Shumica e pensionistëve të Kosovës besojnë në deklaratën e të parit të tyre se “ kjo qeveri do t’i rrisë pensionet pak para zgjedhjeve”, të cilët, po kështu, sikundër është deklaruar ai, janë të pakënaqur fare me sjelljen ndaj tyre dhe trajtimin e pensionistëve nga qeveria aktuale, anashkalimin e paprecedentë nga rritja e pensioneve për vite të tëra, edhe përkundër ngritjes enorme të çmimeve të produkteve elementare ushqimore dhe të barnave të domosdoshme për të moshuarit.
Mehmet GJATA
Pas deklaratës së fundit të kryetarit të pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi se “ kjo qeveri do t’i rrisë pensionet pak para zgjedhjeve”, shumica e pensionistëve të anketuar nga mediet të premten janë shprehur pak me bindje, pak me cinizëm se duan urgjentisht zgjedhje të reja në Kosovë. Shumica e tyre kanë besuar deklaratën e të parit të pensionistëve, të cilët, po kështu, sikundër është deklaruar ai, janë të pakënaqur fare me sjelljen ndaj tyre dhe trajtimin e pensionistëve nga qeveria aktuale, anashkalimin e paprecedentë të pensionistëve nga rritja e pensioneve për vite të tëra, edhe përkundër ngritjes enorme të çmimeve të produkteve elementare ushqimore dhe të barnave të domosdoshme për të moshuarit.
“Çmimet kanë shkuar në qiell këtë vit. Barnat janë shtrenjtuar 100 %. Me këto pensione nuk po mund t’ía dalin”, ka deklaruar i pari i pensionistëve, duke shtuar se “në lidhje me kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër dhe se Qeveria nuk ju është përgjigjur në asnjë rast për kërkesat e pensionistëve”.
Nuk është se vetëm kjo qeveri që ka lënë anash fare përkujdesjen për pensionistët kosovarë (rreth 200 mijë sish, prej tyre afro 150 mijë pensionistë të pleqrisë dhe afro 50 mijë kontribut-dhënës). Të gjitha qeveritë, pa përjashtim dhe pavarësisht nga cili subjekt politik kanë qeverisur Kosovën, që nga viti 2000 e deri më tani, politikat sociale i kanë margjinalizuar skajshmërisht, dhe ato, praktikisht nuk kanë ekzistuar në këto qeverisje.
Në këtë mënyrë, Kosova, sot, më 2024, akoma nuk ka ndonjë politikë sociale të efektshme, as strategji qoftë afatshkurtër, qoftë afatgjate, ndërkohë që të dhënat dhe statistikat alarmante flasin për numra të pafund të kosovarëve, që kërkojnë ndihmë dhe përkujdesje nga shteti i vet edhe për mbijetesë. Republika jonë ende nuk ka strategji nacionale të mbrojtjes sociale, nëpërmjet së cilës do të synohej së paku zbutja e varfërisë për individët e varfër dhe për përmirësimin e jetesës për personat me aftësi të kufizuara përmes mbështetjes me skemat financiare.
Nuk ka një strategji, që ndër të tjera do të synonte edhe zgjerimin e shërbimeve sociale dhe konsolidimin e procesit të shërbimeve ekzistuese të kujdesit social për financim të qëndrueshëm për kosovarët që realisht kanë nevojë për ndihmat nga shteti. Të përkujtojmë se shumica e shteteve të rajonit, pak a shumë me deficite të ngjashme të mjeteve financiare nga arka e shtetit, tashmë kanë krijuar strategjitë e tyre të mbrojtjes sociale, kanë ndërmarrë edhe një numër masash të tjera për ta zbutur institucionalisht varfërinë në shtetet e tyre, kanë rritur pensionet disa herë në këto vite (në disa vende të rajonit sipas rritjes së shkallës së inflacionit), si masë të domosdoshme për t’ua lehtësuar sado pak pensionistëve të tyre jetën në vitet e pleqërisë.
