Gjatë vitit të kaluar, vlera e mallrave të importuara ishte 5.8 miliardë euro. Kurse, vetëm gjatë muajit prill të këtij viti, Kosova ka importuar mbi 500 milionë euro mallra. Derisa, eksporti i mallrave në prill kishte vlerën vetëm 73 milionë euro.
Vlera e importit të produkteve po vazhdon të rritet nga viti në vit në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave, në muajin prill, importi ishte mbi 500 milionë euro.
Kurse, gjatë gjithë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë mallra nga vendet e huaja në vlerë prej 5.8 miliardë euro.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 12.2% në prill 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë 2023, përkatësisht 427.5 milionë euro krahasuar me deficitin 381 milionë në vitin 2023, teksa eksporti mbulon importin me 14.6%.
Eksporti i mallrave në prill 2024 kishte vlerën 73.2 milionë euro, ndërsa importi 500.7 milionë euro që është një rritje 8.8 për qind për eksport, si dhe një rritje 11.7 për qind për import krahasuar me periudhën e njëjtë 2023”.
Sipas Agjencisë së Statistikave, Kosova importon më së shumti naftë, vetura, produkte ushqimore dhe materal ndërtimi.
Qarkullimi e mallrave në tregtinë e jashtme
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 25,2% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14,7% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,5% artikuj të ndryshëm të prodhuar; 8.7% tekstili dhe artikujt e tekstilit; 5.3% produktet minerale; etj.
Eksportet sipas sektorëve të grupeve kryesore në vlerë
Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 13,6% e përbëjnë produktet minerale; 11,5% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,3% mjetet e transportit; 11,2% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,6% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në BE arritën në 25 milionë euro ose rreth 34.1% e eksporteve të përgjithshme me rritje 27.9%, ku partnerët kryesorë janë Gjermania (11.4%), Italia (5%), Holanda (2.4%), etj.
Importet e Kosovës nga BE-ja ishin rreth 243.4 milionë euro ose 48.6% e importeve të përgjithshme, me rritje 22.2%. Importet me pjesëmarrje me të lartë janë nga Gjermania (13.9%), Italia (6.9%), Greqia (6%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me CEFTA arritën në 32,6 milionë euro ose 44.5% të eksporteve të përgjithshme, me rritje 20.7%. Partnerë kryesorë për eksport janë Maqedonia e Veriut (16,6%), Shqipëria (16%), Serbia (5.4%), Mali i Zi (4.8%).
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 65.5 milionë euro ose 13.1% të importeve të përgjithshme, me rënie 16.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import janë Shqipëria (5.3%), Maqedonia e Veriut (4.6%), Serbia (1.8%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15.6 milionë euro ose 21.4%, ku partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin Zvicra (8.4%) dhe SHBA (3.7%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 191.1 milionë euro ose 38.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (13.5%) dhe Kina (12.6%). /monitor.al/