Moti i mirë dhe të reshurat e bollshme diktojnë uljen e çmimeve në tregjet e gjelbra të Kosovës

Në tregjet e gjelbra të vendit, që nga fundi i prillit dhe fillimi i majit, ka llojllojshmëri të shumta produktesh (shumica e tyre janë nga importi), por krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet janë ndjeshëm më të ulëta dhe si të tilla më të pranueshme nga konsumatori kosovar. Bie në sy, sidomos çmimi te domatja, që kryesisht importohet nga kopshtarët e Shqipërisë dhe që në tregjet e gjelbra sillet nga 60 deri në 80 centë për një kilogram (për domaten e kuqe) dhe 1 euro për atë rozë.

Buletini Ekonomik

Sivjet tregjet e gjelbra të Kosovës dominohen nga prodhime të shumta bujqësore, kryesisht cilësore në pamje, por edhe të cilësisë mesatare dhe me çmime relativisht të ulura në këto javët e fundit. Në këto tregje, që nga fundi i prillit dhe fillimi i majit, ka llojllojshmëri të shumta produktesh, dhe shumica e tyre janë nga importi, por krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet janë ndjeshëm më të ulëta dhe si të tilla më të pranueshme nga konsumatori kosovar.

Reklama e sponzorizuar

Bie në sy, sidomos çmimi i këtyre ditëve te domatja, që kryesisht importohet nga kopshtarët e Shqipërisë dhe që në tregjet e gjelbra sillet nga 60 deri në 80 centë për një kilogram (për domaten e kuqe) dhe 1 euro për atë me ngjyrë rozë.

“Tani me këtë çmim, mund të furnizohemi edhe ne qytetarët e rëndomtë me domate. Vjet, gjatë tërë stinës së verës, thuaja se çmimi i domates ka qenë shumë i shtrenjtë, dhe si i tillë, ishte jashtë mundësive për ta pasur në tryezë konsumatori me gjendje jo të mirë financiare’, thotë një pensionist prishtinas dje në Tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit.

Ai nuk fsheh kënaqësinë për këtë, duke shfaqur mendimin e tij se këto çmime, krahas furnizimit të mirë të tregut, “janë rrjedhojë e motit të mirë dhe me të reshura të shumta të shiut gjithandej në rajon, në shtetet prej nga importojnë tregtarët kosovarë produktet bujqësore.

Sipas tij, moti ka ndihmuar kopshtarët në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriu, në Greqi dhe në Turqi, për të prodhuar më shumë perime, por edhe për të qenë më cilësore ato. Edhe te perimet e tjera, çmimet tashmë janë ndjeshëm më të ulëta, krahasuar me javë e muaj më parë.

Dje, në tregjet e gjelbra të Prishtinës, një kilogram i specave padjegës kushtonte një euro, ndërsa ata djegës, të importuar nga Greqia kishin çmimin 1,5 euro. Qepa e importuar vazhdon të tregtohet nga 70-80 centë kilogrami, ndërsa qepët e reja tani mund t’i hasësh edhe 10 tuba për një euro.

Ndërkohë, trangujt po kështu kanë zënë të kenë çmim ndjeshëm më të ulur krahasuar me javë më parë. Tani një kilogram tranguj, të prodhuar nga kopshtarët e Mamushës dhe të fshatrave përreth Prizrenit, kushton 50 centë dhe më së shumti 60-70 centë. Po kështu, edhe çmimi i lakrës së re, që vie kryesisht nga Shqipëria, ka rënë “përtoke”. Një kokë lakre, madje pavarësisht madhësisë (tani lakrat e reja shquhen edhe për madhësinë e tyre), shitej 30 centë, ose tre lakra me 1 euro. Ndërkohë, që dihet, vetëm para 3-4 javësh, një kilogram i kësaj lakre ka pasur çmimin 1-1,20 euro, ose një kokë e lakrës së re, kushtonte 2 dhe 2,5 euro dhe përtej këtij çmimi.

Sipas vrojtuesve të çmimeve në tregjet tona, kishte ulje çmimi edhe te tregtimi i bananeve, të cilat ka muaj që kanë pasur çmim relativisht të lartë, ndërsa dje në tregjet e kryeqytetit tregtohej edhe me 1,30 euro kilogrami, madje edhe nën këtë çmim.

Vezët, që vazhdojnë ta mbajnë një çmim goxha konstant në javët dhe muajt e fundit, edhe dje në raftet ku tregtohet ky produkt, kishin çmimin 2,30 euro për amballazhimin prej 30 copësh vezë. Sipas tregtarëve, këto ditë, vetëm spinaqi shitet me çmim më të lartë se sa që kishte para ca ditësh. Një kilogram spinaq i cilësisë së mirë tani kushton 1-1,5 euro, ndërkohë që kushtonte nga 50, 80 deri në një euro.

Sipas një tregtari prishtinas, që me vite ushtron veprimtarinë në Tregun kryesor të Prishtinës, këto çmime dhe cilësia e produkteve bujqësore kanë shtuar shitjen ndjeshëm dhe kanë shtuar qarkullimin e parasë në tregun e gjelbër. Ky qarkullim, sipas tij, është një favor për tregtarët, për shkak se ata kanë mundësi të furnizohen më shpesh dhe me produkte më cilësore bujqësore, por edhe në favor të konsumatorëve, për shkak se prania e më shumë produkteve cilësore në treg dhe me çmime më të favorshme, ulë çmimet, por edhe rritë fuqinë blerëse të tyre. /Buletini Ekonomik/