Edhe Shqipëria, ndër shtetet akoma më të varfëra jo vetëm në Ballkan, sivjet ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024–2030, vendim ky i botuar edhe në Fletoren Zyrtare të këtij shteti. Me këtë vendim, parashikohet të shpenzohen 2,3 miliardë euro për zbutjen e varfërisë në Shqipëri, ndërsa 96 për qind e kësaj shume do të mbulohet ndër vite nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë, në Kosovë edhe më tutje, autoritetet dhe institucionet vazhdojnë të mos përfillin kërkesat e shtuara për të pasur dhe për të zbatuar politika sociale të pranueshme, të zbatueshme dhe të efektshme për përkujdesjen sociale ndaj popullsisë së vet, numerikisht jo të papërfillshme. Vazhdojnë të injorojnë kërkesat e parreshtura të pensionistëve për t’ua ngritur sado pak pensionet, të cilët nuk kanë lëvizur me vite të tëra dhe kanë vendnumëruar, përkundër krizave evdidente të shkaktuara nga ngritja enorme e çmimeve të të gjitha produkteve, dhe sidomos të atyre elementare ushqimore dhe të barnave, që kanë goditur në përmasa të padurueshme mirëqenien e pensionistëve.
Nuk ka dilemë se njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët, afro 200 mijë veta, bashkarisht pesionistët me pension të pleqërisë që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht).
Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me shokët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me 100 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare. Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njërëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familjare të shumta numerikisht. E keqja bëhet edhe më e madhe, kur dihet se asnjëra nga bankat aktuale nuk krediton pensionistët, madje as me kredi konsumuese.
Përfaqësues të UNDP-së kanë treguar për media se të gjeturat kryesore nga një anketë e realizuar në korrik të 2023-tës, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Rezultatet nga anketa kanë treguar se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë. S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madh ka pasur ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos e produkteve esenciale ushqimore dhe e produkteve farmaceutike.
Dhe, ç’është më keq, në parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që përfshijnë periudhën deri në vitin 2028, sërish Kosova dhe Shqipëria vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfërat e Europës. Dhe, njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, nuk e kanë fare të qartë, çka pastaj, se a do të zbuten në vitet pas 2028-tës përmasat tronditëse të varfërisë, a do të ketë më pak të varfër numerikisht, kategori të ndryshme varfanjakësh që presin vazhdimisht dorën e ndihmës së shtetit… Dhe, prap nuk pati qe sa vite ngritje pensionesh fare.
Kësisoj, në këto vite, sistemi pensional në Kosovë, i rregulluar, në njëfarë mënyre, në bazë të Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe Ligjit për metodologjinë e caktimit të lartësisë së pensionit bazë dhe caktimin e datës për sigurimin e pensioneve bazë, me të cilat ligje parashihet harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës dhe inflacionin një herë në vit, me propozim të Ministrisë së Financave, ka qenë, praktikisht, jashtë funksionit.
Edhe sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të publikuar më 24 maj, “shteti ka dështuar t’i zbatojë këto ligje”.
Zyrtarë nga IKD-ja kanë thënë për medien se ky institut e ka ngritur tashmë këtë shqetësim te Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Kuvendi i Kosovës dhe kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe ka kërkuar prej tyre që të shqyrtojnë zbatimin e ligjeve për çështjen e pensioneve.
“U jemi drejtuar të gjithë krerëve që mund të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë për zbatimin e ligjeve. Në rast se nuk i marrin në konsideratë (këto shqetësime) brenda një afati optimal – kah muaji qershor – do të ngremë padi për moszbatim të ligjit”, kishin thënë ata.
Dhe, prapë asgjë nuk ka ndodhur. Është e njëjta gjendje e mjerueshme e pensionistëve të Kosovës edhe në gjysmën e muajit qershor të 2024-tës.
Shifrat dhe faktet e sotme pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen aktuale të pensionistëve të Kosovës (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 24 vjet ). Prandaj, ata shpresojnë të ketë zgjedhje të reja sa më shpejtë, për ta pasur më në fund një rritje pensioni. Pensionistët e Kosovës realisht besojnë se zgjedhjet dhe vota e tyre (nuk janë pak 200 mijë të pensionistëve, plus të familiarëve të tyre), do të kushtëzojnë autoritetet aktuale që të jenë shumë më të ndjeshëm, që nënkupton, shumë më të vëmendshëm, për t’u përkujdesur për të moshuarit, të cilët me vite kanë kontribuar aq shumë për ndërtimin e këtij vendi. /Buletini Ekonomik