Presidentja Vjosa Osmani e ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier morën pjesë në shënimin e Ditës së Presidentit Amerikan, në Sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë.
Osmani tha me këtë rast se ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ishte bërë zëri i Kosovës, në kohën kur dhuna ndaj nesh kishte arritur në shkallën e gjenocidit.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, lidhur me vendimin e BQK-së dhe qëndrimet e aleatëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë SHBA, përkitazi me këtë vendim, tha se janë duke vazhduar diskutimet mbi planin e tranzicionit të zbatimit të Rregullores së BQK-së.
Ajo më tej shtoi se askush nuk po na kërkon që të mos e respektojmë Kushtetutën.
“Çështja nuk është çështje e dinarit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as aleatët tanë të tjerë nuk po kërkojnë që ne ta mbajmë dinarin të jemi të qartë. Nuk do të duhej të krijohej përshtypje që dikush po kërkon prej nesh që mos ta respektojmë kushtetutën tonë, sepse nuk është e vërtetë. Pra kemi një mirëkuptim të plotë dhe në fakt një qëllim të përbashkët me aleatët tanë në veçanti me SHBA-në që Kushtetuta jonë të respektohet në plotni”, tha presidentja Osmani, derisa shtoi se e tëra që është duke u diskutuar është një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së, pra që nuk ka të bëjë me punën e BQK-së.
E para e vendit tha se bashkëpunimi me aleatët, asnjëherë nuk e çon Kosovën në vend të gabuar, duke iu bërë thirrje të gjitha institucioneve të shtetit që bashkëpunimin ta kenë në maksimum me aleatët.
“Sikurse edhe çdo herë tjetër, bashkëpunimi me aleatët tanë asnjëherë nuk e çon Kosovën në vend të gabuar. Kështu që si presidente e vendit vazhdimisht inkurajoj të gjitha institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë që veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fortë dhe të njëjtën gjë e kërkoj edhe tani dhe jam e bindur që jemi në rrugë të drejtë që shumë shpejt ky plan tranzicioni të arrihet me pajtimin e të gjithëve dhe të jemi efektivë në tërësi por bashkë edhe me aleatët tanë në zbatimin e plotë të Kushtetutës sonë në çdo cep të vendit”, ka thënë presidentja Osmani.