“Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës”, deklaronte kryeministri Albin Kurti, më 31 gusht 2022 në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke shtuar se “asnjë nuk është i paprekshëm”. Dhe, deri tani, më pak se një vjet deri në përmbylljen e mandatit qeveritar, asnjëri “nuk u prek”. Të gjithë ministrat dhe shumica absolute e zëvendëskryeministrave vazhdojnë të qeverisin qetësisht, megjithë dështimet evidente të disave prej tyre
Mehmet GJATA
Albin Kurti, siç po shihet, nuk e ka ndërmend ta bëjë freskimin e kabinetit qeveritar, këtij aktualit, Qeverisë Kurti 2. Edhe pse botërisht tashmë është e ditur se disa prej ministrave të kësaj qeverie, nga e cila realisht u prit goxha shumë se do të bëjë ndryshim, brenda këtyre tre vjetëve nuk treguan praktikisht asgjë, dhe dëshmuan se janë shumë larg përmbushjes së misionit ministror dhe pritjeve të kryeministrit Kurti. Nuk treguan sukses në punën e tyre dhe kjo përkthehet se ishin qeveritarë të dobët, pa ide dhe pa aftësitë e domosdoshme për të përmbushur, së paku, premtimet.
Sado që në njëfarë mënyre, disa herë është paralajmëruar freskimi i kabinetit aktual qeveritar Kurti 2 me disa ministra të rinj, më operativ, më energjik, më të efektshëm dhe me më shumë rendiment të punës ministrore, Qeveria Kurti 2 nuk e bëri reformatizimin e pritshëm nga publiku – të kabinetit qeveritar. Vazhdoi ‘ta shtyjë’ me të gjithë ministrat dhe me shumicën absolute të zëvëndësministrave, që u emëruan që në fillim të kësaj qeverie, (24 shkurt 2021), (hiq ministrin e Shëndetësisë – tani sërish të rikthyer në postin e ministrit, aty ku ishte pra), që e la postin ministror për shkak të kandidimit për kryetar të Komunës së Prishtinës, dhe derëheqjes së ministrit tjetër që e pasoi të parin), pavarësisht se shumë prej tyre brenda këtyre tre vjetëve e më shumë, nuk treguan praktikisht asgjë, dhe dëshmuan se janë shumë larg përmbushjes së miisionit ministror dhe zëvendësministror, pritjeve të opinionit dhe gjithsesi, edhe të kryeministrit Kurti.
Që në janar të 2022-tës, flitej madje edhe nga zyrtarë të ndryshëm, se kishte nisur të bëhet një vlerësim i performancës së akcilit ministër të kësaj Qeverie, e cila punë siç thuhej, do të përmbyllej deri më 18 janar të atij viti. Vlerësimet e performancës nënkuptonin pra “qitjen në peshore” të aftësive profesioniste dhe shkathtësive menaxheriale e ministrore të secilit ministër të Qeverisë Kurti 2, si dhe të të gjithë zëvendësministrave dhe të efekteve të punës së tyre, rezultatet dhe dështimet eventuale të ministrave të qeverisë Kurti 2. Dhe, kjo “matje”, ose ky vlerësim do t’i shërbente, sipas burimeve të medieve kosovare, kryeministrit Kurti, që në rast të ndërrimit eventual të përbërjes aktuale të Qeverisë, të vendosë për ndërrimin apo mbetjen edhe më tutje në postin e ministrit të secilit anëtar qeverie. Dhe, megjithë trajtimin mediatik të kësa çështjeje dhe debateve në medie dhe në opinion rreth domosdosë së “freskimit” të qeverisë, nuk ndodhi asgjë.
Ndërsa, në publikun e politizuar jo pak kosovar pritej me padurim dhe kurreshtje të shpërfaqur të shihet konkretisht se cili ministër i Qeverisë Kurti 2, që kur VV-ja fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmbushi dhe realizoi detyrimet, parashikimet qeveritare dhe vetjake dhe cili dështoi në realizimin e pritshmërive të tij, vizioneve dhe premtimeve me rastin e marrjes së detyrës në krye të dikasterit përkatës.
Më pastaj, në ditën e fundit të gushtit të 2022-tës (më saktësisht më 31 gusht 2022), në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri fjalë për fjalë tha për vartësit e tij, se “asnjë nuk është i paprekshëm”, ndërsa në publik dhe në qarqe zyrtare u vlerësua si paralajmërim i ri për mundësi të ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
“Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj”, tha kryeministri Albin Kurti me këtë rast para Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për vartësit e tij.
“Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar”, tha ai.
Por, me këtë rast, Kurti foli edhe për “egoizma e karrierizma”, të cilat, deri në atë moment, kur u dëgjuan nga goja e kryeministrit Kurti, mendohej se “tymnaja” rreth përmbushjes së pritshmërive të disa minstrave, mbështetej më shumë në spekulime.
“Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës”, tha Kurti.
Disa medie raportuan se “tashmë po punohet në një raport në Zyrën e Kryeministrit, ku po vlerësohen ministrat veç e veç”, por asnjëherë nuk është thënë diçka zyrtare rreth mundësisë së reformatimit të Qeverisë, edhe pse fjalët e Kurtit para këshillit të LVV-së sikur ishin një paralajmërim se mund të ketë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar.
“Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe, sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush dhe asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”, kishte thënë Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të LVV-së. Dhe, edhe me këtë rast, njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe analistët e shumtë kosovarë, me vlerësimet e tyre pas fjalëve të kryeministrit, praktikisht u ndanë në dy taborre. Disa nga këta vlerësonin se “këtë kërcënim kryeministri është dashur ta bëjë më herët”, dhe si “kërcënim” të kryeministrit ndaj ministrave të tij”“ duke shtuar se ministrat e Listës Guxo, pavarësisht performancës së tyre, nuk mund t’i prekë.
Të tjerët vlerësonin se nuk do të ketë shkarkime pasi Kurti nuk ka me kë t’i zëvendësojë ministrat aktualë. Dhe prap nuk ndodhi asgjë. Asnjë ministër, dhe praktikisht asnjë zëvëndësminsitër nuk e lëshoi kabinetin qeveritar, përpos dy-tre zëvëndësministrave që dhanë dorëheqje, apo u shkarkuan për shkaqe asnjë herë të sqaruara zyrtarisht deri në fund.
Ndërkohë, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në vitin e kaluar, në analizën e publikuar për qeverisjen tri vjeçare të Qeverisë Kurti, ka listuar të arriturat dhe ngecjet e qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke konstatuar ngecje në politikën e jashtme, reformat në sundim të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Në këtë analizë, GLPS ka theksuar se “viti i tretë i qeverisjes vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës, duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore”.
“Në përgjithësi, viti i tretë i qeverisjes, sikurse vitet paraprake, vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës, duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore. Nga 16 institucione gjithsejtë, përfshirë 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, vetëm katër prej tyre udhëhiqen nga sekretarë me mandat të rregullt. Ky fenomen vazhdon të dëmtojë funksionimin e administratës publike në Kosovë. Kemi theksuar nevojën për një riformatim të Qeverisë për shkak të mungesës së performancës në disa dikastere”, thuhej në analizën GLPS-së.
“Po hyjmë në vitin e katërt dhe të fundit, dhe nevoja për riformatim qe ka qenë e padiskutueshme, nuk është jetësuar gjatë kësaj kohe…Fenomeni i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies mbetet ende i theksuar”, theskonin zyrtarët e këtij asociacioni.
Megjithatë dhe megjithë dështimet jo të pakta të dikastereve tashmë të adresuara, siç janë realizimi i dështuar i investimeve kapitale në këto vite, sidomos në vitin 2022, ndër më të ultit në vitet e fundit (sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtëmujorin e parë të 2022-tës ishin 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal 19 për qind), çmimeve të ngritura dhe jashtë kontrollit, ngecjes së paparë të përfundimit të rrugëve tepër të rëndësishme të Kosovës, rindërtimi i të cilave ka nisë me dekada më parë, përkeqësimit evident të gjendjes sociale dhe mirëqenies së kosovarëve shumicë, Kurti vazhdoi t’i mbajë ministrat e pa efektshëm, pa rezultate të shënuara dhe të tillët që praktikisht nuk përmbushën asnjë premtim dhe zotim kur u ulën në karrigën ministrore.
Kryeministri Kurti në këto tre e sa vjet të qeverisjes nuk ka liruar ndonjë ministër nga detyra për shkak të dështimeve të tyre ministrore. Disa ministra tashmë të ditur edhe në publik që nuk kanë arritur asnjë rezultat të vetëm, vazhdojnë të qeverisin pa ndier peshën e përgjegjësisë fare për huqjet e tyre. Ata, duke fajësuar për ngecje në realizimin e synimeve, vizioneve dhe planifikimeve të tyre – qeveritë e kaluara, krizat botërore financiare dhe energjetike, ngritjen enorme të çmimeve etj, vazhdojnë të jenë inekzistentë në ministritë e rëndësishme të Kosovës.
Ç’është më keq, ministrat e dështuar, që Kurti, e di fortë mirë se cilët janë ata, sikundër që, pak a shumë tashmë di edhe opinioni i Kosovës dhe të cilëve kosovarët u besuan aq shumë, tani, po ua kthejnë këtë besim, praktikisht me mbylljen hermetike kundrejt publikut, njerzëve që kanë shpresuar tek ndryshimi, por edhe që kërkojnë informacione për zhvillimet në ministritë që kanë “huqur” objektivat.
Ndërsa, Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, dhe sidomos ministritë që kanë dështuar në përbushjen e premtimeve, nuk e kanë asnjë arsye të vetme për të qenë të mbyllura, të izoluara nga komunikimi me publikun, madje hermetikisht, sikur të ishin ndonjë institucion misterioz, tërësisht tabu për publikun. Nuk kanë pra arsye të fshehen nga publiku, ta mbulojnë dhe ta heshtin të vërtetën, qoftë e hidhur, qoftë e gëzueshme dhe ngazëllyese, që i bie se nuk kanë asnjë arsye ta injorojnë publikun, i cili para tre e më shumë vjetësh u besoi shumë njerëzve të kësaj Qeverie dhe atyre që përbëjnë ministritë, tani hermetikisht të mbyllura. Prandaj, Kurti, edhe tani, kur ka mbetur më pak se 1 vjet nga përmbyllja e mandatit qeveritar, duhet më në fund të mendojë shumë më seriozisht për reformim të Qeverisë, për rifreskim të saj, për të kërkuar dhe për të arritur rezultate. Zëvendësimi i ministrave pa rezultate dhe pa rendimente, është proces i rregulltë dhe i natyrshëm kudo ndër qeveritë e botës. /Buletini Ekonomik/