Gratë në sektorin e mirëmbajtjes: Paga të ulëta e shkelje të drejtash

Në mungesë të gjetjes së ndonjë pune formale e me të hyra të mjaftueshme për mbijetesë, mijëra gra në Kosovë detyrohen që të bëjnë zgjidhje “të përkohshme” në sektorin e mirëmbajtjes. Pagesat minimale, punë pa kontratë, keqtrajtime, ngarkesë e edhe stres psiqik në vendin e punës, janë vetëm disa nga vështirësitë e një realiteti që mijëra gra kosovare ballafaqohen çdo ditë.

Mirjeta SHABANI

Lirija* është njëra prej grave punëtore, që punon si mirëmbajtëse në njërin prej reparteve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pjesë e një kompanie private të pastrimit, të kontraktuar për mirëmbajtjen e hapësirave të QKUK-së. Ajo përkujdeset për pastërtinë e të njëjtit repart prej gjashtëmbëdhjetë vitesh.

Si nënë e dy fëmijëve, ajo thotë se është detyruar që të angazhohet në ndonjë punë shtesë për të siguruar nevojat elementare për rritjen dhe shkollimin e tyre. E mungesa, siç thotë ajo, e arsimimit të lartë dhe e mundësive të ulëta të punësimit, e kanë shtyrë atë që të kërkojë punë edhe si mirëmbajtëse diku.

Reklama e sponzorizuar

Lirija thekson se në përgjithësi gratë në këtë sektor, sidomos në qendrat spitalore, punojnë në kushte shumë të rënda.

“Kushtet i kena shumë të këqija, tmerr janë, as nuk ta bjen materialin me pastru sa duhet, as nuk ki pagesë qysh duhet. Si ndërrimi i natës, si i ditës, të njojtën pagë e kena, s’kena naj pagesë ma shumë dallim, as për festa që punojmë s’marrim send, as për vikende, as hiç-hiç. Punojmë 12 orë të plota, prej 7-ve në 7. 12 orë punë pa u pagu asni cent ma shumë, janë tepër. Qat rrogë 280 euro e ki në fund të mujit edhe qaq”, shprehet e indinjuar ajo.

“Rroga simbolike”, siç e quan ajo pagën prej 280 eurove, sipas saj është përbuzje për gratë e këtij sektori, pasi siç thotë ajo, tani në Kosovë me këto para nuk mund t’i plotësosh as gjysmën e nevojave mujore që i ka çdo familje.

Lirija tregon se prej fillimit të punës së saj, ajo gjithnjë ka punuar me kontratë dhe i është paguar gjithmonë Trusti, mirëpo për gjashtëmbëdhjetë vjet sa ka përvojë pune ajo në këtë sektor, vetëm njëherë i është rritur paga, nga 220 në 280 euro. Kurse, prej asaj rritjeje që daton nga vitet 2008-2009, ajo thotë se as nuk kanë kërkuar më rritje pagash, e as që kanë guxuar si kolektiv të ankohen diku, pasi gjithmonë kanë qenë të kërcënuara për largim nga puna.

“Nuk kam kërku kurrë rritje të pagës e as nuk jam anku kërkun, se as që të marrin parasysh, veq e rrezikon vendin ton t’punës. Prej tutës që i qesin prej pune, krejt punëtoret këtu punojnë qashtu edhe nuk bajn za”, vazhdon ajo, duke kërkuar që të ngritet sa më shumë çështja e pagave të ulëta dhe e mosrritjes për më shumë se një dekadë.

Madje, as rrogën prej 280 eurosh, Lirija tregon se nuk mund ta marrë për vete tani, pasi para disa vitesh thotë se është detyruar që të hyjë në kredi për ndërtimin e shtëpisë, dhe tani këstin mujor e ka gjithsej 260 euro.

“Këstin e kredisë e kam 260. Krejt çka marr janë veq 20 euro, që as rrugën nuk më dalin me e pagu.”

Ajo përveç pagës së ulët, tregon edhe për kushtet e tjera të rënda me të cilat përballen mirëmbajtëset në QKUK çdo ditë.

“As ushqimi nuk na hjeket, as nuk kemi t’drejtë me u ushqye në kuzhinën e spitalit, po as transporti nuk na paguhet. Plus bajna punë edhe jashta atyne punëve që i kena n’kontratë, edhe kush s’nien për neve”, rrëfehet tutje Lirija.

