Ndikimi i bllok-tarifave te faturat e “fryra”

Për njohësit e ecurive të çmimeve të rrymës në Kosovë dhe ndikimit të madh të bllok-tarifave në këto çmime, “hilja” ZRRE-KESCO-qeveri me bllok tarifa do të shpërfaqej shumë më herët po të mos ekzistonin subvencionimet e shtetit për energjinë elektrike dhe plotësimi i kërkesave të shumta të KESCO-s me para kesh për rrymën e importuar.

Mehmet GJATA

Pavarësisht se autoritete të Kosovës dhe përfaqësues të KESCO-s, kompanisë turke për furnizimin e konsumit me energjisë elektrike, pas faturave “të fryra”, vazhdojnë të këmbëngulin se nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë, duke e gjetur fajtorin te konsumimi i lartë i energjisë nga konsumatorë të shumtë, faturat enorme të larta gjatë dhjetorit 2023 janë pasojë, natyrisht e konsumit të madh, por edhe çmimit të ngritur shumëfish deri më 2023.

Reklama e sponzorizuar

Edhe kryeministri Albin Kurti, pas vizitës në “Lagjen 29” në Fushë Kosovë, të bërë në prag të festës, e ripërsëriti se “shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”, duke shtuar se “nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRRE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike.

“Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë”.

Mirëpo, siç dihet shtrenjtim, madje pafundësisht të lartë dhe të papërballueshëm për shumicën e kosovarëve të varfër, pati disa herë deri më 2023. Dhe, ç’është më keq, pos ngritjes konkrete (të bëra publike përqindjet e shtrenjtimit) tre herë gjatë një viti e gjysmë me 2021 dhe 2022 (në muajin shkurt) dhe më 2023 (në prill), në shkurt të 2022-tës, subjektet vendimarrëse të ecurive të çmimeve të rrymës në Kosovë (ZRRE, KESCO dhe Qeveria) miratuan një ngritje të lartë të çmimit të energjisë elektrike, të fshehtë, me përqindje të paditur fare nga publiku, e që ishte aplikimi i bllok-tarifave, ose më mirë të thuhet rikthimi i tyre.

Ngritjen enorme të çmimit dhe të padeklaruar nëpërmjet bllok tarifave e rikonfirmoi shumë bindshëm KESCO në prag të ndërrimit të motmoteve, nëpërmjet zëdhënëses Margarita Rashiti, e cila duke shpjeguar arsyet e ndryshimit të faturave më të shtrenjta për muajin dhjetor, për medie tha se “qytetarët janë duke paguar aq sa kanë shpenzuar, nga afër 500 mijë konsumatorë të cilët deri në momentin që ne po flasim u janë lexuar njehsorët e tyre, 14% prej tyre kanë pranuar faturë mbi 100 euro, në ndërkohë 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100 euro. Pra po flasim për një % shumë të vogël të konsumatorëve që kanë pranuar fatura mbi 100 euro sepse aq kanë shpenzuar, po në anën tjetër ata që e kanë tejkaluar bllokun e parë mbi 800kWh atëherë padyshim që tarifa e lartë dhe e ultë është më e lartë sesa blloku i parë…”.

Pra, KESCO e rikonfirmoi se faturat “e fryra” janë pasojë e regjimit të pagesës së rrymës me bllok-tarifa, respektivisht me rikthimin e tyre. Ndërsa, për njohësit e ecurive të çmimeve të rrymës në Kosovë dhe ndikimit të madh të bllok-tarifave në këto çmime, “hilja” ZRRE-KESCO-Qeveri me bllok tarifa do të shpërfaqej shumë më herët po të mos ekzistonin subvencionimet e shtetit për energjinë elektrike dhe plotësimi i kërkesave të shumta të KESCO-s me para kesh për rrymën e importuar. Sepse, vrojtuesit e vëmendshëm duhet ta kujtojnë “hilen e tejdukshme” me bllok tarifa për të mashtruar konsumatorin – qytetarin e Kosovës, gjoja për rritje thuaja të vogël dhe të pavërejtshme të çmimit të rrymës, ndërkohë që propozimi real sipas të dhënave të publikura atëherë (kur u aplikuan bllok-tarifat) ishte i frikshëm, tronditës dhe i papërballueshëm për kosovarët e varfër.

