As Qeveria aktuale nuk po e njeh qytetarin konsumator, as familjen konsumatore, as biznesin konsumator, as shoqërinë civile avokuese të kauzës së konsumatorit, të të drejtave e obligimeve dhe të interesit e dinjitetit të tij, ka thënë në një intervistë për Buletinin Ekonomik – Selatin Kaçaniku, themelues e drejtues i OJQ-së Konsumatori. Sipas tij, disa tregtarë importues, kanë krijuar ndjenjë të rrejshme për “varshmërinë e qytetarit konsumator nga produktet e Serbisë” – duke e pamundësuar zëvendësimin e produkteve të importit me prodhime vendore.
Mehmet GJATA
As Qeveria aktuale nuk po e njeh qytetarin konsumator, as familjen konsumatore, as biznesin konsumator, as shoqërinë civile avokuese të kauzës së konsumatorit, të të drejtave e obligimeve dhe të interesit e dinjitetit të tij, thotë Selatin Kaçaniku, ekspert, aktivist e donator i kauzës së konsumatorit si dhe themelues e drejtues (për afro 18 vjet) i OJQ-së Konsumatori (aktualisht me aktivitete të ngrira), në një intervistë më të gjerë për Buletinin Elopnomik.
Sipas tij, “shteti sikur harron ose nuk dëshiron ta dijë se komponenta kryesore socio-ekonomike është konsumi, është konsumatori”.
“Në çmimet e produkteve/artikujve që i ofrohen qytetarit konsumaor në Republikën e Kosovës bëjnë pjesë edhe: kostot e korrupsionit, të klientelizmit, të ”donacioneve e subvencioneve”, të ligjit joligjor për financimin e partive politike nga buxheti i shtetit, i shpenzimeve të mbi 60% tepricë të stafit civil, i cili këtij buxheti i kushton mbi 1 miliard euro në vit?!”, ka vënë në dukje në këtë intervistë Kaçaniku. Ai ka theksuar se disa tregtarë/importues kanë krijuar ndjenjë të rrejshme për “varshmërinë e qytetarit konsumator nga produktet e Serbisë” – duke e pamundësuar zëvendësimin e produkteve të importit me prodhime vendore, ndërsa CEFTA i ka sjellë qytetarit konsumator të Republikës së Kosovës më shumë dëme se dobi.
Sipas Kaçanikut, disa tregtarë e politikanë manipulantë/spekulantë, e kanë shfrytëzuar Republikën e Kosovës pa treg të konsoliduar për dirigjimin/monopolizimin e tregut dhe se kontrabanda e fuqishme, edhe e medikamenteve, po e prish tregun dhe po i zhbën intereset socio-ekonomike-juridike e PRO qytetarit konsumator taksapagues.
Intervistën e plotë me Selatin Kaçanikun mund ta lexoni në vazhdim:
Buletini Ekonomik: Ju jeni një vrojtues i zhvillimeve tregtare dhe një mbrojtës i përkushtuar i kahershëm i konsumatorit kosovar, prandaj që në fillim na imponohet pyetja: Pse janë janë kaq të pambrojtur konsumatorët në Kosovë? Dhe në këtë kontekst, a ka Kosova legjislacion të domosdoshëm që do të mbronte konsumatorët, a zbatohet ai nëse ekziston dhe sa është i involvuar shteti i Kosovës në mbrojtjen e konsumatorëve të vet?
Selatin Kaçaniku: Pse? Sepse i kemi zgjedhur/votuar jo mjaftueshëm të duhurit, ose sepse nuk po e mbikëqyrim punën e tyre. Sa, si po i përmbushin premtimet, mandatet, kompetencat e autorizimet e tyre që ua transmetuam nëpërmes votës sonë të lirë demokratike?! Sepse as kjo Qeveri nuk po e njeh qytetarin konsumator, as familjen konsumatore, as biznesin konsumator, as shoqërinë civile avokuese e kauzës së konsumatorit, e të drejtave e obligimeve dhe e interesit e dinjitetit të tij. Sepse qytetari konsumator, si aktivist, votues/zgjedhës/elektorat…pse jo edhe klient i partisë politike dhe i politikanit, mendon dhe vepron në drejtim të përvijimit të interesave të natyrave tjera, e jo në drejtim të obligimit të partisë së tij ose të politikanit që ia përmbushë/realizon të drejtat konsumatore, anise si qytetar konsumator është edhe taksapagues e gjenerues kryesor i buxhetit të shtetit. Anise nga ky buxhet i financon edhe partitë politke – të cilat lidhin interese, marrin “donacione e subvencione” shtesë nga disa biznese si dhe u japin llogari, por jo edhe qytetarit konsumator taksapagues?! – Sepse zbatueshmëria e ligjeve akoma është nën 40%, ndërsa ligjvënës është Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërsa përgjegjëse e zbatueshmërisë është Qeveria e Republikës së Kosovës, pra partitë politke dhe politikanët që i kemi deleguar aty dhe i paguajmë me avans nga buxheti, të cilin e gjenerojmë ne – si qytetarë konsumatorë taksapagues.
