Magjistralja Podujevë – Prishtinë është ngarkuar shumë kohëve të fundit, sidomos pasi që kanë filluar punimet në disa pjesë të kësaj magjistrale në të njëjtën kohë. Përveç ngarkesave të shumta, pluhuri dhe vonesat janë bërë të padurueshme për bizneset në këtë magjistrale, raporton Ekonomia Online.
Ekonomia Online ka biseduar me disa pronarë të bizneseve ngjitur kësaj rruge, të cilët shprehen të zhgënjyer me vonesat. Disa prej tyre apelojnë tek institucionet që punimet të kryhen sa më shpejt.
Sami Azemi, banor i fshatit Shakovicë të Podujevës, ka thënë për Ekonomia Online se shkak i pluhurit nga punimet, ka rënë puna e bizneseve. Ndonëse është i kënaqur me nisjen e punimeve, ankesat i ka ndaj kompanisë për shkak të pluhurit.
“Siç po e shihni për momentin është tmerr i zotit. Po shpresoj që kjo bahet për të mirën e krejt këtij nacionaliteti dhe besoj që do jetë shumë më mirë, edhe pse fluksi i punës siç duke veç ka rënë pak nuk jemi shumë të kënaqur me punën, por besoj që mirë është prapë, pluhur ka shumë sidomos pas orarit të punës se këta punojnë deri diku në ora 17 mbrëmje dhe nuk po i rrinë gati me këtë pompën me e largu pluhurin, ajo është koha më e keqe për neve, siç po e shihni shtëpitë janë shumë afër rrugës, pluhuri është ekstrem i madh, besoj që po, ka me përfundua ka me qenë për të mirën tonë, sidomos këta që udhëtojnë Podujevë-Prishtinë”.
“Ka me qenë shpëtim për ta, veç dashtë Zoti behet sa me shpejt. Këto punimet në rrugë tash për tash shumë po i pengojnë bizneset edhe pse edhe në të ardhmen kanë me i pengu sepse do behet me barrikadën në mes shembull, ka me qenë shumë problem për bizneset, për momentin s’po flasim hiç, puna ka rënë më shumë se 50 për qind nëpër secilin biznes e kafiteri, po kurgjo mos të bëfshin ujë kemi me shpenzu tri herë më shumë se zakonisht, duhet me ujit këndej përpara edhe pse është shumë pa efekt sepse pluhuri bartet prej pjesës tjetër na gjuhet këtu prapë veç do Zoti i dhënë zor më shumë dhe e kryejnë në afat të caktuar”, u shpreh ai.
Por ndryshe nga Azemi mendon qytetari tjetër, Safedin Elezi, i cili ngjitur në këtë rrugë ka një biznes familjar. Ai ka thënë se punimet po e pengojnë në të bërit biznes, teksa apelon që këto punime të kryhen sa më shpejt.
“Sa i përket rrugës, mirë është duke shkuar shumë. Një herë për një herë, edhe janë duke punuar shpejt edhe mirë, për biznes po na pengon po s’kemi çka të bëjmë. Më mirë të rregullohet njëherë e përgjithmonë se çdo vjet me mbet duke pas probleme me rrugë e aksidente. Po ujisin si e dhe e patë por në biznes na ka pengue fort, shumë sivjet, s’mundesh me mbajt kurrë e as asgjë prej pluhurit, nuk kanë faj nuk është problemi i tyre por i zgjerimit të rrugës që po bëhet ka shumë pluhur, kishim bërë apel tek Qeveria edhe pse mirë është duke punuar shumë por kishim thënë që sa të është e mundur me punu më shpejt që me i liru bizneset, por ajo nuk varet prej neve, varet prej tyre, varet prej kushteve klimatike prej të gjithave, se firma është duke punuar mirë”, u shpreh ai.