Jeta sociale dhe ekonomike e shumicës së grave në Kosovë ka një histori të gjatë.

Shkalla e papunësisë në mesin e grave në Kosovë aktualisht është 18.9 për qind, apo shprehur në numra – gjithsej 25 mijë e 357 gra në moshë pune (15-64 vjeç) janë të papuna.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregun e punës, shkalla e pjesëmarrjes së grave në fuqinë e përgjithshme punëtore të vendit ka qenë vetëm 22.1% gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, në krahasim me meshkujt që përbënin 55.2% të fuqisë punëtore të angazhuar.

Ndërsa, shkalla e pjesmarrjes së grave në popullsinë joaktive përgjatë kësaj periudhe ka qenë në një shifër mjaft të lartë, prej 77.9 për qind.

Megjithatë, as këto të dhëna zyrtare që flasin për punësimin e grave, nuk paraqesin pasqyrën reale të tregut të punës në vend, pasi numri i grave që punojnë pa kontrata në sektorin e mirëmbajtjes dhe mbikëqyrjes nuk pasqyrohet askund.

Arbenita* është një grua tjetër nga Klina, e cila për gati 10 vite ka punuar si mirëmbajtëse nëpër shtëpi private, kryesisht në rajonin e Prishtinës. Mirëpo, kjo përvojë pune e saj nuk figuron askund, pasi gjithmonë ajo ka punuar pa kontratë.

Marrëveshja mes saj dhe pronarëve të shtëpiave, ajo thotë se është bërë gjithmonë vetëm me komunikim verbal.

Arbenita e kishte filluar këtë punë si studente që pas përfundimit të vitit të parë të studimeve Bachelor, kur edhe e kishte parë si të domosdoshme gjetjen e një pune, për t’ia hequr sado pak barrën e madhe babait të saj, i cili në të njëjtën kohë po i shkollonte edhe 5 fëmijë të tjerë, tre prej të cilëve në nivel universitar.

“Kushtet e randa në familje atëkohë, më kanë detyru që të punoj edhe si mirëmbajtëse nëpër shtëpia, këtu në Prishtinë. S’gjeja naj punë tjetër që mund t’i balancoja me ligjërata. Kurgja-kurgja, të paktën fitoja sa për shpenzimet e javës. Atëherë ka qenë lirë edhe konvikti edhe menza, mirëpo për kushtet tona me 6 fëmijë në shkollë, ka qenë bajagi sfidë për babën, sepse merreshim vetëm me bujqësi e shpenzimet ishin të mëdha”, rrëfehet ajo.

Arbenita tregon se në fillimet e punës së saj, ka pasur rast që është paguar edhe vetëm 5 euro për një ditë pune, por që për të, edhe ato 5 euro mjaftonin për ta kaluar javën në Prishtinë.

“I kom marr veq ka 5 euro (në ditë), shkojsha prej 9-ve deri në 2-3 masdite qaty dikun, krejt shpinë me e pastru d.m.th. Ama tani kadaldale, edhe t’u e msu punën, ja patën nis më pagujshin ka 15, masnej 20, tani edhe ka 25 deri 30 euro dita”.

Por, Arbenita, edhe pse është e shkolluar dhe ka diplomuar në Fakultetin Filozofik në drejtimin Sociologji, ende nuk ka gjetur punë në profesionin e saj. Ajo punon tani në një kompani të udhëtimeve, mirëpo thotë se paga e ulët në sektorin privat, e ka detyruar atë që të mos e ndërprejë punën si mirëmbajtëse ende, të paktën kur ka ditë të lira.

Siç thotë ajo, puna si mirëmbajtëse tani paguhet më shumë në Kosovë, të paktën kështu si punë vetanake nëpër shtëpi, pasi dita shkon deri në 30-35 euro aktualisht, varësisht prej hapësirës së shtëpisë. Sipas saj, tani nëse je e përkushtuar dhe punon vetëm ka tre-katër herë në javë, mund të fitosh deri në 250-300 euro në muaj, pothuajse njëjtë sa një rrogë në sektorin privat prej 8 orë pune çdo ditë.

Puna pa kontrata

Njëri ndër sektorët ku plot gra në Kosovë punojnë pa kontrata është pikërisht ai i mirëmbajtjes. Puna e tyre nuk figuron në asnjë regjistër shtetëror.