“Fatin” e zbatueshmërisë së ulët të ligjeve e ka edhe Ligji për mbrojtjen e konsumatorit. Ky Ligj e obligon Parlamentin, Qeverinë…dhe MINT-in që të kujdeset për themelimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin me të gjitha OJQ-të për mbrojtjen e konsumatorit në të gjitha fushat, degët e sektorët socio-ekonomik, publik, administrativ…edhe në komuna e lagje?! Të gjitha këto nuk e kanë ndihmuar themelimin e asnjë OJQ-je për mbrojtjen e qytetarit konsumator. Përkundrazi, e sabotojnë të vetmen organizatë për mbrojtjen e konsumatorit në të gjitha fushat, degët e sektorët socio-ekonomik, publik, administrativ…OJQ KONSUMATORI?! – Shteti, nëpërmes institucioneve e mekanizmave e mbron qytetarin konsumator taksapagues sa për t’ju përshtatur ekonomisë, tregut dhe bizneseve – për aq sa është (in)kompetente?! Shteti sikur harron ose nuk dëshiron ta dijë se komponenta kryesore socio-ekonomike është konsumi, është konsumatori. Po të mos ishte nevoja, kërkesa, konsumi – konsumatori nuk do të kishte motiv, arsye, interes…as për ekonomi, treg, e as biznese… – Sepse, në mungesë të strategjisë së zhvillimit ekonomik të shtetit, në mungesë të tregut vendor/tregut të brendshëm, në mungesë të njohjes së komponentës kryesore socio-ekonomike që është konsumi/qytetari konsumator taksapagues…, në mungesë të njohjes dhe të komunikimit me qytetarin konsumator dhe mungesës së gatishmërisë për të krijuar e zbatuar politika të mirëfillta PRO qytetarit/familjes konsumatore…, natyrisht se shihet mungesa, shihet pa-aftësia, shihet mungesa e gatishmërisë dhe e përkushtimit, duke e “stimuluar” pakënaqësinë dhe abuzimet e shumta me të drejtat e oibligimet dhe me interesat e dinjitetin e qytetarit konsumator taksapagues.
Buletini Ekonomik: Pse, sipas jush, sektori i tregtimit në Kosovë në të gjitha nivelet është kaq lehtësisht i manipulueshëm nga tregtarët abuzivë, dhe pse legjislacioni në fuqi në Kosovë, ende është shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar?
Selatin Kaçaniku: Arsyet janë të shumta. Por, le ta kemi të qartë se nëse ndokush nuk do, nuk di ose nuk mund ta zgjidhë një problem për vite e dekada atëherë është e qartë se ai/ata/ato … janë krijues, pjesë, hisedarë/aksionarë të problemit. Në mungesë të sistemit të drejtësisë së pavarur, të pandikuar nga politika dhe në mungesë të bashkimit të qytetarëve konsumatorë të Republikës së Kosovës – për ta dëshmuar fuqinë, interesin dhe interesimin, kam frikë se kjo gjendje do të vazhdojë edhe një kohë të gjatë?!
Buletini Ekonomik: Ose, edhe më konkretisht, pse në Kosovë edhe në periudhën 5 mujore të këtij viti, në janar-maj 2024, kanë çmime ndjeshëm më të larta të gjitha produktet e higjienës, shumë produkte elementare ushqimore dhe të veshmbathjes se sa bie fjala në Gjermani, në Francë, në Itali, në Spanjë, në Portugali etj.
Selatin Kaçaniku: Nëse ngritjen e çmimeve e analizojmë edhe nga prizmi i manipulimeve me sasi/vëllim/peshë, me freski/skadencë, me komponentet e redukuara në lloje e sasi, rritja e çmimeve do të dalë edhe më e lartë. Meqë kemi të bëjmë me mbi 90% import produktesh, shihet qartë se sistemi i konzujve komercial/konzujve të tregtisë dhe interesimi i MINT-it, i Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës, pra edhe i Parlamentit dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë drejtim – është i pamjaftueshëm! – Duhet ta kemi të qartë se në çmimet e produkteve/artikujve që i ofrohen qytetarit konsumator në Republikën e Kosovës bëjnë pjesë edhe: kostot e korrupsionit, të klientelizmit, të ”donacioneve e subvencioneve”, të ligjit joligjor për financimin e partive politike nga buxheti i shtetit, i shpenzimeve të mbi 60% tepricë të stafit civil, i cili këtij buxheti i kushton mbi 1 miliard euro në vit.
