Urbanistët, arkitektët e shumtë me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, ndërtimtarë të tjerë serioz, thuaja të gjithë mendojnë dhe insistojnë që komunarët e Prishtinës, më në fund, karshi projektit kaq të rëndësishëm – të tregohen seriozë dhe ngulmues në përzgjedhjen e ndërtuesit, qoftë ajo një kompani ose më shumë sosh, ndonjë konzorcium ndërtimtarësh dhe patjetër shumë të dëshmuar në punët e deritashme infasrukturore që ka bërë kudo qofshin ato. Shumë nga këta urbanistë dhe arkitektë, kërkojnë që ky projekt, përfundimisht, t’i besohet ndonjë kompanie ndërtimore nga Europa, e dëshmuar për këso punësh dhe e vlerësuar për punët e deritashme.
Mehmet GJATA
“Komuna e Prishtinës ka filluar me procedurat për ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani”, është njoftuar publikisht më 23 prill 2024. Tenderi për këtë projekt që parashihet të kushtojë 6 milionë euro, është hapur të hënën, dhe kompanitë mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 15 maj. Kohëzgjatja e kontratës, apo afatet kohore për përfundimin e projektit, është paraparë të jetë 180 ditë nga dhënia e kontratës.
Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, në një intervistë kishte saktësuar se ky projekt përfshin rrugën “Bajram Kelmendi” dhe “Agim Ramadani” dhe do të vazhdojë deri te rrethi te objekti i Komunës së Vjetër, si dhe nga Xhamia e Madhe në drejtim të gjimnazit “Sami Frashëri”. Ndërkohë, nga kabineti qeverisës i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, kanë thënë se projekti, i cili sipas tij, është në fazën e prokurimit, është me rëndësi të veçantë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në vazhdimësi është kritikuar për punën e tollovisë në trafik dhe ka premtuar se do të përmirësojë këtë problem të kryqytetit.
“Ndërtimi i tunelit “Agim Ramadani” tanimë është në fazën e prokurimit. Ky tunel transformues do të shkarkojë komunikacionin në qendër të Kryeqytetit dhe do të ndërlidh Prishtinën e Vjetër me sheshet Ibrahim Rugova, Skenderbeu, Zahir Pajaziti, Xhorxh Bush e deri te Katedralja. Në këtë mënyrë po krijojmë më shumë hapsira për këmbësorë e gjelbrim, ajër më të pastër e jetë më të shëndetshme për qytetarët ”, ka shkruar Rama.
Hartimi i këtij projekti ka kushtuar 185 mijë euro. Në dosjen e tenderit, si arsyetim për ndërtimin e këtij tuneli, ishte dhënë edhe zhvillimi dhe gjallërimi i Zonës Historike. Ndërsa, duke bërë publike detaje të tjera rreth këtij projekti, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se pjesa mbi tunel do të kthehet në shëtitore.
Dhe duke parë edhe detaje të tjera rreth projektit, sipërfaqësisht përceptohet njëfarë serioziteti në qasjen e autoriteteve të kryeqytetit për fillimin e procedurave për ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani” dhe në fazën e prokurimit. Por, vrojtuesve, edhe atyre pak më të vëmendshëm, u bien në sy, nga kjo që është thënë, shumë çështje të diskutueshme, mangësi dhe mungesa në këtë fazë.
Para së gjithash, njohësit e zhvillimeve infastrukturore të kryqytetit e bëjnë të diskutueshme afatin prej 180 ditësh, për ta përmbyllur këtë projekt, ndër më të mëdhenjtë të nisur ndonjëherë në Prishtinë. Por e vënë në pikëpyetje edhe koston, çmimin e përcaktuar prej 6 milionë eurosh, dhe sipas tyre, projekti i këtyre përmasave do të kushtojë, gjithsesi, shumë më shumë.
Urbanistët, arkitektët e shumtë me të cilët ka bisduar Buletini Ekonomik, ndërtimtarë të tjerë seriozë, thuaja të gjithë mendojnë dhe insistojnë që komunarët e Prishtinës, më në fund, karshi projektit kaq të rëndësishëm të tregohen seriozë dhe ngulmues në përzgjedhjen e ndërtuesit, qoftë ajo një kompani ose më shumë sosh dhe patjetër shumë të dëshmuara në punët e deritashme infasrukturore që kanë bërë kudo qofshin ato. Këta urbanistë dhe arkitektë, që duan të mbeten anonim, janë të prerë duke thënë madje: Ndërtimi i kësaj vepre kaq të rëndësishme infrastrukturore, përfundimisht, duhet t’i besohet ndonjë kompanie ndërtimore nga Europa, e dëshmuar për këso punësh dhe e vlerësuar për punët e deritashme.
“Kur insistojmë që këtë projekt ta ndërtojë ndonjë firmë ndërtimore nga perëndimi, bie fjala, e kemi të qartë, që ky angazhim do të ketë kosto jo të vogël, por puna e mirë në infrastrukturën e këtillë kushton. Prandaj, pavarësisht çmimit, duhet të gjendet një ndërtues nga perëndimi. Tani Prishtina, ka nevojë imediate për vepra të mira të infrastrukturës, për hijeshi, për imazhin që e kërkon kryeqyteti, ndaj domosdoshmërisht për këtë projekt duhet përzgjedhur punëkryesi më i mirë, më i sigurtë dhe më i përgjegjshëm, pavarësisht kostos”, ka thënë njëri nga arkitekët që e do anonimitetin dhe që emri i tij gjendet në redaksinë tonë.
Ai këmbëngulë se tani Prishtina duhet të ketë inrastrukturë moderne, funksionale, të hijshme dhe për këtë kryeqyteti ka edhe mundësitë më të mëdha financiare.
