energjisë elektrike janë duke u aplikuar çmimet e vendosura me vendimin e ZRRE-së, të 30 marsit.

Por, KESCO dhe as ZRRE-ja, nuk patën përgjigje dhe nuk e thanë publikisht asnjë fjalë të vetme rreth akuzave të rënda, që nëpërmjet reagimeve publike i bëri të martën Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) dhe ekonomisti Bashkim Mustafa.

Konkretisht, KMDLNJ, të martën akuzoi KEDS-in “për vjedhje”, ndërsa ekonomisti Mustafa për “implikimet e bordit të ZRRE-së në favor të KEDS-KESCO” dhe ndaj ministres Rozeta Hajdari, “për mosmarrjen e masave dhe matjen e intensitetit të kalibrimit të orës dixhitale”. Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.

KMDLNj ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës “t’i bëjnë publike faturat e këtij muaji duke i krahasuar me ato të muajit paraprak sikur edhe të paraqesin kundërshtim në KEDS për këto fatura që janë thjesht vjedhje e parasë nga buxheti, edhe ashtu shumë i rënduar i shumicës së familjeve në Kosovë…”. Dhe akuzat e KMDLNJ-së, “për vjedhje klasike” në rastin e faturave “të fryra”, nuk u përgënjeshtruan fare nga subjektet e akuzuara. Është akuzë e rëndë kur një institucion, qoftë edhe joqeveritar akuzon një subjekt ekonomik, qoftë edhe pronar privat, për vjedhje. Prandaj, kanë qenë më se të domosdoshme ndonjë shpjegim nga të akuzuarit.

Nuk u tha asnjë fjalë, as nuk u përgënjeshtruan as akuzat edhe më të rënda kundrejt KESCO-s dhe ZRRE-së, të thëna publikisht nga ekonomisti Bashkim Mustafa, i cili ka akuzuar ZRRE-n, duke kërkuar madje edhe hetime ndaj këtij rregullatori, siç ka thënë ai, për “implikimet e bordit të ZRRE-së në favor të KEDS-KESCO” dhe ndaj ministres Rozeta Hajdari, siç ka thënë Mustafa, “për mosmarrjen e masave dhe matjen e intensitetit të kalibrimit të orës dixhitale dhe mbrojtjen e konsumatorit”.

Në reagimin e tij, Mustafa ka theksuar se “kalkulimi i kostos dhe metodat e llogaritjes nuk përkojnë me realitetin, kushtet dhe rrethanat e Kosovës dhe formula e llogaritjes së kostos ka qenë e gabuar”.

Akuza që del nga Mustafa rreth “matjes së intenzitetit të kalibrimit” (lexo si aludim të vjedhjes së konsumatorëve nëpërmjet kalibrimit të njehsorëve dixhital të rrymës të aplikuar nga KESCO), është shumë e rëndë kundrejt të akceptuarve në reagimin e tij, qoftë edhe si aludim i Mustafës, prandaj, si në rastin e KMDLMJ-së, do të duhej ta kishte një përgjigje, përgënjeshtrim, apo sqarim nga KESCO dhe nga ministria e Rozeta Hajdarit.

Ndërsa reagimet publike të disa përfaqësuesve të subjekteve politike dhe të dy-tre deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë me diskurs të tejdukshëm politik, që nuk ia vlen të merremi me to.

Qëndrimi i redaksisë së Buletinit Ekonomik është kaherë i ditur qartësisht: problemet e ndjeshme dhe me ndikim në mirëqenien e qytetarëve, në asnjë mënyrë nuk duhet të shpjegohen të ndikuara politikisht dhe sipas preferencave politike, por realisht dhe ashtu siç janë. Të gjithë ata, që duan t’i shfrytëzojnë ‘faturat e shtrenjta’ të rrymës politikisht, do të ishte shumë më mirë dhe do të ishin shumë më të efektshëm po ta kundërshtonin ngritjën tre herë brenda një viti e gjysmë të çmimit të energjisë elektrike dhe po shpjegonin me kohë për efektin e rritjes së heshtur dhe të pa proklamuar të çmimit të rrymës nëpërmjet bllok-tarifave. /Buletini Ekonomik/