Siç dihet, ZRRE në raportin e bërë publik pati propozuar që “niveli i konsumit mbi 600 kWh (më vonë niveli i konsumit u miratua të jetë 800 kWh), që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, të furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët (përfundimisht u miratua niveli i konsumit mbi 800 kWh)”.

Tek ky propozim qëndronte farsa dhe mashtrimi i vrazhdë i ZRRE-së, pasi që dihej botërisht, dhe këtë më mirë se ZRRE nuk e kishte të njohur askush, se kategoria e konsumatorëve që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat-orë në Kosovë (por edhe në të gjitha vendet në zhvillim) është numerikisht shumë e madhe. Praktikisht në këtë kategori hyjnë të gjitha ato familje që në shtëpitë e tyre kanë dhe përdorin një lavatriçe, një shporet elektrik, një bojler, një fshesë elektrike, një frigorifer dhe një pjatalarëse, gjegjësisht pajisjet e domosdoshme elektrike për një shtëpi normale modeste në Kosovë. Nuk po i llogaritim këtu fare numrin e familjeve që krahas pajisjeve elementare energjinë elektrike e shfrytëzojnë për ngrohje, në mungesë të alternativave për ta ngrohur shtëpinë e tyre.

Me fjalë të tjera, çmimi i propozuar nga ZRRE-ja prej 0.21 eur/centë kilovat-orën (tani çmimi i lartë i rrymës në Kosovë, ose çmimi për ata që shpenzojnë mbi 800 kWh është afërsisht 0,15 euro) përkthehej nga analistët dhe njohësit e rrethanave – dyfish çmim më i lartë dhe mbi 200 për qind ngritje çmimi. Të tjerat të dhëna që ZRRE në mënyrë pompoze I shpërfaqte në raportet me publikun ishin broçkulla, gënjeshtra dhe mashtrim i kosovarëve. Broçkullë tipike ishte edhe pohimi i ZRRE-së se “fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj”.

Edhe ZRRE sikundër edhe KESCO, i kanë pasur të ditura të dhënat se këta konsumatorë janë fare të paktë, thuaja margjinalë dhe të papërfillshëm. Janë fare të paktë kosovarët sot që nuk e kanë një shporet elektrik, ose një bojler.

Mashtrim ordiner dhe tërësisht në favor të KESCO-s ishte edhe pohimi i ZRRE-së në raport se “rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për €26.98, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me €50.89”. Sepse, po qe se një familje kosovare shpenzon 800 kWh do të paguajë së paku 160 euro në muaj për energjinë elektrike dhe në asnjë mënyrë sa thotë ZRRE-ja.

Njësoj dëshmohet edhe shuma që do të paguajnë kosovarët që do të shpenzonin 1 mijë kilovat-orë (që pak a shumë është mesatarja mujore e shpenzimit të konsumatorëve kosovarë të rrymës për një muaj, e dhënë kjo që potencohet në shumë hulumtime edhe nga KEDS-i) për një muaj, gjegjësisht rreth 210 euro në muaj.

Me fjalë të tjera, perfiditeti i ZRRE-së ishte shpërfaqur sheshazi edhe në përpjekjet e këtij institucioni për të fshehur bërjen publike të miratimit të bllok-tarifave nëpërmjet të folmes së tërthortë, me dykuptime. Megjithatë, vrojtuesit e vëmendshëm i patën vu re tendencat e ZRRE-së për të aplikuar bllok-tarifat, që në fakt, siç raportonte Buletini Ekonomik me këtë rast, ishte ngritje shumë më e lartë e çmimit të energjisë elektrike se sa kishte kërkuar vet KEDS-KESCO.