Dhe, për shkak të favorizimit të punëkryesve të njohur nga jashtë, urbanistët kryeqytetas e bëjnë të diskutueshme, sipas tyre, kohën pakuptimisht të shkurtër fare (deri më 15 maj) që kompanitë e interesuara të mund të dorëzojnë ofertat e tyre. Disa nga urbanistët këmbëngulin se është dashur domosdo të gjenden mënyra edhe ligjore për t’i ftuar në tender disa nga kompanitë me emër nga jashtë. Dhe pastaj, me seriozitetin më të madh të bëhet përzgjedhja e punëkryesit më të mirë.
“Nuk duhet gjithmonë të jetë kriter kryesor çmimi i lirë te përzgjedhja e punëkryesit”, thonë urbanistët.
Dhe duhet thënë se Prishtina tani është ngopur dhe stërngopur me punë ‘për faqen e zezë” të shumë punëkryesve, me degradimin e shpërfytyrimin e shumë rrugëve, meremetimi dhe modernizimi i të cilave lë shumë për të dëshiruar. Shumica e ndërtuesve dhe riparuesve të deritashëm të rrugëve në kryeqytet, kanë punuar shkel e shko, sa për të thënë. Ata, ose nuk kanë pasur njohuri elementare të ndërtuesve të rrugëve, ose nuk kanë pasur mekanizmin e nevojshëm dhe as punëtorë të kualifikuar për punën e tyre, dhe në këtë mënyrë, pos që i kanë zvarritur punët duke e shtyrë përmbushjen e afateve me muaj dhe vjet, më shumë ua kanë shpërfytyruar pamjen e mirë të dikurshme që kanë pasur rrugët të cilat i kanë riparuar dhe gjoja modernizuar ata.
Mjafton të shihet rruga që lidhë Taslixhen III, të dikurshme ose tani që nga rruga “Abdyl Ramaj” deri në rrugën kryesore, në mesin e parkut të njohur Taukbahqes, gjithsej 200 deri në 250 metra gjatësi. Kjo rrugë në kubzi të gurtë, që para meremetimit e kishe për ëndje ta shikoje, tani pas meremetimit, është shpërfytyruar për shkak të punëve më të këqija të mundshme të punëkryesit. Kubëzat janë shtruar e radhitur si është më së keqi, edhe pse vendosja e tyre në 200 metra gjatësi ka zgjatur diku rreth një vjet. Tani, pas meremetimit është mbushur lugje dhe brigje, ndërsa për shkaqe të paditura për banorët, nuk funksinon as një shahtë, të dedikuara për ujëra nga të reshurat.
Edhe në rrugën e njohur më shumë si rruga e Bledit, që ishte meremetuar para 3-4 vjetësh, dhe që shquhej për punë goxha të mirë riparuese, kanë nisur punë për vendosjen e gypave të ri të ujësjellësit dhe të kanalizimit. Por, ndërtuesi i ri, që po ecën me punët e nisura me “hapa të breshkës”, i ka nisur punët si është më së keqi dhe duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta dhe të gjata të furnizimit me ujë të disa lagjeve rreth e qark.
Në rrugën “Abdyl Ramaj”, deri sa ka filluar të vendos gypat e rinj ky ndërtues në rrugën e Bledit, kurrë nuk ka ndodhur të ndërprehet uji, ndërsa tani nga moskujdesi i punëkryesit, me orë të tëra dhe një ditë po – një ditë jo, si pasojë e shpërthimit të gypave gjatë punimeve.
Këso rastesh janë të panumërta në kryeqytet.
Mirëpo, këta ndërtues nuk i duhen më Prishtinës. Tani kryeqyteti domosdoshmërisht duhet të përzgjedhë ndërtimtarë të mirë, të shkathtë, të pajisur me teknologji moderne dhe me mjeshtër të shquar. Në këtë aspekt, pse të mos mirret shembull Tirana, kryeqyteti fqinj. Dihet si ishte Tirana para 20-30 vitesh dhe si ndërtohej në ato vite. Sot, Tirana është bërë metropol, duke u imponuar me infastrukturë moderne, atraktive dhe funksionale. Nënkalimet, mbikalimet, trotuaret, dhe të gjitha rrugët e reja në Tiranë, tashmë janë mbresëlënëse, estetike dhe si të tilla, në masë të madhe zbusin kaosin urbanistik në kryeqytetin shqiptar. Thjesht, në infrastrukturën rrugore të Tiranës, fare pak ndodhë të mos punohet mirë.
Edhe Prishtinës i duhen përfundimisht ndërtuesit e mirë dhe serioz. Tuneli “Agim Ramadani”, që është një projekt infrastrukturor, ndër më të rëndësishmit në Prishtinë, është mirë ta bëjë kthesën. Të ndërtohet mirë në të gjitha aspektet, edhe për nga funksionaliteti, edhe për nga siguria, edhe për nga hijeshia. Dhe, Prishtina padiskutueshëm është në gjendje të përballojë koston e ndërtimit të këtij nënkalimi, qoftë edhe paksa i kushtueshëm. Fundja, pse të mos provohet një herë një punëkryes i respektueshëm nga jashtë. Konkurrenca, edhe në ndërtim shpaguhet.
Sidoqoftë, ky projekt duhet të ndërtohet gjithanshëm mirë. Këtë, mbase e kanë të qartë “komunarët” e Prishtinës, dhe arkitekti Përparim Rama në krye të tyre, i cili e ka cilësuar sa e sa herë projektin ‘me rëndësi të veçantë”. /Buletini Ekonomik/