Gati dy vjet është kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit në gjykatat në vend, bazuar në një raport të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) që ka monitoruar 458 seanca gjyqësore në periudhën 1 prill 2023 – 31 mars 2024.
Raporti i publikuar të martën ka përfshirë gjetjet nga 458 seancat, 322 prej të cilave janë zhvilluar e 127 ose janë mbajtur me vonesë ose janë anuluar. Për rezultate, GLPS-ja ka thënë se ka analizuar edhe 143 aktgjykime të publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Janë pesë gjetje kryesore të raportit. Aty thuhet se numri i lartë i seancave të anuluara apo mbajtura me vonesë, kontribuon ndjeshëm në zvarritjen e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit. Arsye kryesore janë mosparaqitja e palëve në gjykim dhe neglizhimi i gjykatave në lëshimin e urdhërarresteve. “Po ashtu, shumë seanca dështojnë për çështje teknike dhe administrative, përfshirë mungesën e personelit kyç dhe planifikimin e dobët”, thuhet në gjetjen e dytë të raportit.
Prishtina ka pasur numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara (43), ndjekur nga Mitrovica dhe Gjilani (25).
“Kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit ishte 688 ditë, me variacione rajonale të dukshme. Nga 143 aktgjykime, 89 ishin aktgjykime dënuese. Nga këto 89, 51 ishin dënime me gjobë, 9 me burg, 6 me burg dhe gjobë, dhe 1 me gjobë dhe burgim me kusht. Dënimet plotësuese të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratën publike janë aplikuar rrallë”, thuhet në gjetjet tjera.
Në tryezë, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, u shpreh se trajtimi i korrupsionit është prioritet i ministrisë “dhe se kjo po bëhet përmes pakos së re të legjislacionit kundër korrupsionit dhe avancimit të procesit të vettingut”. Kurse, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Fidan Haliti, theksoi se politikat ndëshkimore duhet të jenë në përputhje me ligjin në mënyrë që të ndalohet korrupsioni.