Me aplikimin e bllok-tarifave, ZRRE-ja, praktikisht kishte ngritur dy herë çmimin e rrymës: një herë rritjen e paralajmëruar prej 9 për qind (në fakt ZRRE gjithë herat kishte thënë se ndoshta do të ketë një ngritje prej 7 për qind) dhe rritja tjetër që është enorme dhe e paparë ndokund në këtë lartësi është rikthimi i bllok-tarifave ‘famëkëqija’, nëpërmjet të cilave ia ka çuar në pjatë çmimet stratosferike KEDS-KESCO-s, të cilat as që i ka ëndërruar ndonjë herë.

“Propozimi i ZRRE-së është që kostot shtesë të mbulohen përmes një strukture tarifore me dy blloqe, të ndara në kufirin 600 kWh pasi që deri në këtë nivel të konsumit mujor konsumatorët mund të furnizohen nga kapacitetet vendore dhe me tarifë mesatare të ngjashme me tarifën ekzistuese. Në këtë mënyrë, tarifat për konsumin në bllokun e parë reflektojnë koston mesatare të ofrimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Ndërkaq për konsumatorët që konsumojnë mbi 600 kWh duhet të importohet energji pasi që kjo nuk mund të ofrohet nga kapacitetet vendore. Rrjedhimisht tarifa për këta konsumatorë duhet të reflektojë çmimin e importit për energjinë e konsumuar mbi 600 kWh”, raportonte ZRRE kur i riktheu bllok-tarifat.

Dhe, këtë mënyrë arsyetimi nuk mund ta hasësh kurrë dhe askund gjetiu, pos në raportet e ZRRE-s, që me këtë propozim çmimesh i bën kosovarët njerëzit e vetëm në botë, që duhet të punojnë vetëm për ta paguar rrymën, madje tani, pas faturave të dhjetorit 2023, shumë kosovarë as këtë nuk arrijnë me të ardhurat e tyre. ZRRE-ja u tregua e mistershme gjatë rikthimit të bllok-tarifave, duke heshtur, ose duke fshehur nga publiku synimin për rikthimin e tyre, që tani po dëshmohen sa me pasoja kanë qenë për konsumatorët kosovarë të rrymës, të cilët tani paguajnë çmimin e ngritur disa herë, së pari nga rritjet e kërkuara nga KEDS-KESCO dhe thuaja nga shumica absolute e institucioneve shtetërore vendimmarrëse dhe së dyti nga çmimi i ngritur, mbase edhe më shumë nga rivendosja e bllok-tarifave.

Bllok-tarifat, siç dihet, ishin pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë deri në vitin 2017, kur u larguan pas kërkesave të vazhdueshme të një pjese të shoqërisë civile, opozitës dhe konsumatorëve. Sipas përkrahësve të idesë së rivendosjes së bllok-tarifave në konsumin e energjisë elektrike në Kosovë, ato nxisin kursimin e energjisë elektrike nga konsumatorët për shkak të rregullit të thjeshtë: ai që shpenzon më pak rrymë, paguan më lirë çmimin e kilovatit të shpenzuar. Ndërsa, kosovarët e shumtë, që e kundërshtojnë fuqimisht rikthimin e bllok-tarifave kanë vlerësuar ato si fare të padrejta, që cenojnë të drejtat e konsumatorit, të drejtat komerciale të tij, dhe si të tilla, që cenojnë të drejtat elementare të njeriut.

Kundërshtarët e bllok-tarifave, kështu si kanë qenë të aplikueshme deri më 2017, madje akuzojnë të gjithë ata individë, e sidomos asociacionet e ndryshme që publikisht u deklaruan në favor të rivendosjes së bllok-tarifave se po favorizojnë kompanitë e distribucionit dhe të furnizimit të konsumit të Kosovës. Sipas kundërshtarëve të bllok-tarifave, një familje mesatare për nga numri i anëtarëve, vetëm me pajisjet elektroshtëpiake (një shporet, një lavatriçe, një pjatalarëse, një fshesë elektrike dhe një bojler) le të kursejë sa të dojë, nuk mundet të mbetet nën 800 kilovat-orë të konsumuara gjatë një muaji sa parashihet me bllok-tarifa për të pasur benefite nga bllok-tarifat. Ndërkohë, faturat e dhjetorit 2023 janë dëshmi e pasojave të bllok-tarifave. /Buletini Ekonomik/