Sipas ndërtimtarëve, por edhe njohësve të zhvillimeve në ndërtimtarinë e vendit, edhe në vitet në vazhdim pritet të mbizotërojnë tendencat e ngritjes së çmimit të një metri katror, qoftë të banesave, qoftë të hapësirave biznesore. Shtrenjtimi i çmimit të banesave do të ndikohet padyshim nga shtimi i detyrimeve të ndërtuesve, veçanërisht nga mungesa e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë, që tashmë ka pasuar rritjen e ndjeshme të pagave të tyre, por edhe nga ecuritë e çmimeve të tokave të dedikuara për ndërtime.
Mehmet GJATA
Sipas ndërtimtarëve kosovarë, pavarësisht se në tregjet ndërkombëtare ka pasur ulje çmimesh te disa repromaterialeve, sidomos te hekuri (armatura/betoni) dhe pavarësisht tendencave të rënies së shitblerjeve të banesave në Kosovë në vitet e fundit, sidomos gjatë viteve 2022 dhe 2023, nuk pritet të ulen çmimet e ndërtimeve. Ndërtimtarët kosovarë, por edhe agjencitë e shitblerjeve të pronave të paluajtshme pohojnë të sigurtë se nuk do të ketë ulje çmimesh në ndërtimet e ardhshme. Përkundrazi, sipas ndërtimtarëve, por edhe njohësve të zhvillimeve në ndërtimtarinë e vendit, edhe në vitet në vazhdim pritet të mbizotërojnë tendencat e ngritjes së çmimit të një metri katror, qoftë të banesave, qoftë të hapësirave biznesore.
Trendi i ngritjes së çmimeve, sipas tyre, mbase nuk do të jetë i fortë dhe agresiv siç ishte në periudhën e pas pandemisë, por ngritje çmimesh, gjithsesi do të ketë në periudhën në vazhdim. Ndërtuesit paralajmërojnë se rritja e çmimit te banesat nuk do të ndalet edhe në dy-tre vitet e ardhshme.
“Kostoja e ndërtimit-çmimet e ngritura të materialeve, pos hekurit që muajt e fundit ka ulje çmimi pas rritjes enorme pas shpërthimit të luftës ruso-ukrainase, ka bërë më të shtrenjta banesat”, thonë ndërtimtarët kryeqytetas për Buletinin Ekonomik.
Sipas tyre, tashmë edhe tokat janë shtrenjtuar shumë, madje çmimi i tokave vende – vende, sidomos në zonat më të përafërta me qendrën e qytetit, janë ngritur në nivele stratosferike. Një nga ndërtimtarët kosovar, që shquhet edhe për nga sipërfaqet e shumta banesore të ndërtuara, por edhe për nga cilësia, i cili do të mbetet anonim, për Buletinin Ekonomik ka numëruar disa shkaqe, të cilat qojnë padiskutueshëm kah tendencat e ngritjes së çmimit në ndërtimtari. Por, sipas tij, dy shkaqe janë ato që do të determinojnë lëvizjet e çmimve dhe tendencat e ngritjes së tyre: Shtrenjtimi i çmimit të banesave do të ndikohet padyshim nga shtimi i detyrimeve të ndërtuesve, veçanërisht nga mungesa e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë, që tashmë ka pasuar rritjen e ndjeshme të pagave të punëtorëve të angazhuar dhe që do të angazhohen në këtë sektor (nëse deri para ca muajsh një punëtorë-mjeshtër në ndërtimtari ka pasur pagën mujore 600-700 euro, tani kjo pagë është ngritur në 900 dhe 1 mijë euro e përtej.
Ndikim jo të paktë në çmimin e ndërtimeve të ardhshme do të ketë edhe çmimi i tokave të ndërtimit, që ka kohë që në Kosovë ka tendenca goxha të vrullshme të ngritjes enorme. Këto janë ngarkesa shtesë dhe të paqena në vitet e përparshme për ndërtuesit dhe që shtojnë ndjeshëm detyrimet e ndërtuesve kosovarë.
