Ekonomistët tashmë flasin për një dekadë krize borxhi, duke komentuar se huamarrja globale arriti një rekord prej 307.4 trilionë dollarësh. Sipas tyre, bota do të përjetojë një krizë borxhi që do të zgjasë për 10 vitet e ardhshme dhe nuk do të përfundojë mirë.
Normat e larta të interesit të dy viteve të fundit kanë zmadhuar problemin e shërbimit të borxhit, me vendet me të ardhura të larta dhe tregjet në zhvillim që tashmë e kanë rritur borxhin e tyre me 100 trilionë dollarë në krahasim me një dekadë më parë.
Sipas tyre ka dy mënyra për të trajtuar problemin e borxhit: ose duke rritur taksat ose me rritje të shpejtë. Si pjesë e produktit të brendshëm bruto global – GDP, borxhi është rritur në 336%, nga rreth 110% në vitin 2012 për ekonomitë e përparuara dhe 35% për ekonomitë në zhvillim.
Ata shpjegojnë se qeveritë do të duhet të përmbushin pagesa të konsiderueshme të borxhit, që do të thotë se do të duhet të reduktojnë shpenzimet për infrastrukturën jetike sociale, duke përfshirë shëndetin, arsimin dhe mbrojtjen sociale.
Ata që arrijnë të përmirësojnë situatën e tyre fiskale do të përfitojnë duke tërhequr fuqinë punëtore, kapitale dhe investime, ndërsa ata që nuk do të arrijnë do të humbasin shumë, duke vlerësuar se këto vende do të përjetojnë vdekje të ngadaltë fiskale apo edhe falimentim.
Në nivel vendi, ata komentojnë se SHBA, Britania e Madhe, Japonia dhe Franca ishin përgjegjëse për mbi 80% të rritjes së borxhit në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Në rastin e tregjeve në zhvillim, Kina, India dhe Brazili treguan rritjet më të forta. /Scan tv/