Raporti i FMN-së: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë

Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN

Fondi Montar Ndërkombëtar në një raport të publikuar së fundi për Kosovën, thotë se ekonomia e vendit vazhdon të zgjerohet, megjithatë, momentum i rritjes është ngadalësuar. Aty mes tjerash përmendet edhe ndikimi i ikjes së qytetarëve nga vendi, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian e tensionet në veri.

Në fillim të raportit, thuhet se aktiviteti po rëndohet nga rritja e ulët në partnerët kryesorë tregtarë dhe vendet ku është e përqendruar diaspora kosovare.

“Ekonomia e Kosovës vazhdon të zgjerohet, por momenti i rritjes është ngadalësuar. Përhapjet negative nga rritja e ulët në partnerët kryesorë tregtarë dhe vendet ku është e përqendruar diaspora kosovare (p.sh. Gjermania, Zvicra), po rëndojnë aktivitetin. Shtrëngimi i politikës monetare në eurozonë është transmetuar gradualisht në norma më të larta interesi në ekonominë plotësisht të ‘euroizuar’ të Kosovës. Çmimet më të ulëta të energjisë dhe ushqimeve kanë përmirësuar kushtet e tregtisë dhe kanë ndihmuar në uljen e inflacionit.” – thuhet tutje.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, sipas FMN-së, duke u bazuar në përvojën e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ndikimi fillestar i liberalizimit të vizave mund të jetë i moderuar.

Megjithatë, theksohet që Kosova po përballet me dalje të konsiderueshme të qytetarëve nga vendi, gjë që mund të jetë pengesë për rritjen e mundshme të ekonomisë.

“Liberalizimi i fundit i vizave të BE-së mund të ndikojë në fuqinë punëtore dhe të thellojë mungesën e aftësive, duke rezultuar në rritje më të ulët afatmesme. Bazuar në përvojën e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ndikimi fillestar i liberalizimit të vizave mund të jetë i moderuar. Megjithatë, Kosova tashmë po përballet me dalje të konsiderueshme të emigracionit, të cilat janë një pengesë për rritjen e mundshme. Zgjedhjet parlamentare janë planifikuar të mbahen në fillim të vitit 2025”.

Në raport flitet edhe për zhvillimet në komunat në veri të vendit. Sipas hartuesve të këtij dokumenti, një zhvillim pozitiv ka qenë vendimi për targat. Sa i përket rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, aty thuhet se kjo mund të ndikojë në transferet që Serbia ua bën serbëve të Koosvës.

“Hapat e ardhshëm janë duke u vlerësuar, duke përfshirë në kontekstin e negociatave të ndërmjetësuara nga BE. Një nismë për statusin e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore nuk ka avancuar, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve. BE-ja nuk i ka larguar masat e vitit 2023 për të promovuar de-përshkallëzimin”.

Rreziqet

Te rreziqet e jashtme, raporti i FMN-së flet për rritje të reja të çmimeve nga goditjet gjeopolitike, duke përfshirë këtu konfliktin Izrael-Gaza dhe luftën në Ukrainë.

“Çmimet më të larta të mallrave do të ndikonin negativisht në Kosovë përmes kushteve më të dobëta të tregtisë, inflacionit më të lartë, kërkesës më të ulët private dhe rritjes së nevojave për financim. Aktiviteti më i ulët në ekonomitë e përparuara evropiane do të reduktonte remitancat, turizmin dhe IHD-të. Shtrëngimi i vazhdueshëm i kushteve financiare mund të ushtrojë presion mbi cilësinë e aktiveve të bankave dhe të ndikojë në kredinë e sektorit privat”.

Sa u përket masave të BE-së, për të njëjtat, thuhet se nëse vazhdojnë mund të kenë ndikim në rritje.

“Edhe pse masat e BE-së nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në rritje në afat të shkurtër, nëse vazhdojnë me kalimin e kohës, ato do të ndikojnë në financimin dhe rritjen afatmesme.” – shkruan në raport.

Te rreziqet e brendshme, përmendet fillimisht mundësia për eskalim të tensioneve në veri.

“Rreziku nga eskalimi i tensioneve në verun e Kosovës mund të ndikojë në rritje duke ulur investimet direkte të huaja, turizmin, dhe përkrahjen nga donatorët.

Një rritje e polarizimit politik të brendshëm mund të vonojë miratimin e kredive të jashtme nga Kuvendi. Në periudhën afatmesme, një përshpejtim i emigrimit mund të çojë në një tkurrje të fuqisë punëtore dhe përkeqësim të mospërputhjeve të aftësive. Nga ana tjetër, përparimi thelbësor në dialogun me Serbinë dhe procesin e pranimit në BE mund të rrisë besimin, investimet dhe rritjen.” – thuhet tutje.