Buletini Ekonomik: Çmimet e ngritura egërsisht nga shumë tregtarë vazhdojnë të ndodhin edhe pse me intenzitet paksa më të zbehur, në ndërkohë që në mbarë botën ka ulje çmimesh dhe paralajmërime për uljen e tyre. Si i vlerësoni ju këto zhvillime, çka ju dëshmon përvoja juaj e gjatë në vrojtimin e këtyre zhvillimeve?
Selatin Kaçaniku: Në ngritjen e çmimeve, edhe në botë, po dikojnë problemet e globalizimit, luftërat në Ukrainë e Palestinë. Ndikim kishte edhe pandemia COVID 19, ndërsa pasojat ekzistojnë edhe sot. I kemi edhe ndikimet stinore dhe mungesat e krijuara nga kushtet atmosferike. Nuk duhet harruar as privatizimin pa nikoqirllëk, pa e projektuar/parashikuar të ardhmen dhe nevojat në të ardhmen, aq më parë nëse kemi parasysh faktin se shumica e tyre kanë prodhuar produkte për “shportën e konsumatorit”; Disa tregtarë/importues kanë krijuar ndjenjë të rrejshme për “varshmërinë e qytetarit konsumator nga produktet e Serbisë” – duke e pamundësuar zëvendësimin e produkteve të importit me prodhime vendore; CEFTA i ka sjellë qytetarit konsumator të Republikës së Kosovës më shumë dëme se dobi. Disa tregtarë e politikanë manipulantë/spekulantë, e kanë shfrytëzuar Republikën e Kosovës pa treg të konsoliduar për dirigjimin/monopolizimin e tregut; Kontrabanda e fuqishme, edhe e medikamenteve, po e prish tregun dhe po i zhbën interesat socio-ekonomike-juridike e PRO qytetarit konsumator taksapagues; Indisponimi edhe i kësaj legjislature të Qeverisë për ta informuar, edukuar, arsimuar e vetëdijësuar qytetarin konsumator të Republikës së Kosovës për të drejtat e obligimet dhe për intereset e dinjitetin e tij/saj, po e bëjnë tregun dhe konsumatorin “Tokë të premtuar”/“El Dorado” për të gjithë ata të cilët nuk kanë mëshirë ndaj qytetarit konsumator të pambrojtur, por me orekse jashtëzakonisht të mëdha për t’u pasuruar brenda natës.
Buletini Ekonomik: Ju si mendoni, a do të ketë më shpejtë ulje çmimesh edhe në Kosovë, sidomos të produkteve elementare të mbijetesës dhe produkteve të tjera të domosdoshme, sikundër që po ndodhë në shumë vende të botës?
Selatin Kaçaniku: Çmimet janë si orteku i borës. Pasi të nisë – nuk ka më kthim prapa! As Qeveria nuk ka “shkop magjik” për ta bërë këtë. As opozita nuk është e interesuar që, në interes të shtetit e për çështje madhore, të bashkëpunojë në këtë drejtim. Përkundrazi, opozita po e pret në pritë gabimesh Qeverinë – sepse po i intereson ta ulë poshtë, si orteku. I intereson pozita, por jo përmirësimi i gjendjes së shtetit dhe i konsumatorit. Shtetet e zhvilluara kanë buxhet ekstenziv, e jo si Republika e Kosovës e cila ka buxhet konsumues. Ato kanë mundësi për t’ia lehtësuar gjendjen klasës së goditur të qytetarit konsumator, e kanë nën kontrollë e qeverisje edhe valutën shtetërore, e shtypin vet dhe e kontrollojnë inflacionin.
Nuk kam informatë nëse është kërkuar ose jo që Republika e Kosovës ta ketë edhe valutën e saj?! Republika e Kosovës nuk ka bërë orvatje as për kontrollimin e valutave të huaja të cilat po ndikojnë dukshëm në sabotimin e tregut furnizues dhe të tregut financiar të Republikës së Kosovës. Nuk kam informatë as nëse Republika e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga BE që nëpërmes valutës Euro ta kontrotrollojë inflacionin!
