Amerikanët, pesimistë për ekonominë e vendit – Frika për të ardhmen është në rritje pavarësisht papunësisë së ulët

Ekonomia amerikane jo vetëm që shmangu recesionin që kishin parashikuar shumë ekonomistë, por u rrit me 3.1% në 2023. Ky nuk është thjesht një numër, por një ekonomi vërtet e fuqishme pasi papunësia në superfuqi është në nivele nën 4% për dy vite rradhazi. Kjo është periudha më e gjatë e papunësisë së ulët që nga vitet 1960.

Përveç kësaj, amerikanët kanë marrë rritje në pagat e tyre që reflektohen në rritjen e shpenzimeve konsumatore. E megjithatë shumica e amerikanëve janë pesimistë për ekonominë e tyre sepse kanë frikë se çdo gjë mund të humbasë, se në afat të gjatë nuk ka as sigurinë më të vogël për ekonominë që ata vlerësojnë se është e cënueshme dhe e rrezikuar nga shumë e kërcënime të ndryshme politike dhe sociale.

Ndjesia është e zakonshme mes ekonomistëve, investitorëve dhe biznesmenëve, si dhe në media të ndryshme amerikane. Disa ekonomistë besojnë se pesimizmi nuk pasqyron situatën reale ekonomike të amerikanëve, por ka një sfond psikologjik, veçanërisht në masën që reflektohet në disa sondazhe.

Reklama e sponzorizuar

Në një artikull, “Wall Street Journal” përpiqet të thellohet më tej në problemin dhe gjen disa zhvillime thelbësore negative, si p.sh., se një diplomë universitare nuk është më një garanci e avancimit ekonomik dhe social.

Luftërat në mbarë botën si dhe vendet armike, të cilat duket se e kanë humbur durimin, e kanë bërë botën të rrezikshme. Akoma më keq, mungesa e liderëve karizmatikë me vizion dhe një sërë qeverish jofunksionale i kanë bindur amerikanët se superfuqia është e paaftë të zgjidhë problemet e saj.

Siç thekson gazeta amerikane, diapazoni i shkaqeve pas pesimizmit të amerikanëve është aq i gjerë sa të kuptohet se edhe një përmirësim i mëtejshëm i të dhënave ekonomike nuk do të mjaftojë për të ngritur humorin e popullit amerikan. Dhe duke pasur parasysh se është një vit zgjedhor, pesimizmi duket si pengesa më e madhe për rizgjedhjen e Biden. Presidentit amerikan nuk i është besuar ecuria e mirë e ekonomisë.

Ka edhe disa matje që tregojnë se një pjesë e amerikanëve e shohin ekonominë më optimiste. Ndjesia e konsumatorit, e matur nga Universiteti i Miçiganit, kohët e fundit ka shënuar rritjen më të madhe që nga viti 1991. Megjithatë, ajo mbetet 20% në rënie në krahasim me fillimin e vitit 2020, pak para valës së parë të pandemisë, dhe në nivele që zakonisht shihen në fund të një recesioni dhe jo në një periudhë rritjeje të fuqishme./Scan tv/