Në përgjithësi, në Kosovë ka të dhëna zyrtare shumë të pakta për numrin e grave që punojnë në sektorin e mirëmbajtjes, pasi shumica prej tyre punojnë pa kontrata të rregullta dhe nuk janë të regjistruara askund si punëtore. Kjo bën që të njëjtat të përjashtohen automatikisht edhe nga mbrojtja e të drejtave të tyre në vendin e punës, siç parashihet me Ligjin e Punës.

Duke u bazuar në mungesën e statistikave zyrtare për numrin e grave që punojnë pa kontrata në sektorin e mirëmbajtjes, nga institucione relevante që udhëheqin punëtorët e sektorit privat, vlerësojnë se mbi 40% e punëtorëve të mirëmbajtjes punojnë pa kontrata.

Jusuf Azemi nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat në Kosovë, thotë se sa i përket punëtorëve të mirëmbajtjes që i mbulon Sindikata, aktualisht rreth 95 përqind e tyre punojnë me kontrata të rregullta pune, ndërsa sa i përket të gjithë sektorëve në Kosovë, Azemi vlerëson se diku mbi 40 përqind e tyre janë ende të paformalizuar.

Kjo praktikë “e keqe”, punëdhënësve zakonisht iu kursen para dhe nuk mund t’i ndjekë më pas as ligji kur bëhet fjalë për (keq)trajtimin e punëtorëve.

Edhe sipas një raporti të vitit 2021 nga Instituti “Musine Kokalari”, që vë në pah mbështetjen qeveritare për punësimin e grave atë vit, thuhet se rreth 30% e grave nga të gjithë sektorët, punonin pa kontrata pune në Kosovë.

Ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë thënë për Buletinin Ekonomik se që nga fillimi i projektit për formalizim të punëtorëve, që ka nisur në nëntor 2021 e deri më 31 mars 2023, janë formalizuar vetëm 5 mijë e 449 punëtorë nga të dyja gjinitë.

“Formalizmi i punësimit ka filluar në nëntor 2021. Numri i punëtorëve të formalizuar me anë të projektit deri më 31 mars 2023, ka arritë numrin 5,449”, thuhet në përgjigjet e ATK-së.

Ndërkaq, në kërkesën për numrin e grave të formalizuara, specifikisht nga sektori i mirëmbajtjes, të njëjtit nuk kanë ofruar përgjigje.

Gratë që mirëmbajnë ndërtesat qeveritare, paguhen vetëm 170 euro në muaj

Sindikalisti Azemi ka pohuar për Buletinin Ekonomik se kanë ankesa të natyrave të ndryshme nga gratë që punojnë si mirëmbajtëse në institucionet publike, si nga ato në ndërtesat qeveritare, si nga ato që punojnë nëpër qendrat spitalore.

Ankesa kemi prej më të ndryshmeve, ankesa për pagën e vogël, ankesa për mosrespektimin e ligjit të punës, në të cilin hyjnë edhe plot ankesa tjera, duke përfshirë mospagesën me rastin e pushimeve, të zgjatjes së orarit, ndërrimit të natës etj”, thotë Azemi.

Në Kosovë, ka shumë gra të këtij sektori që paguhen edhe vetëm 170 euro për muaj, në shumën e pagës minimale. Ato kryesisht mirëmbajnë hapësirat e ndërtesave qeveritare.

Të njëjtat kontraktohen nga Qeveria e Kosovës përmes tenderimit publiko-privat, pasi të gjitha objektet e Qeverisë mirëmbahen nga kompani private të pastrimit. Këtë e ka konfirmuar edhe Azemi, që i përfaqëson këto punëtore.

“Kryesisht, punëtoret që marrin pagë nën pagën minimale janë punëtore të kontraktuara prej Qeverisë së Kosovës. Të gjitha institucionet, të gjitha objektet e Qeverisë së Kosovës janë të kontraktuara me kompani private, që Qeveria e Kosovës, po themi ia dirigjon që paga e punëtorit të jetë 170 euro, kurse për shpenzime tjera i thotë kompanisë caktoje shumën vet. D.m.th., në të gjitha objektet e Qeverisë, mirëmbajtëset marrin pagë vetëm 170 euro”, thekson Azemi.

Mosrespektimi i Ligjit të Punës “para syve” të Inspektoratit të Punës

Mosrespektimi i Ligjit të Punës, mungesa e kontratave, orët shtesë të punës të papaguara, ndërrimi i natës, mohimi nga pushimet javore e vjetore, si dhe privimi nga shtesat, janë disa prej problematikave më të mëdha që ka hasur edhe Inspektorati i Punës gjatë vitit 2022 në Kosovë.