Në Prishtinë, siç dihet, çmimet e pronave afër qendrës ka vite që janë bërë të papërballueshme për shumë familje kosovare, por edhe për ndërtuesit me potencë mesatare, të cilët, tash e një kohë, mbase në dy-tre vjetët e fundit, po zgjedhin si alternativë kryesore për ndërtimet e tyre periferinë dhe zonat jashtë afërsisë me qendrën e kryeqytetit. Por, tashmë janë shtrenjtuar edhe tokat në periferinë e Prishtinës, dhe të shumë qendrave komunale. Ndërtimtarët tashmë janë të kënaqur kur arrijnë të sigurojnë një toke të mjaftueshme dhe me çmime të leverdishsme në periferinë e qyteteve kosovare. Në Prishtinë, zonat e ndërtimeve të reja janë përqëndruar kah Matiqani, pjesa e re e kryeqytetit (kah drejtimi i ndërtesës së “Drejtësisë”), kah Veterniku, por edhe në këto zona çmimet e toka kanë shkuar në stratosferë, qoftë në tregtimin e drjetpërdrejt me para në dorë, qoftë me këmbim tokë për banesa.
Në disa zona të caktuara të periferisë të Prishtinës, si pasojë e zhvillimeve në tregun e banesave, por edhe zhvillimeve urbane, ka rritje enorme të çmimeve të tokave, por rrjedhimisht edhe të banesave. Dhe, sikundër në kryeqytet edhe në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (thuajse në të gjitha tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak) ka lëvizje të ngritjes së çmimeve.
Një nga ndërtimtarët e njohur, që e kërkon anonimitetin, i ka thënë këto ditë Buletinit Ekonomik, se po ndërtohet jo pak, por edhe nuk është se nuk ka shitje.
“Jo si më parë, gjithsesi, por, po të mos kishte shitblerje të banesave edhe në këtë periudhë, nuk do të kishte ndërtime kaq të shumta”, thotë ai.
Natyrisht, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta. Në Prishtinë, tani edhe në zonat periferike nuk mund të gjesh banesë nën 1.200-1.300euro. Në zonën në drejtim të Veternikut këto ditë banesat e disa ndërtimtarëve kanë çmimin 1.500 eueo për metër katror, ndërsa vetëm para 1-2 vjetësh çmimi i një metri katror në këtë zonë ka qenë 700-800 euro.
Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është lagjja Velania dhe përgjatë Varrezave të dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese kushton 1,500 euro deri 1,800 euro e përtej. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është tash e sa kohë, sikundër që është qe sa vite çmimi i një garazhi prej mbi 20 mijë eurosh. Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani mbi 1,500 euro. Çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren, ndërsa goxha më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Lipjan dhe Pejë.
Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë ka arritur në 700-800 euro e më shumë në vitin e kaluar, nga 500 sa ka qenë vetëm pak kohë përpara. Në Podujevë në dy lokacione të reja, shumë pranë qendrës, një metër katror tani është shitur 1 mijë euro dhe, siç njoftojnë ndërtuesit e këtyre banesave, një numër shumë i madh i tyre është kontraktuar, që në nismën e themeleve të ndërtesës banesore.
Sidoqoftë, njohësit e tregut të ndërtimeve në Kosovë, vlerësojnë se deri në fund të marsit të 2024-tës, një metër katror në të gjitha zonat e kryeqytetit, është me shtrenjtë për 200 e më shumë euro, ndërsa në qendra të ndryshme komunale edhe mbi 300 euro. Këto ecuri të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë. Prandaj, sipas njohësve të zhvillimeve në këtë treg, asgjë nuk është e sigurtë për zhvillimet në vitet në vijim.
Megjithatë, sektori i ndërtimtarisë edhe sivjet, sikurse shumë vite të pasluftës, ishte dhe do të jetë forca shtytëse e zhvillimeve ekonomike dhe, pas prodhimit të energjisë, ndoshta edhe dominuese e tregut financiar të Kosovës. Sipas llogarive të një analisti dhe njohësi të mirë të zhvillimeve ekonomike, në Kosovë, çdo vit ndertohen 30 mijë njësi të reja ndërtimi (si shtëpi, banesa e lokale) dhe nëse këto llogariten me 70 mijë euro kosto mesatare secila, ndërtimtaria në Kosovë, kap një treg prej rreth 2.1 miliardë eurosh në vit. Ndërsa, në potencën financiare të ndërtimtarëve kosovarë ndikimin qenësor vazhdon ta ketë çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, ose po mbahet goxha konstant me muaj të tërë, ose po ngritet ndjeshëm edhe në kryeqytet, edhe në disa qendra komunale. /Buletini Ekonomik/