300 milionë euro është shuma e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat tash e disa muaj po presin miratimin në Kuvend. Një përpjekje e radhës për miratimin e tyre do të jetë sërish në seancën e së enjtes, në të cilën në rend dite janë të përfshira 13 marrëveshje ndërkombëtare.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fajëson opozitën për bllokim të këtyre marrëveshjeve. Deputetja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci, thotë se këto marrëveshje janë më së të rëndësishme për jetën e qytetarëve.
“..janë marrëveshje shumë vitale sikurse ‘Evropa digjitale’ dhe të tjera që kanë për qëllim ….dhe marrëveshje të tjera që prekin aspekte vitale të qytetarëve. Përveç bashkëbisedimeve që ka pasur shefja e grupit …ne kemi mbështetur edhe komisionet hetimore me idenë që ta kemi mbështetjen opozitare për këto marrëveshje, kjo është një përpjekje e vazhdueshme por është e dhimbshme që ky është një prej instrumenteve të vetme të cilat opozita ta përdor si instrument politik për ta bllokuar punën e kuvendit”, tha Statovci-Grupi.
Por partia më e madhe opozitare, PDK-ja është e vendosur për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare, derisa siç thotë qeveria ta nxjerr vendin nga kriza e krijuar.
“Arsyeja është e qartë sepse këta na kanë sjellur sanksione 500 milionë euro dhe ne kemi marrë vendim mos me i votu marrëveshjet derisa këta të na nxjerrin nga kjo krizë, nga ky izolim ndërkombëtar nga këto sanksione 500 milionë. Kjo ka qene arsyeja ta ketë të qartë opinioni publik pse ne nuk i votojmë këto marrëveshje….S’është e vertetë që në bllokojmë votimin e marrëveshjeve këta kanë fut në votim të marrëveshjeve fonde që janë nën sanksione psh Evropa digjitale është nën sanksione ndaq voto ndaq jo”, tha Kastrati.
Monitorues të punës së Kuvendit vlerësojnë se pushteti duhet të ketë qasje më të mirë ndaj opozitës sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Këto marrëveshje janë përcjell nga mosefikasiteti i tepruar në miratimin e këtyre projekteligjeve të cilat kanë të bëjnë më interesin publik , infrastrukturor, mjedisor, ujor etj që lidhen direkt me jetën e qytetarëve. Si IKD kemi parë veçanërisht arrogancën e qeverisë në lidhje me projektligjet të cilat kërkojnë shumicë të nevojshme për miratim… shumica parlamentare nuk ka bërë ndonjë veprim që kishte me qu që këto marrëveshje të vonohen për miratim. Ideja parë, veprimi parë është që qeveria të konsultohet me opozitën para se të hidhen në votim në mënyrë që mos të zvarriten…do duhej që partia në pushtet të ketë qasje më të mirë në raport me opozitën.”, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ekonomistët, ndërkaq vlerësojnë se bllokimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Bllokimi marrëveshjeve ndërkombëtare është dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës dhe qytetarëve të saj. Me bllokimin e këtyre marrëveshjeve po dëmtohen edhe imazhi Kosovës Bllokimi i tyre po ndodh në kohën kur Kosova është nën sanksione. Është koha që politikanët të ngihen para interesave politike efektet e tyre do të reflektojnë jo vetëm këtë vit por edhe vitet e ardhshme”, tha Gërxhaliu.
Ndër marrëveshje që po presin miratimin janë: Marrëveshja për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës; Marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj Konfederatës Zvicerane, për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë” e të tjera. /RTV21/