Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka ndryshuar Rregulloren për shpenzimet operative të kompanive të sigurimit, duke ua rritur pragun nga 24 për qind në 30 për qind. Vendimi është marrë pa një analizë paraprake nëse kjo kërkesë është e bazuar mbi gjendjen reale të sektorit.
Siç njihet, Rregullorja për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të Siguruesve, është ndryshuar në muajin gusht të vitit të kaluar vetëm për pjesën e shpenzimeve operative.
Vendimi për këto ndryshime është votuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili dhe katër anëtarët tjerë që e përbëjnë Bordin e BQK-së.
Në rregulloren e re, shihet se është ndryshuar vetëm dispozita sa i përket pragut të shpenzimeve. Të gjitha nenet dhe dispozitat tjera janë të ngjashme ‘pikë për pikë’ me rregulloren bazë, e cilat ishte miratuar më 30 janar 2020.
Saktësisht, ndryshimi ka ndodhur në nenin 6, i cili flet për “kufizimin e shpenzimeve administrative”.
“Siguruesit e licencuar jo-jetë në asnjë rast nuk mund të krijojnë shpenzime më shumë se 30% të primit të shkruar bruto nga të gjitha klasët e sigurimit jo-jetë”, thuhet në pikën e parë të këtij neni.
Me rregulloren e kaluar, pragu i shpenzimeve operative për kompanitë e sigurimit ka qenë në nivelin prej 24 për qind nga totali i të hyrave të industrisë.
“Siguruesit e licencuar jo-jetë në asnjë rast nuk mund të krijojnë shpenzime më shumë se 24% të primit të shkruar bruto nga të gjitha klasët e sigurimit jo-jetë”, thuhet në pikën e parë të nenit 6, të së njëjtës rregullore, para miratimit të ndryshimeve.
Nga BQK nuk kanë treguar nëse për këtë ndryshim është bërë ndonjë analizë paraprake mbi kërkesat e kompanive të sigurimit për rritje të shpenzimeve operative. Buletini Ekonomik ka pritur rreth 1 muaj për ta siguruar një analizë të tillë, por nuk ka marrë një përgjigje nga zyrtarët e BQK-së.
Miratimi i ndryshimeve në këtë rregullore është bërë në mbledhjen e Bordit të BQK-së më datë 31 gusht 2023. Njëherit, kjo është mbledhja e parë e Bordit në të cilën kishte votuar edhe Ahmet Ismaili, i dekretuar për guvernator më 9 gusht 2023.
Në përbërje të Bordit të BQK-së janë Bashkim Nurboja në cilësinë e kryetarit dhe anëtarët: Ahmet Ismaili, Nora Latifi Jashari, Nexhat Kryeziu dhe Arta Hoxha.
Të hyrat në total të industrisë së sigurimeve për vitin 2023 janë 146.4 milionë euro, prej të cilave për pagesën e dëmeve nga aksidentet kanë shkuar gjithsej 71.7 milionë euro. /Buletini Ekonomik/