Komisioni i Pavarur i Mediave i ka pranuar 316 ankesa nga qytetarët e pakënaqur me ndryshimin e paparalajmëruar të listës së kanaleve televizive nga operatorët e shpërndarjes. Lidhur me këto raste, në KPM e lanë të hapur mundësinë që në rast të konstatimit të shkeljeve, kabllorëve t’u shqiptohet gjoba maksimale, në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Në ankesat e deponuara nga qytetarët, kërkesë më e shpeshtë rezulton të jetë shkëputja e kontratave me kabllorët, pa u dëmtuar.
Jeton Mehmeti, kryetari i Bordit të KPM-së, ka paralajmëruar shqyrtim të shpejtë të secilës ankesë, e në rast të evidentimit të shkeljeve nga kabllorët nuk e ka përjashtuar zbatimin e gjobës më të lartë, në vlerë prej 100 mijë eurosh.
“Për fat të keq, deri më tani po flasim për disa shkelje të cilat janë të parapara në rregulloret tona e që janë mos-njoftimi i Komisionit të Pavarur për media për ndryshimin e listës së kanaleve, mosnjoftimi i qytetarit për ndryshimet që pritet të ndodhin – pra, ky njoftim duhet të ketë ndodhur 30 ditë përpara dhe mbase mund të flasim edhe për një cenimi të rregullores që ka të bëjë me komunikimet komerciale e që parasheh se reklamimi mashtrues që çon në dëmtim ekonomik të qytetarëve është i ndaluar”, tha Mehmeti.
Ai paralajmëroi takim me përfaqësues të ARKEP-it për harmonizimin e rregulloreve që i specifikojnë të drejtat dhe obligimet e qytetarëve, si dhe të kabllorëve në kontrata.
“Besoj që duhet të diskutojmë edhe më tutje mbi këtë çështje në mënyrë që ato që ne i quajmë të bashkuara, pra ku edhe interneti edhe televizioni ofrohen në një vend të jenë të qarta dhe në mënyrë që kontratat që nënshkruan konsumatori të jetë shumë specifike dhe aty ku probleme me cilëndo prej këtyre industrive të ketë përgjegjësinë e konfirmimit të shkeljes ose jo rregullatori specifik”, tha Mehmeti.
Kontratat që qytetarët i lidhin me kabllorë i referohen Rregullores së ARKEP-it nga viti 2018, që e përjashton shkëputjen e atyre me afat prej 12 muajsh pa dëmshpërblimin e operatorit po qe se nuk kalojnë nëntë muaj.
Në ARKEP konfirmuan se janë në koordinim me KPM-në rreth rregullimit të çështjes, pas ankesave nga konsumatorët.
“Duke qenë të vetëdijshëm për faktet e referuara më lart dhe marrë për bazë numrin e ankesave gjithnjë e në rritje të konsumatorëve, ARKEP-i e ka konsideruar të nevojshme që të adresohet kjo çështje dhe të vendosen dispozita të caktuara, të cilat përfshijnë të drejtën e konsumatorëve për ndërprerjen e kontratave të kombinuara për secilin element të saj, duke përfshirë edhe kanalet televizive. Sidoqoftë, duke pasur parasysh kompetencat e ARKEP-it në këtë çështje dhe me qëllim të adresimit sa më të shpejtë të saj, ne kemi realizuar disa takime me përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), institucion ky përgjegjës për shërbimet audiovizuale, për të rregulluar edhe më tej çështjen e kontratave të konsumatorëve me ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes”, thuhet nga ARKEP.
Por në ARKEP nuk saktësuan se kur do të parashihet ndryshimi i Rregullores së 2018-s për Kontratat, Transparencën dhe Publikimin e Informatave, dhe masat e tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë.