Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), po zhvillon këtë të enjte një aksion të përbashkët me Doganën dhe Policinë e Kosovës në tri regjione (Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë) me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga mashtrimi dhe falsifikimi.
Sipas njoftimit, gjatë këtyre inspektimeve të përbashkëta janë evidentuar mallra të ndryshme për të cilat pronarët e subjekteve ekonomike nuk kanë prezantuar dokumente të prejardhjes, e të cilat janë sekuestruar.
“Sasia e produkteve të konfiskuara deri më tani është mbi 800 copë (produkte të ndryshme) si dhe 350 gram metale të çmuara (argjend)”, thuhet në komuikatën për media të ministrisë.
Gjithashtu, janë mbyllur me masë të përkohshme nga inspektorët e tregut tri subjekte ekonomike, pasi që të njëjtat konsiderohet se nuk i’u kanë mundësuar inspektorëve të kryejnë punën e tyre zyrtare.
“MINT mbetet e përkushtuar në luftimin e informalitetit në të gjithë sektorët e tregtisë me mallra dhe shërbime, të mbrojë të drejtat e konsumatorëve, të eliminojë praktikat e padrejta tregtare si dhe të garantojë ligjshmërinë e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve në treg. Aksioni po vazhdon akoma në Regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës”, thuhet më tej.