Telekomi i Kosovës ka shpallur tenderin për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetave telekomunikuese optike në tërë territorin e Kosovës.
Njoftimi për kontratë është publikuar të premten në platformën e prokurimit publik, E-prokurimi.
Kontrata do të ketë vlerë të parashikuar prej 15 milionë eurove, bazuar në Dosjen e Tenderit.
Me këtë kontratë, e cila do të implementohet për tri vite, Telekomi synon që të realizojë shtrirje të rrjetit telekomunikues përmes mediumit optik në të gjithë vendin.
“Telekomi i Kosovës synon të zgjerojë dhe modernizoje rrjetin telekomunikues pasiv primar dhe sekondar përmes mediumit optik; si dhe ndërlidhjen e rrjetave mes vete (rrjetit ajror dhe tokësor)”, thuhet në përshkrimin e tenderit në E-prokurimi, raporton Paparaci.
Projekti parasheh që të shtrijë edhe rrjetin e brendshëm, brenda objekteve të banimit.
Afati për pranimin e tenderëve të kompanive të interesuara për këtë kontratë, është data 22 mars e këtij viti.
Për këtë kontratë, para dy ditësh foli edhe Burbuqe Hana, kryeshefe e Telekomit.
Hana, në një deklarim për Telegrafin, tha se modernizimi i shërbimeve broadband të internetit dhe shtrirja e rrjetit optik do të paraqesin teknologjinë e fundit për internet.