KEK-u që nga fillimi i shkurtit i kthen KESH-it borxhin e rrymës

Sipas zyrtarëve, KEK-u që nga fiillimi i muajit të kaluar dhe deri tani në gjysmën e marsit, për çdo natë ka dërguar në KESH mesatarisht nga 400 deri në 600 megavatë-orë. Sasia konstante minimale e rrymës, që nën të nuk dërgohet asnjë natë, është 231 megavatë-orë, por ka pasur raste që borxhi i kthyer brenda një nate ka shkuar deri në 1.350 megavatë-orë.

Buletini Ekonomik

Kosova nëpërmjet Korporatës Energjetike (KEK-ut), që nga fillimi i muajit shkurt, gjatë orëve të natës kur ka pasur teprica nga prodhimi i termocentraleve, ka nisur të dërgojë sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike në Shqipëri. Sasia e rrymës që tani e një muaj e gjysmë plasohet në KESH, praktikisht është kthim borxhi, me të cilin është ngarkuar Kosova, sidomos gjatë vitit 2023. Dhe, ky borxh, nuk ka qenë fare i vogël.

Reklama e sponzorizuar

Nga zyrtarët e KEK-ut bëhet e ditur se deri në fillim të shkurtit të sivjetshëm, borxhi i tërësishëm ndaj KESH-it ka qenë diku rreth 200 mijë megavatë-orë. Por, tani kjo sasi e borxhit është zvogëluar ndjeshëm, në saje të dërgesave të pandërprera dhe në sasi goxha të madhe, gjatë natës nga KEK-u në KESH.

Sipas zyrtarëve, KEK-u që nga fiillimi i muajit të kaluar dhe deri tani në gjysmën e marsit, për çdo natë ka dërguar mesatarisht nga 400 deri në 600 megavatë-orë. Sasia konstante minimale e rrymës, që nën të nuk dërgohet asnjë natë, është 231 megavatë-orë, por ka pasur raste që borxhi i kthyer brenda një nate ka shkuar deri në 1.350 megavatë-orë.

Në këtë mënyrë, tashmë borxhi ndaj KESH-it ka rënë në 40 mijë megavatë-orë, nga rreth 200 mijë sa ishte në fund të janarit të sivjetshëm. Edhe gjatë muajit të parë të këtij viti, për shkak të nevojave të rritura të konsumit të Kosovës për më shumë energji elektrike, KEK-u ka huazuar goxha sasi të rrymës nga KESH. Ndërsa tani, ky këmbim i energjisë elektrike Kosovë – Shqipëri, praktikisht është një drejtimësh, pasi që Kosova që nga fillimi i shkurtit nga prodhimi i termocentraleve aktuale (dy blloqe të Kosova B dhe 2 të Kosova A), ka përmbushur nevojat e konsumit vetanak, pos në rastet kur kanë ndodhur defekte teknike në stabilimentet e kapaciteteve aktuale prodhuese, dhe që sanimi i këtyre defekteve ka zgjatur fare shkurt.

Aktualisht kapacitetet e vendit, termocentralet Kosova B dhe Kosova A dhe kapacitetet modeste të energjisë së rinovueshme, prodhojnë diku te 800 megavatëshi. Blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B realizojnë prodhim nga 260 megavatë-orë secili, ndërsa blloqet A3 dhe A4, të Kosovës A bashkarisht prodhojnë rreth 260 megavatë, ose secili nga 130 megavatë-orë.

Një sasi prej dhjetëra megavatësh prodhohet nga kapacitetet e rinovueshme, nga Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, nga ai në Kitkë të Kamenicës dhe nga hidrocentralet e vogla të vendit. Në raste kur ka erëra të mjaftueshme dhe të reshura, siç pati këtyre ditëve, kapacitetet modeste të energjisë nga era dhe uji në Kosovë, kanë mundësi të prodhojnë edhe mbi 100 megavatë-orë. Sido që të jetë, nëse vazhdojnë të punojnë me këtë ritëm termocentralet e Kosovës, sipas zyrtarëve të KEK-ut, do të vazhdohet të dërgohet në Shqipëri, pak a shumë sasia e njëjtë dhe në këtë mënyrë, do të ulet në minimum borxhi i rrymës me të cilën është obliguar KEK-u, sidomos gjatë vitit të kaluar, në bazë të marrëveshjes së kahershme KEK-KESH, për këmbim të energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/