Nis zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit Kosovë-Shqipëri – Për 300 mijë banorët e zonave kufitare, lehtësira në qarkullim, punësim dhe arsimim

Dje ka filluar zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar. Kjo nënkupton që rreth 300 mijë banorë të zonës kufitare, përmes mjetit të identifikimit dhe lejes së trafikut lokal kufitar, do të lejohen të kalojnë kufirin tokësor në bazë të regjimit të trafikut lokal kufitar.

Marrëveshja e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës më 26 nëntor 2021, parashikon që qytetarët në të dyja anët, pra 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës, do të përfitojnë shërbime të njëjta si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, sikur të ishin shtetas të të dyja vendeve.

Rrjedhimisht, kjo pritet të nxisë punësimin në të dyja anët e kufirit, pasi shtetasit do të mund të punësohen pa kufizime, por edhe të arsimohen në një nga shkollat e zonës. Ekonomisë lokale do t’i jepet një shtysë zhvillimi.

Reklama e sponzorizuar

Në lejen e trafikut lokal kufitar sipas regjimit të trafikut lokal kufitar nuk do të vendoset vula e hyrjes dhe daljes. Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjithashtu ka deklaruar se në pikën e kalimit kufitar në Morinë dhe Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit.

Ky zhvillim pritet që të sjellë më afër njerëzve bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, duke e çuar në një fazë tjetër qarkullimin e banorëve të zonës kufitare, por edhe lehtësimin e punësimit apo lëvizjes së lirë në tërësi./Scan tv/