Në bazë të raportit vjetor të Inspektoratit, gjatë vitit 2022 – shumica e inspektimeve janë bërë në sektorin privat, i cili priret më shumë për shkelje të të drejtave të punëtorëve në vendet e punës.

89.46% e inspektimeve më 2022 ishin pra në këtë sektor, kurse në atë publik vetëm 10.26%.

Sektori ku më së shumti janë bërë inspektime, ishte pikërisht ai i shërbimeve, ku bën pjesë edhe profesioni i mirëmbajtësve, me gjithsej 23.36% të inspektimeve totale nëpër sektorë të ndryshëm në vend.

Sipas këtij raporti, gjithsej 150 gra gjatë vitit 2022, ishin zënë duke punuar pa kontrata.

Nga të gjitha inspektimet, IP u ka dhënë vërejtje për përmirësim gjithsej 2 mijë e 741 rasteve inspektuese, derisa ka shqiptuar vetëm 359 gjoba përfundimtare.

Në pyetjet e Buletinit Ekonomik drejtuar Inspektoratit të Punës, rreth kontrollimit të punëtorëve të pastrimit, numrit të ankesave që të njëjtit dorëzojnë tek ta dhe shkeljet e dispozitave ligjore që iu bëhen atyre nga punëdhënësit, përgjigja e tyre ka qenë përgjithësuese.

“Për shkeljet e dispozitave të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, pala ankuese mund të drejtohet në Inspektoratin e Punës, organ ky i cili pas inspektimit të cilin e realizon në bazë të ankesës, dhe në rast se konstaton shkelje të dispozitave ligjore, atëherë sipas procedurës ligjore shqipton masën ndëshkuese-gjobë”, thuhet në përgjigjet e tyre.

E gratë e intervistuara nga Buletini Ekonomik kanë theksuar se asnjëherë nuk janë ankuar askund, madje as te Inspektorati i Punës, për shkelje të të drejtave të tyre në vendin e punës, për shkak të mos njohurisë që ekziston një institucion i tillë që mund t’ua mbrojë të drejtat atyre.

“Kena majt grevë 100 herë, kishe me i kërku do të drejta tonat, ama nuk na ka zgjat gjys dite, se s’na ka lanë kompania, na thojshin ja nisnja punës ja jeni të largume prej pune”, ka thënë Lirija nga QKUK.

Kurse, për rastet kur ata hasin në punëtorë që nuk kanë kontrata, nga Inspektorati kanë thënë se çdoherë kur konstatohet një praktikë e tillë, “IP vepron sipas procedurës ligjore, konkretisht për shkelje të dispozitës konkrete ligjore shqipton gjobën, vlera e të cilës është përcaktuar sipas UA nr.07/2012”.

Sipas këtij Udhëzimi, punëdhënësit që nuk i përfillin dispozitat e Ligjit të Punës, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen në punë të punëtorëve pa kontrata, mund të gjobiten nga 100 deri në 10 mijë euro.

Pastrimi, “punë e grave”

Shoqëria në vendin tonë, për vite me radhë e ka parë gruan shpeshherë si përgjegjëse për mirëmbajtjen e shtëpisë. Këto pritshmëri e norma shoqërore janë shtrirë edhe në raportet në punë, pasi përgjithësisht gratë dominojnë në marrjen e rolit të pastrimit dhe mirëmbajtjes.

Marigona Drevinja nga Instituti “Musine Kokalari”, thotë për Buletinin Ekonomik se arsyet e mbipërfaqësimit të grave në sektorin e pastrimit dhe mirëmbajtjes në Kosovë janë të shumëanshme, dhe nuk paraqesin përjashtim nga trendi global.

Drevinja ka listuar si arsye të mundshme së pari normat shoqërore në Kosovë, pastaj mungesën e mundësive për arsimim dhe për punë tek gratë, pagat e ulëta, punën fleksibile, moskërkimin e kualifikimeve specifike për këtë lloj pune, si dhe stigmatizimin.

