Kompania kosovare për furnizim me energji elektrike – KESCO – i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit ngritje të serishme të tarifave.
Në aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin tarifor 2024-25, për mbulimin e të cilave barrën kryesore e kanë konsumatorët fundor, KESCO ka kërkuar që Rregullatori t’i aprovojë të hyra më ta larta sesa aktualet.
Mes tjerash në arsyetimin e rritjes eventuale te kostove, kjo kompani përmend propozimin e KEK-ut për rritje të çmimit të furnizimit me shumicë në 31.5 euro për megavat orë.
“Pa paragjykuar arsyeshmërinë e ofertës, me aplikimin e çmimeve të propozuar nga KEK kostot për konsumatorët fundor do të rriten për 6 milion €, apo një rritje prej 2% të MAR”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.
Në kontekstin e rritjes së kostove, KESCO flet për ndikimet e nevojës për import të energjisë.
Pas shqyrtimit të aplikimeve të pranuara nga KESCO, KEDS dhe KOSTT, Zyra e Rregullatorit për Energji duhet të përpilojë raportin konsultativ i cili do të qartësojë nëse një kërkesë e tillë do të përfillet.
Në KESCO nuk u përgjigjën lidhur me këtë çështje. Por, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, e vlerëson të dëmshme ngritjen eventuale të tarifave.
“Sa pashë kostoja u rritë për shkak të importit. Sa i përket përballueshmerisë, duhet të bëhet analizë. E vetmja formë që nëse vërtetohet se tarifa nuk është e përballueshme, është subvencionimi i tarifës. Por kjo është me rrisk të lartë, sepse nënkupton se është rritje artificiale, që nënkupton se në të ardhmen ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut”, thotë Bujupi.
Ai nuk përjashton mundësinë e që ZRrE-ja të refuzojë këtë kërkesë.
“Është mirë të pritet vendimi i ZRRE-së. në të kaluarën KESKO ka prezantuar koston e tyre, por ZRRE ka vendosur ndryshe. Kështu, pas vendimit të ZRRE-së shpjegohet rritja e tarifave”, shtoi tutje ai.
Vendimi përfundimtar nga Rregullatori pritet të nxirret para fundit të muajit Mars.
Në dy shqyrtimet e fundit, 2022 dhe 2023, janë ngritur tarifat e energjisë./atvlive.tv/