Buletini Ekonomik: Ku janë shkaqet e reduktimit kaq drastik të numrit të inspektorëve të tregut në vend? Në këtë kontekst, nëse keni të dhëna, sa inspektorë tregu operpjnë aktualisht në gjithë Kosovën, dhe sa do të ishte e nevojshme të ketë Kosova inspektorë tregu?
Selatin Kaçaniku: Nuk është temë e imja e as nuk kam informacion. Por, ajo që mund ta them, e që ka të bëj me përvojën jetësore – e cila shumë politikanëve të rinj u mungon, nuk e njohin teorinë bazike të kontrollit të cilësisë së prodhimeve, mallrave e shërbimeve, as të kontrollit dhe të evaluimit të performancës së shërbimeve: Inspekcioni, Agjencioni, Mekanizmi… i shërben qytetarit konsumator dhe për ta ndihmuar tregun për të qenë rregullator. Në këtë frymë cakton gjoba edhe për kujdes, parandalim…vetëdijësim. Nëse problemi i njëjtë përsëritet me vite e me dekada, ja përgjigja: Siç e thashë më lartë, nëse ndokush nuk di, nuk mundet ose nuk do ta zgjidhë problemin d.m.th., se është pjesë e tij. Nëse Inspektoratet vazhdimisht merren me problemet e njëjta d.m.th., se gjobat nuk janë proporcionale dhe nuk shqiptohen në kontekstin dhe me qëllimin e disiplinimit por me qëllim përfitimi politik ose personal. Së këndejmi, nëse inspektorati i lejon vetes që vazhdimisht të merret me problemet e njëjta dhe me “delikuentët” e njëjtë biznesor – natyrisht se nuk do t’i majftojnë ekonomisë, shërbimeve publike, tregut, biznesit, qytetarit konsumator…as vetvetes. Kërkoj falje, nuk kam asgjë konkrete as personale, por kjo është formula e jetës, e përvojës, e praiticizmit, pragmatizmit…
Buletini Ekonomik: Po çka thonë analizat e juaja rreth lejimit nga shteti të marzhës super-enorme të fitimit nga shumë tregtarë kosovarë dhe tregtarët përfitues të situatave të tregtimit të mallrave domosdoshmërisht të nevojshme dhe si të tilla të kërkuara në tregjet tona (me ngritje shumëfish të çmimeve të këtyre produkteve)?
Selatin Kaçaniku: E shpjegova më lartë se në strukturën e çmimeve, marzhës enorme, bëjnë pjesë edhe “donacionet e subvencionet”, edhe klientelizmi, korrupsioni…
Buletini Ekonomik: Krejt në fund, si do i komentonit ju “keqtrajtimet” e përditshme të konsumatorit të skamur të vendit, edhe me propagandë të parreshtur dhe të gënjeshtruar dhe nëpërmjet shpalljeve publike për gjoja aksionet e uljes së çmimeve nga shumë supermarkete, për çmimet “aksion”? Ose shpalljet e stërpërsëritura nga shumë markete dhe sidomos supermarkete se sasia e produktit me çmim të ulur “është e limituar”, prandaj edhe produket janë numerikisht të kufizuara për blerësit, ose mospërputhjen e çmimeve të ekspozuara në rafte me ato të arkës, ose tregtimin e produkteve ushqimore me afat të skaduar?
Selatin Kaçaniku: Veprimet mashtruese, mashtrimet trajtohen mirë në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Shumë agjencione, mekanizma… ligjërisht obligohen që të reagojnë edhe EX OFFICIO, sipas detyrës zyrtare, edhe kur informohen ndryshe ose nëpërmes mediumeve të informimit publik për ndonjë mashtrim/abuzim, pa pasur nevojë që ndokush të ushtrojë ankesë ose të bëjë kallxim. Por, ja që e thash edhe më lartë, shteti lejon/duron zbatueshmëri tepër të ulët të ligjeve. Reklamat nuk janë ligje. U mësuam me to. Meqë shteti nuk po na mbron duhet të vetëmbrohemi! Me këshillat, reagimet dhe protestat e mia po përpiqem t’i këshillojë, t’i edukojë, të ndikoj te qytetari konsumator, te familja konsumatore, te biznesi konsumator. Nuk e kam të qartë që ndokush “vazalizohet”, ndokush ”rebelohet” në dëm të interesit të vet dhe nuk i dëgjon as nuk i zbaton ato, pra këshillat e mira. Nuk e kuptoj gjithë këtë “mazohizëm” – uri për të qenë i dhunuar ose i dënuar, ose i nënshtruar për durim të pafund… /Buletini Ekonomik/