Sipas saj, gratë në Kosovë rëndom përballen me mundësi të kufizuara për të hyrë në sektorë të tjerë të fuqisë punëtore, për shkak të disa faktorëve si: diskriminimi, arsimimi ose trajnimi i kufizuar dhe disponueshmëria e kufizuar e vendeve të punës për to. Prandaj, punët e pastrimit dhe mirëmbajtjes mund të shihen si një opsion më lehtë i arritshëm ose si opsion i vetëm për to. Si rrjedhojë e kësaj, Drevinja thekson se gratë janë më të gatshme të pranojnë punën si mirëmbajtëse edhe me pagesë të ulët, sepse kanë më pak alternativa për punë.

Shumë prej tyre, ajo thotë se nuk paguhen me kontrata të rregullta, dhe as nuk gëzojnë siguri në punë. Përveç mungesës së sigurisë në punë, atyre nuk iu paguhen as kontributet, e rrjedhimisht ka gjasa edhe të përfundojnë në shkallë më të lartë të varfërisë në moshë pensioni.

Përpos këtyre, sipas Drevinjës, gratë e pranojnë këtë pozitë të punës edhe për shkak të orëve më fleksibile të punës, pasi ato kanë edhe përgjegjësi familjare në të njëjtën kohë.

Ndërsa, sa i përket stigmatizimit, Drevinja pohon se burrat në Kosovë edhe mund të refuzojnë punën ose një mundësi të tillë pune, për shkak të stigmës së kësaj pune nga shoqëria. Kjo sepse burrat sipas saj, përqeshen nëse kryejnë punë të tilla dhe kjo përqeshje pastaj sjellë një sërë pasojash.

“Kosova është një shoqëri patriarkale, ku rolet tradicionale gjinore diktojnë pritshmëritë e caktuara për burrat dhe gratë. Nga gratë pritet që të kryejnë punët e shtëpisë, duke përfshirë pastrimin dhe mirëmbajtjen, gatimin, kujdesin ndaj fëmijëve dhe të tjerëve. Kjo pritshmëri kulturore mund të shtrihet edhe në vendin e punës, ku gratë shihen si më të përshtatshme për disa lloje të punës”, shton Drevinja.

Sipas saj, në Kosovë problemi kryesor qëndron më së shumti tek normat shoqërore, pasi të njëjtat mirëmbahen nga sistemi patriarkal shoqëror dhe transmetohen edhe tek gjeneratat e reja dhe të njëjtat zbatohen edhe në raportet në punë pastaj.

Siç e citon ajo një hulumtim nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, përgjithësisht në Kosovë fëmiun vajzë e mësojnë që të gatuajë e të pastrojë, pra me punë që kryhen brenda shtëpisë, kurse fëmiun djalë e mësojnë të punojë në kopsht, të blejë gjësende ushqimore, riparime etj. Pra, punët që kryhen jashtë shtëpisë ose që kërkojnë forcë fizike, ua mësojnë djemve.

Sipas këtij hulumtimi, puna që kryejnë gratë në shtëpi është “punë” e cila nuk vlerësohet, nuk matet dhe nuk është e përfshirë as në diskutimet mbi prodhimin ekonomik e as në dialogun social në vend.

“Sipas hulumtimit që kemi bërë, gratë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë duke kryer punë të shtëpisë dhe duke u kujdesur për fëmijët dhe të moshuarit. Ndërsa, burrat kalojnë rreth 3.5 orë në ditë në punë të ngjajshme, por me dallim në llojin e tyre (p.sh baballarët ju ndihmojnë fëmijëve në detyra të shtëpisë por shumë prej tyre nuk duan të ndërrojnë pampersin e bebave). Duke kalkuluar nëpërmjet formulës së kostos oportune, po të paguhej kjo punë, do të arrinte 33% të BPV të Kosovës”, shton tutje Drevinja.

Gjithashtu, punëtoret e këtij sektori ballafaqohen edhe me mungesë të sigurisë në punë, ekspozim ndaj kimikateve të ndryshme dhe /ose lëndime të mundshme apo ngarkesë të përgjithshme të punës fizike – që qojnë më pas edhe në implikime shëndetësore.

Por, përderisa shoqëria kosovare ka para vetes rrugë të gjatë që t’i çrrënjosë normat patriarkale, intervenimi i shtetit mbetet kyq që këto norma të mos normalizohen edhe në punën e përditshme—ku gratë si Lirija* e Arbenita* do të vazhdojnë të jenë të cënuara, pa siguri, me paga të ulëta dhe tërësisht të pambrojtura nga institucionet e shtetit.

 

Shënim:

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)